1. Kur shikon që realiteti tejkalon imazhin që kisha krijuar në vetvete më parë, gjithçka përjetova më 18 e 19 prill 2026 në Asti, shkakton efekte të forta. Edhe mendime, të cilave është vështirë t’u gjesh fillin.
Kur u përurua themelimi i Qendrës Kulturore “Margarita Xhepa”, isha i ftuar. Po ashtu, i ftuar kam qenë edhe në paradat e famshme që organizon çdo vit AssoAlbania Piemonte. Edhe disa koincidenca të tjera të veprimtarisë sime jetësore, me aktivitetet tepër cilësore të organizuara aty, nuk më kanë premtuar të isha mes atyre patriotëve me plot kuptimin e fjalës. U desh aktiviteti “Festival i kulturës shqiptare”, ideuar nga shkrimtari Fatmir Gjata, përkrahur e organizuar nga AssoAlbania Pemonte, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali në bashkëpunim me Fondazione Goria, që gjithçka të shkonte në sensin për të ma përmbushur dëshirën e madhe të isha pjesë në aktivitetin dyditor në qytetin veriperëndimor të Italisë, Asti.
2. Ishin mjediset e Fondazionit Goria, përuruar dy vite më parë në praninë e Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Matarella, referimi i të interesuarve për këtë veprimtari me theks të fortë të përkatësisë, të identitetit, të urave, të horizonteve … Në të gjitha mjediset e muret e vëna në dispozicion të eventit ishin vënë punime të shumta artistike nga etnografia dhe vepra arti të punuara nga artistë të të gjitha fushave të krijimtarisë. Secili kishte impaktin e parë më këtë ekspozim të bërë me shije dhe me kurë nga Elida Gjinaj- Pistulli me stafin e saj, derisa humbnisin në fundin e hollit. Në krahun e majtë ishte salla multimediale me karrige për bashkëbisedimet e në sfond dëgjoheshin tingujt e violinës e pianoforte-s. Në fund ishin disa tavolina ku ishin të ekspozuara libra të shumë autorëve. Nga holli niseshin disa shkallë të gjera që të dërgonin në katet më sipër. Para se të niste aktiviteti, në ato shkallë ishin ulur fëmijë e të rinj me veshjet tona kombëtare, duke dhuruar pamjen e një kartoline të përgatitur me qepje, qëndisma, ngjyra, buzëqeshje rinore. Kudo shikonim persona që mbartnin varur një skedë ku shkruhej “stafi”, të cilët na prinsin, na jepnin informacione dhe na vinin në pozita që ta ndienim veten si në shtëpinë tonë e ta shijonim në maksimum aktivitetin.
3. Rinia. Ajo ishte e para. Nën tingujt e muzikës sonë, mbushën hollin valltarët e vegjël që i kishin përgatitur koreografet e reja, të cilat janë produkt i brendshëm, nga ish-nxënëset e shkollës “Udha e Shkronjave”. Një valle e qetë, një valle epike (Albulena), lëvizjet e bukura, ngjyrat e veshjeve, tundjet e shamive dhe flamurit, duartrokitjet, këngët shoqëruese në kor, vrulli rinor ishin preludi i maratonës së prezantimit të artistëve të fjalës, të formës, të ngjyrës, të modelimit, artizanatit që prisnin mbi kolonat e urave …
Oratorinë e hapi me përshëndetjen e tij Presidenti i Fondazionit Givanni Gori, zoti Carlo Çerrato dhe shprehu konsiderata për komunitetin dhe AssoAlbania, për lidhjet me vendin e origjinës dhe që u është krijuar mundësia të njohin vlerat tona.
– Tungjatjeta e mirë se erdhët! – ishte shprehja e zemrës së Presidentit të AssoAlbania, MArjan Bjeshkza. Në emër të komunitetit në Piemonte dhe të shoqatës që ai kryeson, përshëndeti ngrohtësisht të pranishmit dhe vlerësoi shumë pjesëmarrjen e artistëve. Një nderim të veçantë shprehu për miqtë italianë të Fondazionit dhe përfaqësuesit e gazetës lokale që ishin interesuar të pasqyronin aktivitetin.
– Bashkëpunimi dhe prezenca jonë në këtë festival është motiv krenarie dhe mirënjohjeje, – tha Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, poeti i talentuar Skender Lazaj dhe u përcollit të pranishmëve përshëndetjet në emër të tij e të Lidhjes.
Në një moment gjatë aktivitetit erdhi në aktivitet një Këshilltare e Rajonit Piemonte dhe përshëndeti në emër të instancës që përfaqëson.
4. Nëse më vdes fjala, …
Një nga ideatorët e festivalit, poetja Sabina Darova që ishte prezantuesja e gjithë aktivitetit dyditor, moderoi një bashëbisedim me shkrimtarin e mirënjohur Besnik Mustafaj. Emër tepër i njohur si personalitet i lartë politik dhe njeri i shquar i letrave shqip dhe moderatorja e cilësoi figurë poliedrike, i zoti të unifikojë vlerat e kombit e shoqërisë përmes artit. Kryesisht shkrimtari shprehu konceptet e tij për artin e shkruar, për përvojat e tij si krijues dhe autor i disa romaneve. Në krijimtarinë e tij spikat tema e identitetit, e atdheut, e relacioneve shoqërore. Shpjegoi me pak fjalë ç’është identiteti i një shkrimtari dhe si krijohet ai. Me interes publiku priti edhe disa rrëfimeve të eksperiencave si Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, si deputet dhe Ambasador i Republikës së Shqipërisë në një shtet me autoritet të madh ndërkombëtar si Franca.
– Dua të jem kozmopolit në atdheun tim, – u shpreh me stil në përgjigje të opinionit që e paragjykon pse u kthye në Shqipëri, pasi gjysmën e familjes e kishte nga Franca. Një gjest dashurie e adhurimi për atdheun ky, sepse ka zgjedhur edhe të shkruajë shqip. Autori e konsideron gjuhën mëmë si të vetmen me të cilën arrin të shkruaj gjithçka do e sikur do, edhe pse ka studiuar gjuhë të tjera. Pastaj autori foli për eksperiencat e punës dhe kontaktet me përkthyesit dhe rolin e tyre për hapjen e portave për të shikuar urat …
Për një moment u organizua një tavolinë e rrumbullakët me disa krijues të pranishëm. Aleksandër Shallvari shprehu disa koncepte mbi poezinë. Përkthyesja Sadina Rama e cila përfaqësonte shkrimtarin Luan Rama, foli për përvojat e përkthimit dhe truket të cilat duhet të dihen, që vepra të ruajë më së shumti origjinalitetin. Shkrimtari Robert Shkurti shprehu disa koncepte mbi krijimin e poezisë haiku. Poeti Skënder Lazaj shprehu disa linja mbi të cilat ecën veprimtaria e Lidhjes. Poetja e përkthyesja Valbona Jakova tregoi për të pranishmit rravgimet e saj e tëfamiljes në të kaluarën.
“In quale lingua devo morire!?” (Në cilën gjuhë duhet të vdes!?)
Ky është titulli sa retorik, aq figurativ e sfidues i vëllimit poetik të autores Denata Ndreca, rreth të cilit shkrimtari Fatmir Gjata drejtoi një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë. Interesante ishte përgjigjja e pyetjes së parë që iu drejtua se ç’përfaqëson për të ky vëllim poetik.
– Jam krenare që jam bijë e Shkodrës, – e nisi bashkëbisedimin autorja e poezive në gjuhën italiane. Ajo e cilësoi krijimtarinë e saj një akt dashurie të pamatë ndaj çdo gjëje shqiptare, ndaj Shqipërisë së krijuar nga puna e njerëzve që e duan. Pastaj me një retorikë me tonalitet të afshtë shprehu predispozicionin dhe përkushtimin e poetit ndaj veprës së tij, sprovat që duhet të kalojë e prerjet me bisturi që duhet të durojë, për të krijuar poezi të mbrujtur me materien universale të saj; dashurinë. Pa dashurinë, fjala vdes. Po më vdiq fjala, shënon dhe vdekjen e autorit.
Me kërshëri auditori prezantimin e disa poezive të saj të shoqëruara në sfond nga tingujt me pianoforte. Interpretimi me nota tone të qeta, herë të qeta, herë të trazuara; herë moderato, herë shpërthyese; herë fladuese, herë të zjarrta, elektrizoi të pranishmit.
5. Freski, gjallëri e bukuri i dhanë gjithë pjesës së aktivitetit të ditës së shtunë disa kombinime të përgatitura më parë. Grupi i fëmijëve dhe të rinjve interpretoi edhe dy valle të tjera, “Motrat” dhe “Çapkënia”. Si gjithnjë, kur protagoniste bëhet muzika, për të pranishmit kalohet në një realitet tjetër. Dhe këtë realitet e krijuan violinistja e talentuar, (e cila është edhe drejtuese e kursit të violinës), Alba Rubolino dhe maestro në pianoforte Arjan Daija. Ata interpretuan pjesë orkestrale dhe meloditë e disa këngëve me popullaritet të madh, të cilat u kënduan nga të gjithë.
Moment po kaq të bukur sollën baba e bijë. Babai instrumentist përgatiti instrumentet e tij dhe, fillimisht, interpretoi me virtuozitet dy melodi me violonçel. Pastaj me kitarë shoqëroi një këngë të kënduar nga vajza e tij.
Nga Trieste në skajin lindor të Italisë kishte mbërritur enkas në skajin perëndimor këngëtari vlonjat Neptun Gjati. Me zërin e tij të kristalin, të ëmbël prej tenori, interpretoi një këngë shumë të dashur për publikun italian dhe dy këngë të muzikës së lehtë shqiptare, një ndër to e kompozitorit Gëzim Laro, kushtuar detit.
Në intervale kohore të ndryshme u prezantuan shumë nga shkrimtarët dhe poetët tanë që krijojnë në Itali nga Elona Hysa dhe Pamela Zaganjori. Për secilin autor ishte përgatitur një skedë prezantuese e tendencave, stilit dhe arritjeve të krijimtarisë, shoqëruar në sfond me fotot e tyre. Një skedë e tillë e secilit ishte ekspozuar në mjediset e sallës.
Atmosferë miqësore dhe frymë bashkëbisedimi miqësor sollën ndërhyrjet nga salla. Mes tyre edhe përshëndetja e Koordinatores për Diasporën pranë Konsullatës në Milano, Luljeta Çobanaj. Disa lexuan krijime të tyre e pati edhe ndonjë batutë simpatike, duke e shndërruar aktivitetin në një mjedis mirëkuptimi dhe edukimi të ndërgjegjes shoqërore.
6. Edhe dita e dielë filloi me valle rinie e me shpërthim pranvere. Vlerësim i madh nga autoritetet vendore ishte përshëndetja e një këshilltari Rajonal, i cili përgëzoi organizatorët e artistët për angazhimet e tyre dhe për rolin tepër të çmuar lidhës me dy popujve fqinjë. Piktorë dhe artistë të tjerë bashkë me publikun e interesuar ndoqën me radhë pikturat, objektet e modeluara nga skulptorët, veshjet kombëtare, fotografitë, objektet dëshmi të mënyrës së jetesës dhe artizanatit në kohët e mëparshme. Ndaj panë me kuriozitet dhe vlerësuan edhe pikturat e autorëve @Vida Gavoçi e Faik Skopeci. Disa shpjegime interesante përcolli i pasionuari i fotografisë, Ilir Shahini. Ndërkohë disa autorë të pranishëm shprehën konceptet e mesazhet e veprave të tyre dhe ndonjë mendim profesional e estetik lidhur me aktivitetin e tyre krijues. Tek veshjet tradicionale u ndalën shumë italianë dhe vlerësuan punën e bërë me dorë nga artizane shqiptare, pasi përcjellin me origjinalitet kreativitetin popullor. Me interes ishin ndërhyrjet e skulptorit të talentuar Ylli Plaka, i cili kishte sjellë punime grexo e smaltart, duke cilësuar se në vend të retorikës preferonte metaforën. Publiku vlerësoi edhe fjalët e piktorit nga Maqedonia e Veriut Xhezair Rexhepi, i cili kishte ardhur enkas nga Maqedonia e Veriut. E gjithë panorama e prezantimit të punëve u kthye në bashkëbisedim me artistët. Nga Lidhja merrnin pjesë piktorët Faik Skopeci, Andrea Zanchetta dhe Viola Fusha. Piktorja, tashmë, e mirënjohur Alketa Bercaj kishte sjellë piktura me ngjyra të rafinuara, dhe me penelin e saj kishte realizuar me tocco di classe abstraksione me temë historike mbi emancipimin e femrës.
Një tavolinë e madhe u rrethua nga piktorët, skulptorët, fotografët, për një bashkëbisedim të ngrohtë me moderatorin mjeshtër të komunikimit, Klodian Kojashi. Ai u drejtoi pyetjen e thjeshtë në dukje, por të thellë në enigmat e veprimtarisë krijuese: “Sa të rëndësishme janë rrënjët për një artist?” Rreth këtij argumenti folën të gjithë artistët e pranishëm, duke theksuar rëndësinë si të rrënjëve, pra, origjinës dhe leksioneve që janë marrë në vendlindje dhe horizonteve që hapen gjatë dinamizmit të jetës në dhera të huaja. Bashkëbisedimi u bë tepër i këndshëm dhe dëshira ishte të vazhdonte …
7. Po përmend vetëm pak shifra, për të kuptuar sa i madh e sa i rëndësishëm është realiteti i lëvizjes kulturore të qytetin Asti. Ky realitet është paraprirë nga ideja që pati sipërmarrësi inteligjent, atdhetar, e fsinik Nikolin Gjeloshi. Kjo ide u përkrah pastaj nga një grup që erdhi duke e zgjeruar. Dëshira për të kontribuar financiarisht për kulturën shqiptare, u bë mënyrë manifestimi patriotik. 94 është numri i sipërmarrësve shqiptarë dhe italianë që kontribuan direkt dhe shifra plot respekt mbi 230 mijë euro u materializua. Kështu u përurua Qndra Kulturore “Margarita Xhepa”, e cila është shtëpia e të gjithë shqiptarëve.
Kjo nuk mbaroi me kaq. Presidentët Nikolin e Marjan thanë që po aq sa ishte e vështirë ta ngrinim më këmbë këtë vepër, aq është e vështirë ta mbajmë më këmbë. Për këtë ata thanë meritat i kanë të gjithë ata që punojnë me ndërgjegje të pastër, për t’i dhënë punës gjithçka kanë. Ndaj aktiviteti e kësaj Qendre ka çdo ditë aktivitet; shkollë, kurse të ndryshme për artistët e vegjë, mësim gjuhe për të rritur, për të moshuarit e tj.
8. Gjatë aktivitetit u vunë re organizimet që funksiononin si orkestër perfekte. Secili dinte të bënte shumë mirë dhe me zell detyrën e tij. Secili i ardhur ndiente ngrohtësinë e mikpritjes dhe seriozitetin e rolit të tij. Nuk u mjaftuan me dorën e mikpritjes mbi sup. Me një bujari të pashoqe na servirën në tavolinën e ngrohtë gjatë gjithë kohës.
Mjedisi i Qendrës Kulturore prezanton një copë të bëshme mëmëdheu, një nobelizëm të kontribuesve, hir të lartë njerëzor.
Ndue Shabaku








Burimi/Facebook/LSHASHI – LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE SHQIPTARE NE ITALI ·
Skender Lazaj


Leave a Reply