Shtator 2024
Së bashku me nënën do të shkonim në Buzmadh. Zbritëm nga fugoni i linjës Fier–Cakran. Aty do të vinte Petriti për të na marrë.
Përpara nesh ishte një burrë fisnik, me një fizik atleti.
— Fiqiriu! — i thashë nënës.
Pa i folur, i dola përpara.
— Ku vete? — i thashë, duke i vënë dorën në gjoks.
Në fillim më shikoi dhe nuk më njohu. Vazhdova përsëri dhe ai menjëherë u tendos, sikur të ishte djalë i ri. Po të kisha vazhduar edhe pak, do të më duhej të përballesha me të.
Pastaj u kthye dhe njohu Qerimen. U përqafuam me mall. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Na ftoi në shtëpi, por kur i thamë se do të shkonim në Buzmadh, na ftoi menjëherë për një kafe. Aty na u bashkua edhe një shoku i tij, i cili kishte dhënë dy vajza në Drenovë.
Bisedat për familjen e tij, të vogël në numër, por edhe për familjen e madhe të Korçarajve, vazhdonin pa ndërprerje. Në një moment ndërhyri Qerimeja dhe më tha:
— Këta kanë punë dhe ne duhet të ikim.
U përqafuam me Fiqiriun dhe ai na kërkoi që, kur të ktheheshim, të qëndronim për darkë. Mori refuzimin e Qerimes, e cila i tha:
— Kam burrin vetëm në shtëpi.
Ky ishte takimi im i fundit me Fiqiriun.
Gusht 1985
Kisha përfunduar vitin e parë të universitetit dhe Adem Kodheli më mori me vete në vizitat që bënte te miqtë e tij në zonën e Cakranit.
Ndalesa e parë ishte te Dalip Korçari.
Ardhja e Adem Kodhelit ishte një gëzim për të gjithë. Daja vizitonte nipërit e tij dhe ata qëndronin së bashku deri në orët e vona të darkës, duke biseduar.
Pritja dhe atmosfera e krijuar nuk përshkruhen dot me fjalë. Ajo dashuri dhe ai respekt që shfaqnin ndaj njëri-tjetrit sot rrallë gjenden mes nesh.
Në Drenovë, siç thotë populli, edhe për një të shpuar gjilpëre Korçarët do të ishin të gjithë aty. Gëzimi i Adem Kodhelit kur dëgjonte se po vinin Korçarët ishte i pamasë. Edhe më pas, kur ata vinin te i gjithë fisi, atmosfera ishte po e njëjta.
Kushdo nga ne që shkonte në Cakran, kur kthehej thoshte:
— Takova Fiqiriun.
Por tani, kur të shkojmë në Cakran, do të takojmë Pellumbin. Do të takojmë fëmijët, nipërit dhe mbesat e Fiqiriut. Do ta kujtojmë ashtu siç ishte: të ndershëm, fisnik dhe punëtor.
Jemi me fat që patëm një njeri kaq fisnik mes nesh.
Të qoftë dheu i lehtë.





Shkruar nga Arben Hoxhaj


Leave a Reply