Do të kisha dashur të isha pjesë e një Parlamenti normal, me rregulla, parime dhe vlera, ku prevalon Kushtetuta, ku nuk do të më duhej të bërtisja, të përballesha me gardistë apo me të fortë. Do të doja të diskutonim projektligje e ligje si në çdo Parlament normal europian, të debatonim mes kolegësh dhe jo të shihnim në atë foltore përfaqësues të krimit apo personazhe portokallie të krijuar enkas për shpërqendrim dhe “argëtim”.
Por fatkeqësisht, realiteti në vendin tonë nuk është ky.
Në atë Parlament duhet të luftosh edhe për fjalën se të mbyllin mikrofonin. Duhet të luftosh për interpelancat se t’i rrëzojnë me kartonat e tyre.
Nëse ngre zërin, të përjashtojnë.
Nëse proteston, të arrestojnë.
Nëse denoncon korrupsionin, të kërcënojnë.
Madje shkuan deri aty sa dërguan njerëz të filmonin vendin ku qëndronte gruaja ime dhe fëmijët e mi në Itali teksa unë ndodhesha në Shqipëri, për të më dhënë një mesazh mafioz.
Seancën e kaluar nuk më lejuan as të hyja në Kuvend. Më ndaluan me dhunë, me urdhër të Edi Ramës.
Dje donin të kalonin marrëveshjen duke na trajtuar si kukulla që vetëm ngrenë kartonin.
Problemi nuk ishte marrëveshja, por mënyra si donin ta bënin. Procedurë e përshpejtuar. Asnjë transparencë, asnjë mundësi që opozita të ushtrojë detyrën e saj.
Unë nuk do ta pranoj kurrë që detyra e një deputeti të jetë të ngrejë kartonin sa herë e urdhëron Edi Rama dhe Taulant Balla.
Unë do të vazhdoj të kërkoj llogari për miliardat që u kanë vjedhur shqiptarëve. Për aferat korruptive, për ata që duhej të ishin para drejtësisë dhe vazhdojnë të mbrohen nga pushteti i tyre i korruptuar.
E di që kjo përballje do të bëhet edhe më e vështirë. E di që do të provojnë çdo mënyrë për të na trembur, për të na provokuar, por nuk do ia dalin të na mbyllin gojën.
Këtë betejë do ta çoj deri në fund.
Me çdo kosto, me çdo kusht.
Burimi/Facebook


Leave a Reply