– Kujtime nga një lagje që jeton përgjithmonë në zemrën time
Ka vende që nuk harrohen kurrë. Ka rrugica, shtëpi dhe gurë që, edhe kur koha ndryshon pamjen e tyre, mbeten të gjallë në kujtesën e njeriut. Një vend i tillë për mua është lagjja Sharrë e Kavajës, vendi ku linda, u rrita dhe ku hapa sytë drejt botës.
Historia ime dhe historia e familjes sime janë të lidhura ngushtë me këtë qytet dhe me këto rrugica. Familja ime është një familje autoktone në Kavajë prej më shumë se katër shekujsh. Brezat e familjes sime kanë lindur, kanë jetuar dhe janë rritur në këtë qytet, duke lënë gjurmët e tyre në jetën shoqërore, kulturore dhe qytetare të Kavajës.
Para se të vendoseshim në lagjen Sharrë, familja ime kishte banuar në lagjen Skuraj me mbiemrin Kapçiu,me kalimin e vitëve e kthyen mbiemrin nga Kapçiu në Rrugja.Më pas u vendos në lagjen Grykë dhe më vonë u vendos në lagjen Sharrë, aty ku rrënjët tona u ndërthurën me historinë e kësaj lagjeje të dashur.
Në këto rrugica kanë jetuar paraardhësit e mi: babai i Bahushit ;Bahushi babai i Mustafait; Mustafai stërgjyshi im ;Rexhepi gjyshi im dhe babai im Goniu. Ata kanë lindur, janë rritur dhe kanë kaluar jetën e tyre në Kavajë, duke trashëguar nga brezi në brez dashurinë për familjen, vendin dhe njerëzit.
Shtëpia ime ndodhej rreth 200–300 metra larg Xhamisë së Sharrës. Për mua, ajo xhami nuk ishte vetëm një ndërtesë. Ajo ishte një pjesë e shpirtit të lagjes, një vend ku ruheshin kujtimet e brezave tanë.
Për Xhaminë e Sharrës më ka folur babai im i ndjerë, Goniu. Fjalët e tij ishin si një dritare drejt së kaluarës. Ai më tregonte për atë kohë kur aty faleshin banorët e lagjes Sharrë, por edhe njerëz që vinin nga lagje të tjera të Kavajës dhe nga rrethinat e saj.
” Aty janë falur gjyshërit dhe stërgjyshërit e tu, biri im”, më thoshte babai. Këto fjalë kanë mbetur të gdhendura thellë në kujtesën time, sepse përmes tyre unë ndjeja lidhjen time me brezat që kishin jetuar para meje.
Në atë xhami vinin burrat e lagjes me qeleshe, me veshjet e tyre tradicionale dhe me respektin e madh për vendin e shenjtë. Aty vinin edhe nënat tona, të mbuluara me përkushtim e dinjitet, gra të thjeshta e të nderuara, që mbanin mbi supe familjen dhe traditat e tyre.
Pranë xhamisë ishte Çezmja e Sharrës, një tjetër kujtim i paharruar i jetës së lagjes. Aty nënat tona mbushnin ujë me gjyma dhe katruve. Çezmja nuk ishte vetëm një burim uji; ajo ishte një vend ku njerëzit takoheshin, ku shkëmbenin fjalë, ku jeta e lagjes rridhte së bashku me ujin e saj.
Sot, kur kthehem me mendje në ato vite, më duket sikur dëgjoj ende zërat e njerëzve, hapat e fëmijëve dhe zhurmën e ujit të Çezmes së Sharrës që e kanë përjetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.
Por historia e Xhamisë së Sharrës është edhe historia e një kohe të vështirë, kur shumë gjurmë të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të popullit tonë u goditën nga diktatura komuniste. Në vitin 1967, kur regjimi komunist ndërmori fushatën kundër institucioneve fetare, shumë objekte të kultit fetarë në Shqipëri u prishën,një pjes e tyre u mbyllën dhe u tjetërsuan nga funksioni i tyre i mëparshëm.
Xhamia e Qendrës së Kavajës u prish dhe u shndërrua në banjo publike duke i poshtëruar besimtarët Musliman .Sipas kujtimeve të banorëve edhe Xhamia e Sharrës u përdor në një mënyrë si depo grumbullimi që u përjetua si poshtëruese nga besimtarët Musliman, ajo nuk u shemb menjëherë. Ajo u kthye në një depo grumbullimi, një ndryshim që për shumë banorë të lagjes ishte një plagë e dhimbshme në kujtesën e tyre.
Në atë vend ku dikur njerëzit hynin për lutje, ku ishin falur gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, tani grumbulloheshin shishe, kavanoza qelqi, letra dhe sende të tjera për riciklim. Për brezin tim, kjo nuk ishte një pamje e vështirë për t’u kuptuar, sepse ne e dinim nga rrëfimet e të parëve tanë se ai vend kishte pasur një tjetër kuptim.
Unë kam qenë fëmijë në ato vite. Isha vetëm dy vjeç kur xhamia u shndërrua në depo grumbullimi dhe, ndërsa rritesha, e shihja me sytë e mi atë realitet. Për mua ajo ndërtesë mbeti gjithmonë e lidhur me historinë që më tregonte babai im Goniu, por edhe me pamjen që shihja përditë si fëmijë.
Më kujtohen njerëzit që punonin aty në grumbullimin e sendeve. Nga kujtesa ime kanë mbetur emrat e Neti Verrias, Demir Balit dhe Osman Proshkës të cilët ishin grumbullues.
Megjithëse xhamia kishte humbur funksionin e saj të parë, gurët e saj ende mbanin një histori. Ne fëmijët e lagjes, para se ajo të prishej, mblidheshim aty, uleshim te gurët e xhamisë, luanim dhe kalonim kohën. Për ne ishte një vend i njohur i fëmijërisë sonë, një pjesë e peizazhit të përditshëm ku ishim rritur.
Më pas, rreth viteve ’80, xhamia e kthyer në depo grumbullimi u prish dhe në vendin e saj u ndërtua një pallat që qëndron edhe sot. Me prishjen e saj, u zhduk edhe një pjesë e kujtesës së lagjes Sharrë.
Bashkë me xhaminë u prish edhe kopshti që ishte shum pranë Xhamisë ku unë mora mësimet e para të fëmijërisë. Ai kopsht kishte qenë më parë shtëpia e fisit Germani, një banesë e vjetër e bukur me oborr që, sipas kujtimeve tona familjare, u mor nga pushteti komunist dhe u kthye në institucion parashkollor.
Ngjitur me kopshtin ndodhej shtëpia e Harun Rrugejës, pas saj shtëpia e Dylaver Mërhorit dhe më tej banesa të tjera të vjetra të lagjes. Shumë prej këtyre shtëpive u prishën gjatë ndryshimeve urbanistike të asaj kohe dhe në vend të tyre u ngritën pallate. Banorët e këtyre shtëpive u sistemuan në banesa të reja të pallatëve , por kujtimet e oborreve, praqeve dhe rrugicave të vjetra mbetën në zemrat e tyre.
Kështu ndryshoi pamja e Sharrës. U ndryshuan ndërtesat, u ndryshuan rrugët, por kujtesa e njerëzve vazhdoi të ruante atë që koha nuk mund ta fshinte.
Në kujtesën time, pranë Xhamisë së Sharrës ka mbetur e gjallë edhe Çezmja e Sharrës e cila këndohet nga grupi i burrave Kavajë. Ajo ishte një pjesë e pandarë e jetës së lagjes, një vend ku rridhte jo vetëm uji i pastër, por edhe historia e njerëzve që jetonin përreth saj.
Babai im Goniu, xhaxhai im Muhamedi dhe Sami Dobjani më kanë treguar se pranë xhamisë ndodhej kjo çezmë, ku nënat tona mbushnin ujë me gjyma e katruve. Në atë kohë, çezma ishte pjesë e përditshmërisë së familjeve. Gratë e lagjes shkonin aty për ujë, por bashkë me enët e mbushura merrnin edhe fjalët, kujtimet dhe ngjarjet e ditës.
Aty takohej lagjja. Aty dëgjoheshin bisedat e nënave tona, këshillat e grave të moshuara, të qeshurat e fëmijëve dhe zëri i njerëzve të thjeshtë që jetonin me nder, punë dhe respekt për njëri-tjetrin.
Për ne fëmijët, ajo zonë ishte bota jonë e vogël. Rrugicat e Sharrës ishin vendi ku luanim, ku njihnim çdo gur dhe çdo shtëpi.
Sa herë kthehem me mendje në lagjen ku u rrita, kujtimet më vijnë njëri pas tjetrit, të gjalla e plot ngjyra. Më dalin përpara rrugicat e pashtruara me asfalt, portat e mëdha prej druri, shtëpitë përdhese me qerpiç me oborret e tyre dhe pemët që i jepnin jetë e freski çdo stine.
Në kujtesën time kanë mbetur të pashlyera arra e Camemëve, Përroi i Parë dhe Përroi i Dytë,ku në stinën e verës fëmijët laheshim. Kodra e Rexhep Rrugjes, ku sot janë ndërtuar dy depo uji të qytetit, ne pushonim nën hijen e ullinjve dhe mblidhnim karakafte,vende që për ne fëmijët ishin një botë e tërë. Në zallin e përroit kalonim orë të tëra duke luajtur futboll, ndërsa zalli i Rexhep Rrugjes, në kohën e diktaturës komuniste u shndërrua në poligon qitjeje ushtarake.Në
çdo pranverë, në zallin e Rexhep Rrugejës në prag të 14 Marsit, ditës së verës, ne fëmijët shkonim atje një dite përpara për të marrë gjolin, argjilën e butë me të cilën formonim plisa të vegjël sipas traditës. Ishte një ritual i thjeshtë, por që na mbushte me gëzim dhe na lidhte edhe më fort me vendin ku po rriteshim ,kjo traditë vazhdoi deri te tre fëmijët e mij.Anxhela,Gresilda dhe Horgito.
Plepat e lartë dhe akaciet, me hijen dhe aromën e tyre karakteristike, zbukuronin kodrinat dhe brigjet e përroit. Fëshfërima e gjetheve, kënga e zogjve dhe gjelbërimi i natyrës krijonin një peizazh që ende sot jeton në kujtesën time si një pjesë e çmuar e fëmijërisë.Kodra e Ali Beut ishte më e lartë se kodra e Rexhep Rrugejës ku përveç lartësisë ndryshonte dhe dheu i cili kishte ngjyrë kafe.Poshtë dy kodrave ndodhej rezurvari i Fildanishtes i cili shërbente për vaditjen e pemëve ku në stinën e verës shum fëmijë laheshin.Jetonim në diktaturë ,ku produktet ushqimore ishin me tollon por dashuria për njëri tjetrin ishte e madhe.Kjo na bënte të lumtur dhe ta urrenim sa më shumë diktaturen komuniste e cila na kishte rrëmbyer gjithçka .
Guri i vjetër, muri i vjetër, pema pranë oborrit apo rruga ku kalonim çdo ditë, të gjitha kishin një histori për të treguar.
Në kohën kur Xhamia e Sharrës ishte kthyer në depo grumbullimi, ne fëmijët ende e ndienim praninë e saj. Edhe pse nuk kishte më zërin e lutjeve, ajo ndërtesë ishte pjesë e kujtesës sonë. Ne uleshim te gurët e saj, kalonim kohën dhe pa e kuptuar ruanim në zemrat tona një copëz të historisë së lagjes.
Sot, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, më duket sikur humbja e atyre vendeve nuk ishte vetëm humbje e gurëve dhe mureve. Ishte humbje e disa pikave ku njerëzit lidheshin me njëri-tjetrin, ku brezat takoheshin dhe ku kujtesa kalonte nga të moshuarit te fëmijët.
Kavaja ka qenë gjithmonë një qytet me tradita të forta familjare, qytetari dhe besimi në fe dhe në ZOT. Në të kanë jetuar njerëz me bindje të ndryshme fetare, por me respekt të madh për njëri-tjetrin.
Në lagjen Sharrë, si në gjithë Kavajën, njerëzit njiheshin, respektonin njëri-tjetrin dhe ndanin gëzimet e hidhërimet së bashku. Besimi në ZOT ishte pjesë e jetës së njerëzve, por mbi të gjitha ishte njerëzorja që i bashkonte.
Kavaja njihet për traditën e saj për bujarinë,mikpritjen , Besimin në Zot,por një nga vlerat më të bukura të këtij qyteti ka qenë harmonia mes njerëzve. Fqinji ishte i pari që vinte në ndihmë të fqinjit, pavarësisht bindjeve apo prejardhjes fetare.
Kjo frymë harmonie është një pasuri që brezat duhet ta ruajnë, sepse ajo është pjesë e identitetit të Kavajës dhe e historisë së saj.
Kur shkruaj për Lagjen Sharrë, nuk mund të shkëpus historinë e lagjes nga historia e familjes sime. Ato janë të lidhura si rrënjët me pemën.
Familja ime ka mbi katër shekuj që jeton në Kavajë. Në këto rrugica kanë kaluar breza të familjes sime, duke lënë pas kujtime, punë, sakrifica dhe kontribute.
Nga brezi në brez është përcjellë tek ne krenaria për njerëzit e familjes që kanë kontribuar për vendin dhe komunitetin.
Por familja jonë nuk është lidhur vetëm me historinë. Ajo ka dhënë kontribute edhe në sport, art, kulturë dhe jetën shoqërore të Kavajës.
Në çdo brez ka pasur njerëz që kanë lënë gjurmën e tyre. Ata kanë qenë njerëz të punës, tregtarë të ndershëm,të besës, të përkushtimit dhe të sakrificave kur e lypin interesat e atdheut .Kanë jetuar me nder, duke ruajtur emrin e familjes dhe respektin e komunitetit.
Gjyshi im Rexhepi ishte një nga figurat që familja jonë e kujton me krenari. Ai mbarti me vete ndjenjën e atdhedashurisë dhe të përkushtimit ndaj vendit. Në kujtesën familjare ruhet historia e tij si pjesëmarrës në Luftën e Shkodrës të viteve 1912–1913, një periudhë e rëndësishme për historinë e Shqipërisë.
Nga ai brez kemi trashëguar jo vetëm emra, por edhe vlera: dashurinë për atdheun, respektin për njerëzit dhe dëshirën për të qenë pjesë e jetës së qytetit.
Familja ime ka qenë e lidhur edhe me sportin dhe kulturën e Kavajës. Për ne sporti nuk ishte vetëm garë; ishte një mënyrë për të përfaqësuar qytetin dhe për të sjellë krenari për njerëzit tanë.
Xhaxhai im Muhamedi ishte futbollist i ekipit të Besës së Kavajës dhe i Tiranës. Ai ishte pjesë e asaj tradite sportive që e ka bërë Kavajën të njohur në gjithë Shqipërinë. Unë nipi i tij Rexhepi isha pjes e ekipit të parë te Besa e Kavajës për të rritur prej 12 vitesh. Në gjurmët tona vazhdoi edhe vëllai im Iliri, i cili u aktivizua në sportin e mundjes me Besën.
Sporti më ka mësuar disiplinën, respektin dhe vlerën e përfaqësimit të vendit ku kam lindur.
Por familja jonë ka pasur lidhje edhe me artin dhe kulturën dhe bamirsinë. Rexhep Rrugeja, së bashku me dy vajzat e tij, Anxhelën dhe Gresildën, ka sjellë botime letrare duke pasuruar edhe më tej traditën kulturore të familjes.
Librat janë një mënyrë për ta ruajtur kujtesën. Ashtu si gurët e vjetër të Sharrës që ruanin historinë e lagjes, edhe faqet e librave ruajnë historinë e njerëzve.
Në historinë time personale një vend të veçantë zë edhe periudha e ndryshimeve të mëdha që përjetoi Shqipëria në fillimin e viteve ’90,sidomos 25 marsi i vitit 1990 i cili do mbetet në zemrën time si ngjarja më e rëndësishme e asaj periudhe.
Kavaja ishte një nga qytetet e para që u ngrit kundër sistemit diktatorial komunist ku shumë njerëz kërkuan ndryshim, liri dhe të drejta qytetare.
Më 25 mars 1990, në Kavajë u zhvillua një ngjarje që është ruajtur në kujtesën time dhe të shumë bashkëqytetarëve të mi. Në atë kohë, në një atmosferë të rënduar politike, njerëz të shumtë u përballën me frikën dhe presionin e një sistemi që nuk pranonte kundërshtimin.
Unë e kam përjetuar atë kohë si një periudhë të vështirë, por edhe si një moment kur disa njerëz gjetën guximin të shprehnin hapur kërkesën e tyre për ndryshim.
Me 25 mars 1990 unë u bëra zëri i parë i kësaj lëvizjeje,ku me dy gishta lart thërrita i pari
“Liri – Demokraci”
“Enver-Hitler”
“Poshtë diktatura komuniste”
dhe hodha në pistën e fushës veprat e Enverit.Ishte një moment i veçantë ku frika u thye pasi falët kundër sistetimit diktatorial komunist u than hapur në prani të sambistëve,sigurimsave,policëve dhe njerëzve të lartë të partisë që kishin ardhur nga Durrësi e Tirana dhe e kishin mbushur pistën e fushës së stadiumit Besa si asnjëher tjetër. Më pas u arrestova dhe u torturova në mënyrën më barbare ku gjatë torturave çnjerëzore humba disa her ndjenjat.
Për këtë histori kam ruajtur dokumente, dëshmi dhe materiale të ndryshme që lidhen me atë periudhë.
Kjo është një pjesë rëndësishme e jetës sime që nuk ndahet nga historia e familjes sime. Në familjen Rrugeja gjithmonë ka pasur një ndjenjë të fortë për të mbrojtur kujtesën, për të dokumentuar ngjarjet dhe për t’ua lënë brezave të ardhshëm.
Sot, kur mendoj për Xhaminë e Sharrës, për Çezmen e saj dhe për rrugicat e saj arrita të kuptoj se historia nuk është vetëm ajo që ndodh në pallate të mëdha apo në libra zyrtarë.
Për mua, të shkruaj për Xhaminë dhe Çezmen e Sharrës do të thotë të ruaj kujtimin e një bote që nuk ekziston më në të njëjtën formë, por që vazhdon të jetojë në zemrat tona.
Shkruaj për njerëzit që kaluan aty, për zërat e tyre, për duart e nënave që mbushnin ujë, për burrat që shkonin për falje, për fëmijët që luanin në rrugicat e Sharrës dhe për pleqtë që u tregonin brezave historinë e vendit.
Këto kujtime janë pasuria jonë më e madhe. Sepse një qytet nuk jeton vetëm nga ajo që ndërtohet, por edhe nga ajo që kujtohet.
Për mua dhe familjen time, historia e Kavajës është edhe ajo që është jetuar në rrugët e qytetit, në shtëpitë tona, në bisedat me prindërit dhe në kujtimet që kemi trashëguar nga të parët tanë.Babai im Goniu më mësoi të dëgjoj historinë nga zëri i njerëzve. Ai më tregoi për Xhaminë e Sharrës, për Çezmen e saj, për njerëzit e lagjes dhe për kohët që kishin kaluar. Nga ai mësova se një vend nuk ka vlerë vetëm nga gurët që ka, por nga kujtimet që mbart.Ai më mësoi ta dua atdheun e të jap jetën për të kur atdheu është në rrezik ,dhe komunizmin ta urrej e ta sulmoj me gjith fuqitë e mija.
Ashtu si babai im që më la këto kujtime, edhe unë ndiej detyrimin t’ua përcjell brezave të ardhshëm, që fëmijët dhe nipërit tanë të dinë nga kanë ardhur dhe cilat janë rrënjët e familjes së tyre.Kjo pjesë e jetës sime nuk ndahet nga historia e familjes sime. Në familjen Rrugeja gjithmonë ka pasur një ndjenjë të fortë për të mbrojtur kujtesën, për të dokumentuar ngjarjet dhe për t’ua lënë brezave të ardhshëm.
Historia është edhe aty ku një nënë mbushte ujë për familjen e saj.
Historia është aty ku një baba i tregonte djalit të tij për gjyshërit dhe stërgjyshërit.
Historia është aty ku fëmijët uleshin te gurët e një xhamie të vjetër dhe nuk e dinin se një ditë ato kujtime do të bëheshin pjesë e shpirtit të tyre.
Prandaj unë e shkruaj këtë rrëfim. Jo për të kthyer kohën pas, por për të ruajtur atë që koha nuk duhet ta harrojë.
Xhamia dhe Çezmja e Sharrës janë për mua më shumë se një kujtim. Ato janë një urë që lidh të kaluarën me të tashmen, një dëshmi e jetës së njerëzve të thjeshtë dhe një pjesë e pandarë e zemrës sime.
Të drejtat e autorit janë të rezurvuara.
Marre nga blloku i kujtimeve.
Rexhep Rrugeja.03.03.2000




Burimi/Facebook


Leave a Reply