Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian nuk është një objektiv politik, por një zgjedhje qytetërimi”, deklaroi sot Kryeministri në samitin e diasporës.
Fjali e bukur. Sikur gjithmonë.
Ndërkohë, në jetën reale, çmimet kanë shkuar lart dhe rrogat kanë qëndruar ku ishin. Pensionistët nuk blejnë dot sot çfarë blinin dikur. Familjet me dy paga nuk dinë si do ta mbulojnë muajin e ardhshëm. Dhe gjithnjë e më shumë çifte nuk po bëjnë fëmijë, jo sepse nuk duan, por sepse nuk guxojnë. Kur nuk ke siguri as për veten, si të mendosh për një jetë tjetër që do të sjellësh në botë? Kjo nuk është demografi. Është dëshpërim i qetë.
Nafta? Ndër çmimet më të larta në rajon dhe krahasuar me shumë vende të BE-së, vende ku rrogat janë dhjetëfish më të larta se këtu. Çmimi i karburantit shtrenjtë çdo gjë, transportin, ushqimin, çdo lëvizje të vogël të jetës së përditshme. Por kjo nuk zë vend në fjalimet e podiumit.
Ajri është i ndotur. Ushqimi vjen pa kontroll real, pa standarde, shpesh pa askush që të japë llogari. Importet e pakontrolluara, produktet e dyshimta, inspektimet që ekzistojnë vetëm në letër. Qytetarët ushqehen dhe marrin frymë të gjithë këtë çdo ditë, pa zhurmë pa lajm.
Dhe kur vjen vera, kur shkon në plazh, nuk gjen pushim. Gjen ujëra të ndotura, mbeturina, kanalizime. Plazhet shqiptare janë ndër më të ndotuarat jo vetëm në rajon, por edhe jashtë standardeve europiane. Çdo verë e njëjta foto. Çdo verë e njëjta heshtje.
Shqiptarët nuk kanë pritur më. Kanë votuar duke marrë valixhen në krahë. Qytetet janë zbrazur, fshatrat janë braktisur, lagje të tëra kanë mbetur me shtëpi të mbyllura dhe të moshuar që s’kanë ku të shkojnë. Nuk është emigracion. Është dënim i heshtur ndaj një vendi që është bërë i pajetueshëm.
Kryeministri flet për sisteme që funksionojnë. Ose nuk e di se nuk funksionojnë, ose e di shumë mirë.
Të dyja rastet janë shqetësuese. Sepse ndërkohë që ai flet nga “Olimpi” i tij, me statistika që duken mirë dhe fjalime që tingëllojnë bukur, atje poshtë njerëzit llogaritën nëse u del muaji apo jo.
Dhe nuk mund ta lëmë pa e thënë, ndërkohë që flitet për integrim europian, njerëz të kësaj qeverie por edhe të lidhur ngushtë me këtë qeverisje kanë përfunduar pas hekurave ose në arrati. Kjo nuk është anekdotë. Është pasqyra e sistemit që është ndërtuar.
Integrimi europian nuk shpallet nga podiumi i një samiti diasporani. Fitohet çdo ditë, në çmimin e bukës, në cilësinë e ajrit, në plazhit që mund t’i besosh, në rrogën që të mbulon jetesën, në drejtësinë që nuk zgjedh kë mbron.
Deri atëherë, zgjedhja e qytetërimit mbetet fjalë.
Dhe fjalët nuk paguajnë qiranë.
Fjoralba Dizdari.
Burimi/Facebook


Leave a Reply