Në 27-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, kujtesa historike shqiptare përballet jo vetëm me tragjedinë e mungesës së tij fizike, por edhe me heshtjen e madhe që la pas një prej arkitektëve më të mençur dhe më vizionarë të mendimit politik shqiptar në fundin e shekullit XX, një figurë që çështjen kombëtare nuk e perceptonte si retorikë emocionale kalimtare, por si një projekt afatgjatë të vetëdijes shtetformuese dhe të artikulimit diplomatik të interesave shqiptare në kuadër të dinamikave gjeopolitike ndërkombëtare. Zhdukja e tij më 16 maj 1999, pas daljes nga burgu i Dubravës, mbetet një ndër plagët më të thella dhe ende të pashëruara të memories sonë kolektive, sepse bashkë me të u synua të heshtet edhe filozofia politike e një shqiptarie që kërkonte emancipim përmes mendimit kritik, legjitimitetit historik dhe orientimit strategjik euroatlantik. Për këtë arsye, modeli ukshinian duhet të lexohet sot nga klasa politike shqiptare si një doktrinë e përgjegjësisë kombëtare dhe jo thjesht si simbolikë ceremoniale përkujtimore, sepse në një rend të ri global, ku po riformësohen boshtet gjeopolitike, po ridimensionohen interesat rajonale dhe po sfidohen identitetet politike të kombeve të vogla, shqiptarët nuk mund të mbeten të ndarë në diskurse provinciale, rivalitete elektorale apo kalkulime afatshkurtra pushteti. Trashëgimia intelektuale e Ukshin Hotit dëshmoi se kombet mbijetojnë jo vetëm përmes sakrificës, por përmes aftësisë për të ndërtuar një vizion të përbashkët strategjik, ku diplomacia, kultura politike dhe vetëdija historike bashkohen në funksion të interesit kombëtar. Prandaj, rikthimi i figurës së tij në qendër të diskursit intelektual dhe politik shqiptar nuk përbën vetëm një akt nderimi ndaj një korifeu të mendimit kombëtar, por një domosdoshmëri historike për orientimin e faktorit shqiptar drejt një platforme më të konsoliduar kombëtare, pikërisht në një kohë kur historia kërkon më shumë kohezion strategjik, më shumë maturi diplomatike dhe më shumë besim në vizionin civilizues shqiptar në Ballkan dhe më gjerë.S.A
Burimi/Facebook


Leave a Reply