E drejta zakonore shqiptare në Shqipëri dhe jashtë sajë në tërësi njifet me emrin Kanuni i Lek Dukagjinit. Ky emër ju vendos në vitin 1933 kur u botue nga kolegët e tij vepra e mbetur në dorëshkrim e Shtjefën Gjeçovit mbi të drejtën zakonore shqiptare. Ai u vra midis Zymit dhe Prizrenit pabesisht në një pritë nga njerëz të paguar nga shërbimet policore me 14 tetor 1929. Miqtë e tij, në respekt të punës dhe përkushtimit për veprën e nisur, e përfunduan me përkushtim dhe dashamirësi maksimale dhe e botuan në vitin 1933. Ky botim përmbante 1263 nene dhe është botuar deri më tani në dhjetë gjuhë të ndryshme.
Gjatë luftës së dytë botërore, Atë Benedikt Dema dhe avokat Emid Tedeskini, realizuan një rikodifikim të kësajë vepre me qëllimin e mirë për të paraqitur një botim të dytë të përmirësuar.
Simbas të dhënave që kemi, ky rikodifikim u mbarua me 14 nëntor 1944. Ndryshimet e vrullëshme politike të asajë kohe, e bënë të pa mundur realizimin e këtij botimi.
Në vitin 1946, autorët e këtij botimi të pregatitur, bënë një kërkesë organeve shtetërore kompetente të asajë kohe për të realizuar botimin por kjo gjë binte ndesh me ideologjinë komuniste që ishte vendosur në vendin tonë dhe leja për botim nuk u dha.
Ky botim e pa dritën e botimit në Botime Françeskane Shkodër në vitin 2018 me këtë titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botim i dytë me himje, shtesa e plotësime prej At Benediktit Dema O. F. M., kodifikue nga Dr. Emid Tedeschini adv.”
Megjithëse më i plotësuar dhe i sistemuar nga ana metodike se botimi i parë, nuk arriti të fitonte të drejtën e publicitetit të botimit të parë i cili tashmë ishte përkthyer në dhjetë gjuhë të huaja.
Në vitin 2025 ishin botuar në kuadrin e kërkimeve për të drejtën zakonore në Shqipëri edhe këto tekste kanunesh të formësuar si të tillë në disa zona të Shqipërisë së veriut:
1. Frano Ilia, Kanuni i Skanderbegut, Shkodër 1993
2. Margaret Hasluck, Kanuni Shqiptar (Ligji i Pashkruar Shqiptar), Lisitan, Tiranë, 2005
3. Ismet Elezi, Kanuni i Labërisë, botimet Kumi, Tiranë 2023
4. Haxhi Goci, Kanuni i Bendës, OMBRA GVG, Tiranë, 2010
5. Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit në varjantin e Mirditës, GEER, Tiranë, 2002
6. Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit varianti i Pukës,Fiorentina, Shkodër, 2019
7. Shefqet Hoxha, E drejta Dokesore në Lumë (Kanuni i Lumës),Tiranë, 2013
8. Xhafer Martini, Kanuni i Dibrës Trashëgimi Etnojuridike, Botimet M&B, Tiranë, 2016
9. Shaban Gjura, Audenarda Balliu, “E drejta zakonore e pashkruar në Çermenikë”, Kanuni i Mustë Ballgjinit, Tiranë, FastPrint & Nerwork 2025.
10. Dr. Martin Camaj, “Kanuni i Lekës. Ligjet zakonore në fiset e Shqipërisë së veriut” (Trieshi, Hoti dhe Gruda), “Maluka”,Tiranë 2021.
Botimi i dhjetë kanuneve që mbulojnë një territor më pak se njëzet mijë kilometra katrore të Shqipërisë së njohur në kufijtë ndërkombëtar e zvogëlon shumë territorin ku ka vepruar dhe është pranuar kanuni i mbledhur nga Gjeçovi.
Ajo që bie shumë në sy gjatë studimit të këtyre kanuneve në kuadrin e të Drejtës Zakonore Shqiptare është fakti që këto kanune edhe pse janë në zona shumë pranë njëra tjetrës kanë dallime thelbësore midis tyre. Në shumë pika këta kanune nuk përputhen me njëri tjetrin.
Kjo gjë të bindë se kanunet kanë karakter fisnorë dhe kanë pësuar shumë ndryshime të vjetra dhe të reja.
Nga studimi i kujdesëshëm që u kam bërë këtyre kanuneve do të bëj një përmbledhje të atyre pikave kryesore që kanë të përbashkëta këto kanune dhe që i japin edhe karakter kombëtar disa problemeve më të rëndësishme dhe më të veçanta:
1. Harmonia ndërfetare, respektimi i pakicave kombëtare dhe pakicave të tjera. Për këtë mund të shkruaj se kovaçi i cili punonte dhe jetonte në zonat e besimit të krishterë, edhe pse ishte i besimit muhamedan, gëzonte mbrojtjen dhe statusin e barabartë me priftin. Askush nuk guxonte ta fyente, ta keqtrajtonte në kurrfar metode dhe as ti cenonte pronën e tij. Edhe të ardhurit në një vendbanim, ngado që të ishin dhe të çfardo kombësie, nëse pranoheshin si banorë të atij vendi, respektoheshin me korrektësinë më të madhe.
2. Nderimi i gruas deri me status të veçantë në kanun. Prifti dhe gruaja nuk lejohej të vriten për gjakmarrje. Gruaja kishte të drejtë të hynte për të ndaluar konfliktin midis palëve në konflikt dhe asnjëra palë nuk guxonte ta prekte. Ajo kishte të drejtë të merrte në mbrojtje “me ndore”edhe njerëz që kishin vrarë dikënd dhe askush nuk guxonte të vriste vrasësin mbasi të ishte marrë në mbrojtje “në besë” nga një grua.
3. Përkushtimi ndaj fqinjit. Në rastet kur fqinji ndodhej në vështirësi të çfardo lloj forme, duhej të ndihmohej nga komuniteti për të kapërcyer situatën.
4. Sjellja me dinjitet me armikun e dobët ose të mundur. Janë të njohura shumë raste kur një person e mundte në duel kundërshtarin dhe kishte mundësi ta vriste, ja falte me dinjitet jetën kundërshtarit të mundur. Njifen raste kur dikush ishte betuar se do ta vriste një person për gjakmarrje, e ka goditur me disa plumba viktimëne tij, njifen raste edhe me dhjetë plumba, por kundërshtari nuk ka vdekur. Atëherë gjakmarrësi me dinjitet i ka thënë: “Unë e bëra detyrën për gjakmarrje por Zoti ishte në anën tënde dhe gjakmarrja është e mbyllur.”
5. Trajtimi me respekt i kufomës së kundërshtarit mbas vrasjes së tij. Në kanunin shqiptar nuk lejohet përdhosja ose coptimi i kufomës së kundërshtarit. Mbas vrasjes nuk duhej lënë përmbys por duhet të vendosej në kurriz me fytyrën lart dhe nuk lejohej marrja e armës së tij. Marrja e armës ishte e barabartë me vrasjen e një personi dhe konsiderohej se duhet të paguhej me një gjak.
6. Trajtimi njerëzor i kafshëve shtëpiake. Qëndrimi ndaj kafshëve të tjetrit ka qenë i rregulluar me kanun. Kishe të drejtë të kërkoje zhdëmtim për dëmin e shkatuar nga kafshët e dikujt tjetër por kafshët nuk mund ti keqtrajtoje. Ato duhet të trajtoheshin njëlloj sikur të ishin të tuat. Gjithshka rregullohej me kanun.
7. Parimet themelore të kanunit vlerësohen edhe sot. Në kanun të gjithë njerëzit janë të barabartë, gjaku i rrogëtarit është i barabartë me gjakun e pronarit, gjaku i ushtarit është i barabartë me gjakun e komandantit.
8. Me kanun, në zonën ku zbatohet kanuni të gjithë jan të barabartë. Bajraktari nuk ka asnjë privilegj në raport me njeriun e thjeshtë. Kanuni nuk njeh as klasa as raca.
9. Prona private është e pa cenueshme dhe e pa tjetërsueshme. Ajo mbrohet me kanun.
10. Liria dhe nderi i individit është e pacenueshme. Askush nuk ka të drejtë ti ndërpresë fjalën ose të fyej cilindo person në publik. Në rastin e shkeljes së këtij neni kanuni parashikon dënime.
11. Organi më i lartë vendimmarrës nuk është bajraktari ose i pari i fisit, është mbledhja e popullit. Me votim vendoset se si duhet vepruar.
12. Në kanun arma është mjeti i fundit për zgjidhjen e konflikteve. Nga 1263 nene që ka kanuni, vetëm në dy raste lejohet përdorimi i armës. Kur dikush vret një njeri, ai duhet të vritej jo si gjakmarrje por si zbatim i një dënimi të parashikuar nga kanuni i votuar me pjesëmarrjen e të gjithë pjesëtarëve të fisit. Edhe në rastin e dhunimit të femrave kur kjo ishte qartësisht e vërtetuar, dhunuesi duhet të vritej. Kjo tregon se sa shumë e merrte në mbrojtje kanuni dinjitetin e femrës. Në asnjë rast tjetër “Çfardo ti bajë shqiptari shqiptarit nuk ka të drejtë me e vra por me e gjykue me pari dhe me pleq. ”Kultura e negociatave dhe falja kanë përparësi para dhunës. Të afërmit e palës së dëmtuar, klerikët, kushërinjtë dhe miqtë ishin gjithmonë pjesëtar të negociatave për pajtim me të gjitha llojet e formave që të mos arrinte puna deri tek armët.
Janë këto vlera që e dallojnë kanunin e shqiptarëve nga e drejta zakonore e popujve të tjerë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply