Kur lindi djali im, Gjergji, babi im erdhi për ta takuar në maternitet. Babin dola ta pres tek stacioni i trenit. E pashë nga larg, hapa krahët dhe i thirra me zë të lartë: “Mirë se erdhe, koleg!”
Babi u ndal. Më pa çuditshëm. Filluam të ecim. Unë vazhdoja: “Si je, koleg? U lodhe, koleg?” Ai vazhdonte të më shikonte çuditshëm, me atë qetësi të tij të veçantë, të atit që ka parë gjithçka, deri sa vuri gishtin në kokë dhe më tha: “Ando, paske rrjedhur?”
Jo, i thashë. Nuk kam rrjedhur. Por të quaj koleg sepse tani, më në fund, jemi kolegë.
Pse? Më pyeti ai.
Sepse tani jemi të dy baballarë i thashë.
Babi buzëqeshi. Dhe pa u menduar dy herë, me atë replikën e tij të hollë, ma ktheu: “Ne nuk jemi kolegë, në fakt, nuk do të jemi kurrë kolegë.
Ti je baba është e vërtetë, por unë tanimë jam gjysh. Kështu shkojnë gjërat, fëmija është gjithmonë një hap mbrapa.”
Kur mbarova librin, babi ishte personi i parë që doja t’ia tregoja dhe mu kujtua kjo historia. Kësaj radhe gjithsesi nuk i thashë se jemi koleg, e mësova leksionin herën e parë.
Tani, përtej humorit, ka dy mënyra për ta lexuar dhe kuptuar këtë histori, në veçanti në kontekstin që na ka mbledhur bashkë sot këtu, por edhe më gjerë të politikës shqiptare.
E para është ajo e të riut që unë isha, i cili me arrogancën e vet, sepse në të vërtetë ishte një formë arrogance, kërkonte të ishte i barabartë me babain e vet vetëm dy ditë mbasi kishte hyrë në rrugëtimin e prindërimit të cilin ai e ecte prej njëzet e tetë vitesh.
Në fakt kjo ishte dhe është akoma sot, treguese e një sëmundje të madhe nga e cila vuan rinia shqiptare.
Sëmundje e injektuar, e ushqyer dhe e zmadhuar nga autokracia e cila ka ngritur në vlerë një antivlerë siç është konflikti midis brezave.
Të rinjtë dhe të vjetrit ballë për ballë në një betejë ku mund të mbijetojë vetëm njëri.
E dyta është përgjigja e babait. Që vjen si shaka por plotë urtësi. Mësim i qetë, i thjeshtë. “Ti je baba, por unë tanimë jam gjysh.”
Një fjali që rikujton hierarkinë e vlerave jo si nënshtrim por si busull.
Këtu gjendet edhe zanafilla e një prej shtyllave kryesore të veprimtarisë sime politike: Lidhja midis Brezave.
Disa mund të thonë: por kjo filozofi e mban të riun gjithmonë një hap mbrapa. E mban të përulur, të varur, të pamundur ta kalojë kurrë të vjetrin.
Unë them të kundërtën.
Edhe kur nxënësi ia kalon mësuesit, dhe ndodh, duhet të ndodhë, ai mbetet përsëri nxënës.
Jo sepse është inferior. Por sepse kjo marrëdhënie e mban të lidhur me burimin e dijes, me rrënjët, me traditën e mendimit mbi të cilën ndërton.
Modestia nuk është dobësi, është mekanizëm i përmirësimit të vazhdueshëm. Si individ. Si parti. Si shoqëri.
Me babain nuk do të bëhem kurrë koleg. Por dëshira për të qenë në lartësinë e shembullit që më ka dhënë ka qënë dhe mbetet një nga motorët më të fortë të jetës dhe vlerave të mia.
Kjo dëshirë është edhe zemra e këtij libri.


Burimi/Facebook


Leave a Reply