Sot, skena shqiptare ka mbyllur siparin për një prej korifejve të saj më autentikë. Është ndarë nga jeta, për të kaluar në përjetësinë e artit, Todi Llupi, aktori që me dritën e tij shpirtërore dhe talentin e rrallë, shndërroi buzëqeshjen në një trashëgimi të pashlyeshme kombëtare. Ikja e tij lë një zbrazëti të thellë në altarin e kulturës, por na trashëgon një pasuri të pamatë vlerash njerëzore dhe artistike.
Përmes një mesazhi plot dhimbje dhe nderim, Teatri “Bylis” në Fier ka njoftuar:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Todi Llupit, një prej figurave më të spikatura të Estradës Profesioniste të Fierit dhe Teatrit “Bylis”, artistit që për dekada i dhuroi publikut buzëqeshje, emocion dhe art të vërtetë.”
I lindur në djepin e Myzeqesë, në Fier, më 1 mars 1948, Todi Llupi lidhi fatin e tij me skenën që prej vitit 1971, duke u bërë shtyllë kryesore e Estradës Profesioniste të Fierit. Ai nuk ishte thjesht një aktor; ai ishte një anatomist i shpirtit njerëzor. Me një plastikë të jashtëzakonshme dhe një intuitë gjeniale, ai jetësoi qindra role në, komedi dhe skeçe dramatike, parodi, kuplete dhe monologje, pantomima dhe dialogë mjeshtërorë.
Aktrimi i Todi Llupit mbartte aromën e tokës dhe frymën e pastër popullore. Ai e lartësoi dialektin myzeqar në statusin e një gjuhe skenike plot sharm, duke u dhënë zë dhe jetë njerëzve të thjeshtë me një vërtetësi monumentale. Përtej aktrimit, si kupletist dhe parodist, ai shkëlqeu edhe me zërin e tij të ngrohtë e të plotë si tenor, duke gdhendur me nota të arta profilet e tij artistike.
Kush mund ta harrojë kryeveprën e vitit 1982, parodinë e pavdekshme “Do martojmë Malon”? Ajo mbetet një testament i gjallë i gjenisë së tij komike, një interpretim që u rrenjos në kujtesën kolektive dhe e shndërroi atë në një nga artistët më të adhuruar anembanë trojeve shqiptare.
Rrugëtimi i tij i ndritur artistik u kurorëzua me vlerësimet më të larta shtetërore e kombëtare:
Në vitin 1989, ai u nderua me titullin laureat “Artist i Merituar”, si dëshmi e kontributit të tij të hershëm dhe të palodhur.
Më 10 prill 2021, Presidenti i Republikës e dekoroi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, një mirënjohje sublime për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin skenik dhe humorin shqiptar.
Sot, Fieri ka humbur një nga bijtë e tij më të shquar, ndërsa tempulli i kulturës shqiptare ka humbur një nga zërat dhe fytyrat e saj më identitare. Ai që na bëri të qeshim me shpirt për dekada të tëra, sot na la në lot, por me krenarinë e madhe se patëm midis nesh një kolos të tillë.
Drejtoria e Artit, Kulturës dhe Turizmit pranë Bashkisë Fier, i shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta familjes Llupi, kolegëve të skenës, miqve dhe mbarë komunitetit artistik e publikut që e deshi aq shumë.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe arti i Mjeshtrit Todi Llupi! Drita e tij skenike mos u shuajt kurrë!
Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply