Gjuha shqipe ka fjalor të pasur për kafshët shtëpiake. Ka fjalë individualizuese për secilën prej tyre. Të shumtën e herës, me një prapashtesë zvogëluese z e dallon femrën nga mashkulli, kur janë të vegjël. Edh (kec), edhëz – a (keci femër). Qingj (qëngj), qingjëz, – a, qëngji femër. Viç, viçëz – a, viçi femër. Zog, zogëza, – a, zogu femër. Çeli pula, po tashti nuk dallohen cilat janë zogëza. Për mëzin femër, nuk mund të përdorej z, sepse tema e fjalës mbaron me z, ndaj përdoren prapashtesa të tjera. Thuhet mazicë, mazujkë, mazushkë, mëze. Megjithatë edhëz, qingjëz, zogëz (në kuptimin femër e vockël pule), mazicë, mazushkë mungojnë në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, që ka lëshuar në linjë Akademia e Shkencave (FMGJSH).
Ndërsa “gjuhën” e kafshëve shtëpiake FMGJSH e pasqyron besnikërisht. Blegërin, blegëron për delen; vërret, virr për dhinë; pëllet, pall për lopën e gomarin; hingëllin, hingëllon për kalin.
Lëmshi pështillet për faqe të zezë te procesi i riprodhimit.
Sipas FMGJSH, ndërzehet, folje vetvetore, do të thotë “bashkohet femra e një kafshe shtëpiake me mashkullin”. Çfarë nënkupton folja bashkohet, është eufemizëm për mbarset? Thjesht bashkimi nuk është ndërzim. Ato janë kafshë, bashkoji sa të duash, pa i ardhur afshi femrës nuk mbarset, as pula nuk shtrohet me ngrohë vezët kur duam ne, pa i thënë instinkti i vet. Me këtë logjikë fjalia e mësipërme duhet të nënkuptojë “pllenohet femra e kafshës shtëpiake nga mashkulli”. Në qoftë kështu, ndërzehet nuk është folje vetvetore. Asnjë kafshë nuk e pllenon veten, atë e pllenon mashkulli. Folja ndërzehet merr kuptim vetëm si pësore e foljes ndërzen. Si vetvetore jo.
FMGJSH në të tijën se në të tijën. Foljen ndërzej, kuptimin e parë të saj, e shpjegon pa shpjeguar asgjë: “bashkoj femrën e një kafshe shtëpiake me mashkullin, me qëllim që të shtohen”. Siç u tha më lart, bashkimi si bashkim nuk riprodhon, vetëm pllenimi riprodhon. Arsyeja thotë se folja me ndërzye – njësoj edhe foljet me përçitë, me ethë, me dëbue – ka vetëm veten e tretë, ndërzen. Kuptimi: “mbars (mashkulli femrën)”. Çdo shtjellim tjetër, ku ndërzej jepet në vetën e parë, del pa kuptim. Njeriu nuk i ndërzen kafshët!
Kësaj tymnaje nuk i shpëton as folja me ethë. Sipas Fjalorit, kuptimi i eth, në vetën e parë, është “E vë të mbarset (lopën, dosën etj.); mbars”. “Mbars”, në vetën e parë, për lopën, për dosën?! Jo, e pamundur. Njeriu nuk eth lopë as dosë, njeriu nuk mbars kafshë. Eth ka kuptim vetëm në vetën e tretë.
Mbarështuesit e deleve e të lopëve, barinjtë, nuk thonë kurrë i ndërzeva dhentë, i etha lopët. Thonë janë ndërzyer, më janë ndërzyer, m’u kanë ndërzye, u ndërzyen. Përkatësisht janë ethur, më janë ethur, m’u kamë ethë, u ethën.
Ndryshe nga foljet me ndërzye e me ethë, foljet me përçitë e me dëbue FMGJSH i shtjellon me profesionalizëm. Jepen vetëm në vetën e tretë: përçit, dëbun.
Pështjellimi te këto dy folje vjen më pas, te shpjegimi. Sipas FMGJSH, përçit do të thotë “Mbars dhinë, ndërzen (për cjepët)”. Ndërsa foljen përçitet e shpjegon “mbarset dhia nga cjapi, thërpehet, ethet dhia”. Del se të tëra i bëka dhia: përçitet, ndërzehet, thërpehet, ethet. Fjala e urtë e popullit, që shoqëron shpjegimin “Dhia përçitet, cjapit i vjen era” e thotë qartë se dhia përçitet. As ethet, as ndërzehet.
Gjuha nuk i krijon fjalët kot. Për pllenimin e secilës kafshë shtëpiake shqipja ka fjalë të veçanta, të burimit indoeuropian ose të brumit të brendshëm të saj. Delja ndërzehet, dashi ndërzen. Dhia përçitet, cjapi përçit. Lopa ethet, pela dëbuhet, pula shkelet (për pulën ka edhe një folje tjetër, është në Fjalor). Të thuash delja përçitet, dhia ethet, lopa ndërzehet, është pak a shumë si me thanë delja pëllet, kali blegërin, dhia hingëllon.
Në zanafillë këtë lëmsh e ka bërë Fjalori i 1980-ës. Hartuesit e tij me sa duket nuk e njihnin gjuhën e fshatit ose i kishin shpërfillur ngjyresat e saj, ani pse fshati është kopshti më i pasur e më i larmishëm gjuhësor. “Mëkati” i fjalorëve të mëvonshëm, përfshi Fjalorin e madh që ka lëshuar Akademia në linjë, është se i kanë marrë prej baba Fjalorit 1980 me copy paste, pa kurrfarë shqyrtimi kritik.
Së fundi, një imtësi, që bie në sy te folja eth, ku shkruhet “E vë të mbarset (lopën, dosën etj.); mbars”. Në një fjalor nuk ka vend përmbyllja e fjalisë a e shembujve me etj. Në vetë parathënien e FMGJSH nënvizohet: “Me lëndë gjuhësore të detyrueshme, fjalori nuk e njeh përmbylljen me “etj.” në fraza shpjegimesh a vargje shembujsh…”.
FMGJSH kundër FMGJSH!
Burimi/Facebook


Leave a Reply