Puthja pasionante e Gustav Klimt, një grishje tunduese epshi që drithëron me një dehje të florinjtë
“The Kiss” (Puthja) është një nga kryeveprat absolute të simbolistit austriak, Gustav Klimt. Tabloja, e realizuar me bojëra vaji dhe e veshur me fletë argjendi e floriri, daton në periudhën ndërvitase 1907–1908, një kohë kulti krijues që përkon me “Periudhën e Artë” të artistit.
Piktura përshkruan një çift të përfshirë në një përqafim që kredh tërësinë e tyre, mish e shpirt. Trupat i mbështjell një veshje solemne, e stolisur përmes një stili modern, tepër të ndërlikuar dhe të sofistikuar. Kjo vepër, nga një shqyrtim i gjithpranuar historiografik, konsiderohet si kryevepra e periudhës së hershme moderne.
“The Kiss” është emblema e pakontestueshme e Klimtit. Është një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqësinë e epshme një mantel i florinjtë, i stolisur me një gjuhë mistike e përmes një larmie simbolesh thellësisht erotike. Thua se piktor ka rrëmuar në mitologjitë e të gjitha kulturave për të nxjerrë prej andej mëtimet abstrakte të simbolizmit, ato që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin dhe shkrirjen.
Trupat përthyhen në densitetin e përqafimit; mbërthehen me gishtat e stërgjatë të burrit dhe trupat që zgjaten prej joshjes.
Në ngulmin e tij për të dominuar, burri ka vënë nën pushtetin e tij objektin e joshjes së epërme. Ai është i veshur me një mantel të zbukuruar me motive të ashpra gjeometrike, drejtkëndësha e blloqe të zeza e gri, që dëshmojnë forcën dhe rregullin. Në kokë mban një kurorë prej gjethesh hardhie, simbol i dionizias njerëzore. Fytyra e tij i është fshehur qëllimisht audiencës. Zjo është e përkulur plotësisht për të ofruar puthjen, ndërsa duart e tij mbështjellin me një butësi posesive fytyrën e gruas.
Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gatishmërinë për t’u dhënë. Ajo mban një kurorë me lule dhe fustani i saj i rrjedhshëm është i mbushur me simbole rrethore, sferike e lulëzime organike, një himn për pjellorinë dhe natyrën femërore. Shkrehja e saj lexohet në portretin e kthyer nga drita, një fytyrë e praruar me sy të mbyllur që shpreh një ëmbëlsi grishëse joshjeje. Një krah i saj rrethon qafën e partnerit si shenjë pranimi dhe dorëzanie, ndërsa dora tjetër i jepet një pushimi të butë, e gatshme për të thithur çdo rreze të këtij diellimi shkrirës.
Gjithçka te “The Kiss” është një lojë zjarri, ngjyrash dhe grishjeje përpirëse. Klimt ka shpërfaqur në këtë tablo atë që përfaqëson vetë postulatin e tij jetësor e krijues, sipas të cilit: “I gjithë arti është erotik.”
Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten, si një vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e dashurisë në pikturën e Klimt i ka të përcaktuara qartë pozicionet e veta. Çifti shfaqet i izoluar, i mbyllur në një përqafim intim kundrejt një sfondi ari të sheshtë e kozmik, thuajse të shenjtë, që i zhvesh ata nga bota profane. Të dy figurat janë të vendosura në buzë të një livadhi me lule të egra që përfundon pikërisht nën këmbët e ekspozuara të gruas, një pezulli midis amshimit të artë dhe greminës së pasionit.
Kjo vepër arrin të jetësojë një stuhi ndjesish sa herë që syri i spektatorit ndeshet me epshin e saj të praruar, duke e shndërruar aktin e puthjes në një monument të përjetshëm të shkrirjes njerëzore.
Albert Vataj
Foto nga Wikipedia
Burimi/Facebook


Leave a Reply