Nga Zenepe Dibra
Të nderuar miq! Muajt e verës por sidomoss muaji gusht është muaji i dasmave . E kush ma bukur se Shkodra i ka ba dasmat? Por jo vetëm! Edhe krahinat apo fshatrat rreth Shkodrës kanë patur repertorin dhe traditat e veta. Po sot ?
DUKE PARË DISA DASMA NË VIDEO, NË ANË TË MALIT, TË ULQINIT
Ndërmjet relikeve të ralla të një tradite e kulture të lashtë mijëra vjeçare, në qytetin antik të Shkodrës është formësuar, aplikuar ndër kohëra dhe ardhur deri në ditët tona, ceremoniali i dasmës. Pa dyshim që ndërmjet ritualeve të jetës familjare, të cilat qyteti i ka shumë të spikatura (rituali i lindjes, i dasmës dhe i vdekjes) ai i dasmës zë vendin kryesor, është më festivi, më i pasuri me rite të aplikuara në një kohë relativisht të gjatë, që nga fejesa e deri pas marteses. Natyrisht që dasma shkodrane është pjesë e ceremonialit që organizojnë të gjithë shqiptarët për këtë rit kalimi, madje edhe shumë më gjërë se kaq, duke filluar me rajonin ku jetojmë e më tej. Por Shkodra, me vjetërsinë e saj, me tiparet karakteristike të një kulture shumë të avancuar në kohë dallohet për festën e hymnit të jetës. Shkodra ka organizuar një ceremonial tipik dasme, me shumë pak ndryshime ndërmjet besimeve fetare (përveç ndonjë ndryshimi në veshje, ndryshimi themelor është celebrimi i martesës në objekte të ndryshme kulti, kishë apo xhami). Martesa ndër shkodranët tradicionalë ka pasur një repertor shumë të pasur këngësh dhe vallesh. Vallet autoktone që dallojnë Shkodrën janë ato të dasmës. Tekstet e këngëve shkodrane kanë përçuar një psikologji më të çliruar, më të hapur se jeta e zakonshme e banorëve, në të kaluarën mjaft të mbyllur. Ata kanë kënduar e vallëzuar, të afërmit, prindërit e protagonistëve, vëllezërit e motrat, xhaxhallarët e dajallarët i kanë ditur mirë detyrat e tyre për ta bërë sa më të bukur e rrëzëllitës një ceremonial dasmor. Dasma tradicionale shkodrane ka zgjatur rreth dy javë, përfshirë edhe festat e ngushta të familjarëve të dy familjeve pas dasme. Dasma shkodrane ka pasur veshjet kombëtare për gra e burra, për përgatitjen e të cilave punonin artizanët e njohur të qytetit, të famshëm në gjithë hapësirat shqiptare për artin e veçantë të prerjes, qepjes, qëndisjes, kombinimit të ngjyrave, materialeve të çmueshme, prodhuar në vend apo sjellë enkas nga importi, shoqëruar gjithashtu me arturina e bizhu të spikatura, të dhuruara nga të dyja familjet.
Por apo humbin sot elementet e ceremonialit të dasmës ?Po por jo gjithkund! Në Shkodër po humbin por po i shoh dhe i ndigjoj në Ulqin, Anen e Malit , ne Zadrime, Berdice, në këto vende ku traditat e dasmave po ringjallen dhe vazhdojnë.Nuk ka asnjë qytet në Shqipëri bile edhe në krahinat tjera shqiptare jashtë kufijëve shtetërore që të ketë kaq shumë këngë dasmash, të ketë kaq tekste emocionuese, me përshkrime, metafora të shprehura artistikisht, se sa në hapësirën shkodrane.
“Shkon pulëbardha nepër Dri
Jalla kush po çon dhunti
Po çon dhendri ynë i ri

………
Një metaforë shumë e bukur. Një pulëbardhe nepër Drinin tonë lajmëron se nje dhënder po çon dhunti! Po sa e bukur ka kenë tradita me çue dhëndri dhunti. Ç farë ishte dhuntija?Ishin dhurata që dhëndri i çon nuses, copa për të qepur fustane, kostume, pallto, këpucë e sandale, çadër, unaza e martesës, tualeti, fustani i vellos, etj .Dhuntia lidhesh tek burri ku mblidheshin shumë gra dhe lidhnin çdo copë me kordele të kuqe ku këndonin dhe kalonn momente të këndshme Sot në Shkodër ka ikë kjo traditë dhe as që zhvillohet por në Ulqin dhe rrethet e saj si Ana e Malit po. Po pse të mos jete përsëri kjo traditë kaq e bukur? Le të mos jenë shumë dhurata të kushtueshme apo ndonjë sasi e madhe por të vazhdohet tradita me elementë më të thjeshtë.
Dasmat tona i kanë ba edhe ma të bukura këngët që janë kënduar për çdo moment që dasma kalonte.Momente më ngazëlluese ishin tek djali dhe janë kur krushqit mblidhen dhe kërcejnë para se të marrin nusen, në shtëpinë e nuses dhe kur kthehen me nuse të marrur.
Këngë të përmallshme janë kur nusja del nga pragu i shtëpisë së babait dhe është shumë interesant mbi të gjitha përmallimi i babës të cilit kryesisht i dhemb shumë largimi në një konak tjeter i vajzës. Ai me djalin e tij e përcjellin bijen tek dhendri dhe dy pika loti janë plotësisht të justifikueshme kur kruqshit që kanë ardhe me marrë nusen këndojnë. Dhe metafora e këngës të len pa fjalë, bile edhe sot të mallëngjen :
Pse me qite sonte jashtë o babaloci
T u dhimb buka që m ke dhanë
T u dhimb vendi që kam ndejë
….
Por krushqit vazhdojnë dhe i thonë me këngë nuses :
Çou e merre baben ndrykë
Merre ndrykë banja hallall
…….
Apo një këngë e dëgjuar në një dasëm në Bërdicë:
Ç asht kjo kangë që po jehon
Baba vajzen po marton
Qaj moj bijë tek pragu i shtëpisë
Sot po len ditët e vajzërisë
Qaj moj bijë , qaj me za
Beqaria nuk vjen ma
Por shumë e bukur edhe kënga që nana e adreson për djalin e saj
Kam ba mund e kam hek keq
Kam ba djalin 20 vjeç
20 vjeç e disa muaj
Me i dhanë djalin tjetërkuj
Kam pa në video dasma në Ulqin dhe në Anë të Malit të Ulqinit që më kanë emocionuar shumë. Burra, gra, vajza fëmijë, duke kërcyer e kënduar; shumë gra të veshura me pekte kombëtare disa me hilallek e disa të tjera me veshjen karakteristike të zonës së Anës Malit. Një atmosferë tepër e zjarrtë festive që ndizej që në oborrin e dhëndërit ku bëhej gadi një grup i madh krushqish për të marrë nusen me në krye Bajraktarin, ai pra që mbante flamurin . Por gëzonin edhe plakat që ishin ulur në ballkonin e shtëpisë dhe u uronin krushqve rrugë të mbarë për të marrë nusen, duke uruar që nusja të vijë “ me baft e nafakë”. Një fizarmonikë, një klarinetë dhe një dajre e gjithë orkestra, ku buçiste kënga:
Udhëmbarë or bajraktar
Udha e mbarë or krushku i parë
Na i thuaj nuses ec ngadalë
Udhëmbarë o krushku i dytë
I thuaj nuses ule kryet
….
Marrja e nuses bëhej me vetura ku në krye të karvanit kryesonte vetura me flamurin kombëtar shqiptar.Gjithë rruga vetëm me kangë – Ç farë emocioni! Martohen shqiptarët tone, vëllezerit matanë kufirit tonë që kurrë nuk e harruan shqipen dhe traditat shqiptare!Një pritje madhështore e krushqëve në anën e nuses me dhjetra burra gra duke mos u ndalur muzika asnjëherë Ajo që më bëri përshtypje ishte aktivizimi i jashtëzakonshëm i djelmëve të ri që këndonin dhe kërcenin me pasion, i binin dajres, vallëzonin dhe këndonin me sa fuqi që kishin, te gjithe duke tundur shamija te kuqe me ngjyren e flamurit. Po si të gjithë dinin të këndonin këngët e dasmës e unë mendoj se në Shkodër të rinjve sot ju duken se këto këngë i përkasin të kaluarës dhe nuk e di a dijnë me i këndue.Nuk kam ndjerë emocion dhe ngazëllim më të madh.Buçisnin këngët:
A je ba gadi moj nuse
Kena ardhe për me të marrë
Hilmi Aga na ka çue
Një sahat mos me vonue
…..
Moj nuse e mira jonë
Kur të na vish në saraj tonë
Në saraj të dhëndrit tonë.
…….
Pastaj vazhdonte kënga tjetër
Ç po qet mali xhanxhafil
Ç janë këto krushq që po vijnë
moj Nana ime
Ato vijnë me të marrë ty
Moj bija ime
Mbyllju deren mos ju çil
moj Nana ime
Unë ja hapi dy kapakësh
moj bija ime
……
Kur hynë gratë në shtëpi të nuses me e marrë, nusja kishte veshur vello dhe mbulohej me duvak të kuq, një traditë e kahershme që është përdorë edhe në qytetin tonë e sot po t i vihej ndonjë nuseje do ta quanin primitive. Aspak! Bravo ulqinakë që keni kombinuar modernen me tradicionalen. Mu kujtue edhe darsma jeme dhe shumë dasma të tjera te kushërinjve , të mehallës që tash nuk po bahen me ato tradita. Po pse? Pse mos me shkue me marrë nusen edhe ne siç kemi veprue përpara me gjithë atë gëzim që krijohet deri tek plakat dhe fëmijtë.Po dikur kemi shkue edhe me kamiona dhe sharabajka me marre nusen dhe kur ishte afër shtëpia e nuses shkonim në këmbë. Sa kushton ? Shumë pak një fizarmonikë, një klarinetë , një dajre dhe të gjithë krushqit që këndojnë pa lek. Dikur kemi kënduar edhe vetëm me një ose dy dajre.Po pse u ndalen dasmat tradicionale në Shkodër?Ulqinakët prej nesh i kanë marrë këngët e dasmës, i kanë mësuar, nuk i kanë harruar megjithëse ishin në një shtet jo shqiptar.Ato kanë edhe këngët e tyre por ajo që të bën përshtypje se ato i memorizojnë këto këngë duke i kënduar në çdo dasëm pa harruar asnjë nga ato. Çdo moment kur shkohet me u marrë nusja, kur kendohet në oborr të gjinisë nuses, kur ajo është në oborr, në shkallë, kur vjen nusja në shtëpi të burrit, ka kënget e veta që janë kaq të bukura, të shumllojshme dhe me shumë nuanca të një lirizmi artisk që ngazëllen çdo njeri.Darsmat sot bëhen pak ose aspak ku arsytohet se kanë kosto të lartë dhe çifti mendon që ato lekë ti harxhojë për gjëra të tjera. Shumë kanë të drejtë! Por kështu po humbim këto tradita folklorike të jashtëzakonshme. Pse nuk thjeshtohen apo duhet se s ban me ba konkurencë e me harxhue miliona lek sepse filani apo filanja kanë ba dasëm të madhe? Kam kenë në një dasëm të thjeshtë në Shkodër me afro 50 vetë kryesisht shoqëria e çiftit me një orkestër të vogël dhe me një këngëtar të thjeshtë jo shumë me nam por që na bëri të këndojmë të gjithë. U kënduan së pari këngët tona tradicionale të dasmës pastaj edhe të tjera , kërcyem dhe kënduam të gjithë. A nuk mund të thjeshtohen këto shpenzime e të mos humbim traditen . Si mund të humbë traditat kur nusja hyn tek pragu i shtëpisë së dhëndrit dhe dhëndri e gjuan me karamele, biskota, oriz dhe lek që kënaqte gjithë fëmijet që vraponin ti kapnim. Si mund të humbim traditen kur nuses i vihej një bukë nën sqetull duke e uruar që të ketë ardhur me bereqet, apo tradita tjeter që sa ulet nusja i vihet në preher një djalë e tash edhe një vajzë që presupozon trashëgiminë. Mua më vjen keq se dasmat gjithmonë na kanë gëzuar, si hymen i një jete të re të një çifti që ja urojmë të gjithë. Tash dasmat po i shohim në video me këngë të reja, në salla shumë moderne dhe të kushtueshme, që natyrisht janë të kohës por kjo po penalizon zhvillimin e tyre për familjet e thjeshta. Në Ulqin është një mrekulli të shohësh dhe të ndigjosh dasmen që bëhet në natën e çiftit në një sallë të madhe ku salla ushton vetëm me këngë shqipe të dasmave. Të emocionon momenti kur kengëtari stimulon dasmorët të këndojnë së bashku. Mblidhen para orkestrës vajza, gra dhe shumë djem të ri që këndojnë gjithë pasion.
Ku verove veren o
o lulja e allit
Në majen e malit e verova
Ulu pak në Shkodren tonë
Se ta lagim rranjen o
moj lulja e allit
Të lagim rranjën e t këpusim gonxhen
moj lulja e allit
Kush asht ai që ta këput
Dhendri jonë ai dorë e butë
moj lulja e allit
Këngët “Moj unaza rreth flori”, “Mirë mbrama i Zoti i shtëpisë”, “Sa bukur na ka dalë nusja”nuk mund ti hiqen repertorit të këngëve të dasmave tona që sado të dalin këngë të reja ato mbesin gjallë në folkorin tonë tradicional të mrekullueshëm.
Shkodra ka autorët e vet që e kanë përshkruar shkencërisht dasmën shkodrane, si vëllimi “Valle kombëtare. Dasëm shkodrane” (1943) i Gjon Kujxhisë, monografia e prof.dr. Miaser Dibrës “Ceremoniali i dasmës në qytetin e Shkodrës” (2004) etj apo edhe piktura e Kolë Idromenos “Dasma”
Ndoshta do ju dukej edhe jo e përshtatshme por përse mos të bëhet ndonjë dasem edhe në një nga lokalet e Gjuhadolit ku pjesëmarrja dhe entuziazmi do të ishte shumë festiv. Le që edhe turistët do kënaqeshin me traditat dhe këngët tona, një bonus më shumë edhe për qytetin për të rritur numrin e turistëve por më tepër për tu njohur të huajt me traditat tona
Shkodra fantazon gjithmonë. Mua p.sh më ka pëlqyer marrja e nuses me biçikleta ku biçikleta e parë ishte e çiftit dhe pastaj një mori biçikletash të krushqve ndiqnin atë të çiftit apo marrja e nuses me karroce dore që mjeshtri jonë i shquar i fotografisë, Angjelin Nenshati i ka stampuar në foto. Shiko më pak
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, seguej, biçikletë dhe rrugë. Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, biçikletë dhe seguej. Mund të jetë një imazh i seguej dhe martesë
Burimi/Facebook/Revista Fjala


Leave a Reply