Ju shkruani: “..ai (Sali Berisha) arriti të mbijetojë politikisht, të rimarrë kontrollin e partisë së tij dhe të fitojë betejën për ekzistencën e vet politike. Por këtu mbaron beteja personale e Sali Berishës dhe fillon problemi i Partisë Demokratike.”
Pra ju e keni ditur se Sali Berisha po zhvillon një betejë personale dhe me fitoren personale të Berishës problemi i opozitarizmit nuk zgjidhet e nuk mbaron por vetëm fillon?
Ju shkruani:
“Sepse sot nuk mjafton që Berisha të ketë mbijetuar. Duhet të mbijetojë dhe të fitojë opozita.”
Po a nuk ishte Berisha opozita? A nuk është ai njeriu-opozitë, njeriu-pluralizëm e njeriu votë-e-lirë? A nuk thatë ju se mbijetesa personale e Berishës është mbijetesë edhe e opozitës? Çfarë ka ndodhur sot që Berisha dhe opozita nuk qenkan e njejta gjë?
Ju po e pranoni vetë se Sali Berisha e ka fituar betejën për të mbijetuar personalisht si politikan por nuk ka fituar betejën që Shqipëria të ketë opozitë. Deri dje keni shpallur tradhëtar dhe të shitur tek Rama secilin njeri që ka guxuar ta deklarojë publikisht ketë që ju po e pranoni sot.
Ju shkruani:
“Berisha e fitoi betejën e tij kundër një bote që, në një moment, dukej e gjitha kundër tij. Tani duhet të gjejë mënyrën që të fitojnë demokratët. Si? Nuk e di.
Ju e paskeni mbështetur Sali Berishën duke qenë të vetëdijshëm se ai nuk e ka gjetur ende mënyrën se si fitojnë opozitarët? Ju duhet ta kishit pasur të garantuar mënyrën. Dhe i kërkoni që ai ta gjejë mënyrën vetëm sot kur degradimi ka hyrë aq thellë saqë ka mbërritur deri në zyrat e Syri TV?
Ju shkruani:
“..një parti që synon pushtetin nuk mund të ndërtojë vitrinën e saj politike me personazhe apolitikë, me njerëz pa peshë elektorale apo, edhe më keq, me “idiotë të dobishëm” që mund të prodhojnë zhurmë, por jo alternativë.”
Ju po pranoni se Sali Berisha ka krijuar një parti me njerëz pa peshë dhe me idiotë të dobishëm?
I dashur Çim. Pak me ironi po them se jam i gëzuar që ju keni ardhur tek qëndrimet tona të kahershme. Më duket interesante jeta kur shoh edhe njerëz të cilët deri dje kanë qenë të barrikaduar që sot reflektojnë sadopak.
Nuk duhet të merresha me shkrimin tënd as të të drejtohesha me emër e mbiemër; sepse e di se shumë miq do të më thonë “Po ti, ça merresh me Çim Pekën, sepse ai është gazetar militant?”
Mirëpo unë nuk përçmoj qeniet njerëzore e as eci me steriotipet e të tjerëve sepse kjo bie ndesh me udhëresat e Zotit; gjithkush duhet të ketë mundësi të ndryshojë qëndrim dhe bindje, sikurse edhe fetë tona na mësojnë përmes shembujve të Shën Palit dhe Ebu Sufjanit se njeriut i duhet pranuar ndryshimi i qëndrimit nëse ai ndryshim shërben për mirë. Edhe pse i juaji mund të mos jetë ndryshim thelbsor i kuptimit të botës por thjesht një regëtimë e lehtë, gjithsesi duhet konsideruar. Kjo është mëshira e lartë hyjnore e cila përmes mësimeve instaurohet edhe në tokë, brenda njeriut.
Unë e di, siç edhe ju e dini, se Sali Berisha nuk i dorëzon fitoret personale dhe ai do ta trashëgojë partinë bash aty ku juve nuk iu pëlqen, tek ata që ju nuk i duroni. Sali Berisha është politikan i lindur në vitin 1944 kur Stalini drejtonte luftën dhe Enveri po marshonte drejt Tiranës për tu bërë kryeministër. Është rritur dhe edukuar politikisht në epokën e Luftës së Ftohtë dhe ka arritur të shkojë për darkë në shtëpinë e Enverit; ka foto me familjen e Enverit. Ai gjykon se me ju ka kryer punë dhe i ka larë borxhet duke iu dhënë ato koncesione apo mundësi jete, prandaj siu ka më asnjë borxh. Rolet dhe detyrat janë të ndara; dikujt diçka, dikujt diçka tjetër.
Megjithatë ju do të vazhdoni të mbështesni atë klan politik edhe pasi ai ta ketë mbushur edhe më deng me njerëz pa peshë dhe me idiotë të dobishëm, siç theksoni edhe vetë. Dhe kjo është e drejta juaj, gjithkush në botë e mban një anë!
E shoqërova shkrimin qëllimisht me ketë foto ku unë shfaqem në ekranin e televizionit tuaj për të kujtuar kohërat kur ishim të gjithë bashkë nën një çati por u ndamë sepse ne prej fillimit deklaruam ato çka ju po pranoni sot: deklaruam se beteja dhe fitorja personale e Sali Berishës nuk është domosdoshmërisht edhe fitore e opozitarizmit, përkundrazi ajo është fillimi i një problemi të ri për opozitarizmin. Deklaruam se do ta mbushë partinë deng me idiotë të dobishëm, siç sot e pranoni edhe ju, sepse kur fitorja është personale e një personi, ruajtja e fitores mundësohet vetëm me idiotët e dobishëm pasi vetëm ata ofrojnë verbëri pa kushte. Sigurisht kjo nuk është kujtesë-kërkesë për mbështetje; është kujtesë se e gjithë lufta juaj kundër armiqëve ka qenë e kotë. Ne thelb kujtesa nuk është për ju si personi por meqenëse ju jeni kthyer në gazetarin zyrtar të një pjese të opozitarve, iu drejtohem atyre duke “shfrytëzuar” emrin tuaj.
E kur partia më e madhe opozitare nuk ka një mënyrë se si ta rimëkëmbë opozitarizmin dhe ta sfidojë qeverisjen e Edi Ramës; dhe mbi të gjitha kur ajo nuk dëshiron ta ketë atë mënyrë, shoqëria ka detyrë të organizojë platforma të reja për ta sfiduar pushtetin agresiv e të pafre në vjedhje e abuzime. Prandaj ju ftoj t’i ruani këto qëndrime dhe ta orientoni median dhe opinionin tuaj drejt mbështetjes edhe të platformave të reja inovative e më energjike.
Indrit Vokshi, bashkëdrejtues i Nisma Kombëtare!
Burimi/Facebook


Leave a Reply