Ka kujtime që koha nuk arrin t’i zbehë kurrë. Përkundrazi, sa më shumë kalojnë vitet, aq më të çmuara bëhen. Disa prej tyre lidhen me prindërit tanë që na rritën ,edukuan dhe na mësuan të shohim botën me sytë e tyre. Ky është një prej atyre kujtimeve që ruaj me mall për babanë tim, Ganiun, i cili sot nuk jeton më, por vazhdon të jetë i pranishëm në mendimet dhe kujtimet e mia. Çdo herë që rikthehem me mendje në Kavajën e viteve shtatëdhjetë, më duket sikur e dëgjoj përsëri zërin e tij dhe shoh buzëqeshjen e tij të ngrohtë, ndërsa më mësonte të njihja qytetin dhe njerëzit e tij.
Ka kujtime që, edhe pse i përkasin fëmijërisë së largët, mbeten të gjalla në mendje sikur kanë ndodhur dje. Ato nuk ruhen vetëm për ngjarjen që tregojnë, por edhe për njerëzit, vendet dhe fjalët që i kanë shoqëruar. Sa herë rikthehem me mendje në Kavajën e viteve shtatëdhjetë, më vjen ndër mend një ditë e zakonshme vere, e cila, falë babait tim, u kthye në një kujtim që nuk e harrova kurrë.
Ishte muaji gusht i vitit 1973. Sapo kisha mbushur tetë vjeç dhe isha fëmija i parë i familjes sonë. Prindërit e mi, Ganiu dhe Hyrmetja, me shumë mund e përkushtim mbanin familjen. Babai ishte marangoz specialist, një mjeshtër i njohur i drurit, i respektuar për duart e arta dhe korrektësinë në punë. Nëna ime, Hyrmetja, punonte specialiste në tekstile, duke thurur qilima e sixhade me mjeshtëri e durim. Nga puna dhe ndershmëria e tyre mësuam që të vegjël vlerën e sakrificës, të përulësisë dhe të respektit për njerëzit.
Në atë kohë familja jonë përbëhej nga pes veta. Vëllai im, Iliri, ishte vetëm pesë vjeç, ende shumë i vogël për të na shoqëruar nëpër rrugët e qytetit, ndërsa motra jonë Elvira ende nuk kishte lindur; ajo do të vinte në jetë tre vjet më vonë, në vitin 1976.Në familjen time jetonte me ne gjyshja jonë Fadilja.
Babai më merrte shpesh me vete, sidomos kur shkonte për të kryer punime druri tek njerëzit tanë më të afërt. Vizitonim shpesh motrën e tij, Hyrmeten, por edhe familjen Gjeçi, me të cilët na lidhnin miqësi dhe respekt i ndërsjellë. Mua më pëlqente ta shoqëroja. Përveçse ndihesha krenar që isha pranë tij, çdo dalje me babanë ishte një mësim i ri për jetën.
Një të diel gushti ai më tha se do të shkonim te motra e tij, pasi kishte disa punime për të përfunduar. U gëzova menjëherë dhe nisa të bëhesha gati. Pikërisht në atë çast në shtëpinë tonë erdhi shoku i tij i ngushtë, Sami Dobjani, i cili e ftoi të pinin një kafe.
Babai iu drejtua nënës:
— Bëje gati djalin.
Pastaj u kthye nga unë dhe më tha:
— Dëgjo, biri im. Në orën nëntë po të pres te “Kafe Gjirokastra”, e cila ndodhet sapo kalon gjimnazin, pranë qendës së qytetit.Dikur në Gjimnazin Medar Shtylla kisha mbaruar klasën e parë .
Fjalët e tij më mbetën në mendje. Kur erdhi ora, u nisa vetëm drejt qendrës së Kavajës. Me kureshtjen e një fëmije tetëvjeçar, sapo kalova mapon mbërrita pranë gjimnazit Medar Shtylla dhe fillova të lexoja emrat e lokaleve. Në atë zonë ndodhej edhe kafeneja ku mblidheshin pensionistët, por sado që kërkoja, nuk gjeja askund tabelën me emrin “Kafe Gjirokastra”.
Ndërsa vazhdoja të kërkoja me sy, dëgjova papritur një fishkëllimë të fortë. Ishte fishkëllima karakteristike e babait tim. Ktheva kokën dhe e pashë të ulur mbi një bordurë pranë lulishtes, shumë afër xhamisë së qendrës së qytetit, aty ku edhe sot mblidhen të moshuarit për të luajtur domino e për të biseduar.
Kur iu afrova, i thashë me sinqeritet në emër pasi babai na kishte mësuar ta thërrisnim në emër.
— Goni , po kërkoja emrin e “Kafe Gjirokastrës”, por nuk e gjeta askund.
Ai buzëqeshi dhe, me qetësinë që e karakterizonte, më tha:
— Biri im, “Kafe Gjirokastra” është pikërisht ky vend ku jam ulur unë.
Pastaj vazhdoi:
— Këtu nuk ka kamarierë, nuk të shërben askush dhe nuk të sjell njeri kafe. Është thjesht një bordurë ku qytetarë të ndryshëm të Kavajës ulen për të pushuar, për të biseduar e për të kaluar orë të tëra me njëri-tjetrin.
Më pas ma shpjegoi edhe origjinën e kësaj nofke popullore.
— Kavajasit, me humorin që i ka karakterizuar gjithmonë, e quajtën këtë vend “Kafe Gjirokastra”. Ishte një shprehje e kohës, e lindur nga stereotipet dhe batutat popullore që qarkullonin ndër qytete. Nuk kishte për qëllim të fyente askënd. Çdo qytet në Shqipëri kishte nofkat dhe epitetet e veta, të krijuara nga humori popullor dhe mënyra si njerëzit e shihnin njëri-tjetrin. Ishte pjesë e folklorit urban të asaj kohe.
Ato fjalë më mbetën gjatë në kujtesë, jo sepse flisnin për një qytet tjetër, por sepse më mësuan se si lindin emërtimet popullore dhe si humori i njerëzve bëhet pjesë e historisë së përditshme.
Nga pas ndodhej Pesëkatëshi .Më tregoi edhe për”Pesëkatëshin”, një tjetër pikë orientimi për banorët e Kavajës. Në katin përdhes ndodheshin restoranti dhe farmacia e qytetit, ndërsa sot në atë vend ndodhet Raiffeisen Bank dhe disa lokale dhe dyqane të ndryshme.
Pesë katëshi e kishte emërtimin pasi në fillimet e para të diktaturës komuniste shum pallate ndërtoheshin me dy -tre kate.Ndërsa pallati i qendrës u ndërtua me pesë kate.Pasi u ngritëm, vazhduam rrugën nëpër qendrën e qytetit. Ai nuk më tregonte vetëm ndërtesat; më tregonte historinë e tyre dhe mënyrën se si qytetarët u kishin vënë emra që njiheshin nga të gjithë.
Më pas mbërritëm te Pallati “L”, i quajtur kështu për shkak të formës së tij karakteristike, që ngjante me shkronjën “L”. Ishte një nga pikat më të njohura të qytetit. Aty sot vendosen njoftimet publike, afishet mortore dhe dikur në një periudhë të caktuar vendoseshin edhe fletë-rrufetë, pranë berbehanes dhe dyqanit të qelqurinave, aty ku sot ndodhet një bankë.
Më pas mbërritëm në mesin e qendrës vendin që quhej “Pesë Neonët”, aty ku ndodhej dikur reklama me pesë tuba neoni, në zonën ku sot ndodhet shatrivani. Emri kishte lindur fare natyrshëm, sepse të gjithë orientoheshin duke thënë: “Te Pesë Neonët”.
Pak më tutje ndodhej “Bufe YLLI “,kavajsit thonin :”Po të pres te kolt”.Kjo shprehi përdorej pasi tavolinat në atë lokal ishin të larta pa karrike dhe njerëzit e pinin kafen ,konjakun apo fërrnetin në këmbë.Atë ditë kuptova se një qytet nuk ndërtohet vetëm me rrugë, pallate e ndërtesa. Ai ndërtohet edhe me kujtime, me emra që lindin spontanisht, me humorin e njerëzve dhe me historitë që kalojnë nga një brez te tjetri. Babai im nuk po më tregonte thjesht Kavajën; ai po më mësonte ta njihja, ta doja dhe ta kujtoja.
Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet nga ajo ditë vere, por sa herë kaloj në ato vende, më duket sikur dëgjoj ende fishkëllimën e babait tim që më thërret nga bordura pranë lulishtes. Njerëzit ndryshojnë, qytetet zhvillohen dhe ndërtesat marrin pamje tjetër, por kujtimet mbeten të pandryshuara. Ato jetojnë në zemrën e secilit prej nesh dhe na rikujtojnë se pas çdo cepi të një qyteti fshihet një histori, një buzëqeshje dhe një copëz e bukur e jetës sonë.
Sot babai im, Ganiu, nuk jeton më, por gjithçka që ai na mësoi vazhdon të jetojë brenda nesh. Ai ishte një prind shembullor, i cili me punën, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij na rriti me dashuri dhe na edukoi të duam familjen, qytetin tonë të Kavajës dhe atdheun. Na mësoi se njeriu vlerësohet jo nga fjalët, por nga puna, respekti për të tjerët dhe dashuria për vendin ku ka lindur.
Nga ai nuk mësova vetëm emërtimet dhe epitetet popullore që i japin ngjyrë historisë së Kavajës. Mësova të dua njerëzit, të njoh të kaluarën e qytetit tim, të respektoj traditat dhe të jem krenar për rrënjët e mia. Çdo kujtim me të është një pasuri që koha nuk mund ta zbehë.
Sa herë rikthehem në ato vende, më duket sikur e dëgjoj ende zërin e tij të qetë dhe fishkëllimën karakteristike që më thërriste. Atëherë kuptoj se njerëzit e dashur nuk largohen kurrë plotësisht. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet, në mësimet dhe në vlerat që na kanë lënë trashëgim. Kjo është pasuria më e madhe që babai im, Ganiu, na la neve fëmijëve të tij, dhe për këtë do t’i jem mirënjohës gjithë jetën.Qofsh i Xhenetit babai im .
Rexhep Rrugeja 04.04.2002




Burimi/Facebook


Leave a Reply