– Ka të tilla grimëçaste, ato ndodh të vijnë pesë apo gjashtë përnjëherë, kur ndjeni papritmas praninë e harmonisë së amshueshme, që e keni arritur tërësisht. Ajo nuk është tokësore; nuk po them as se është qiellore, por po them që njeriu në trajtën e tij tokësore nuk mund ta përballojë. Duhet të shpërndërrohesh fizikisht ose të vdesësh. Kjo është një ndjenjë e kulluar dhe e pamohueshme. Sikur të ndjeni befas gjithë natyrën dhe papritmas të thoni: po, kjo është e vërtetë. Hyji, kur krijoi botën, në fund të çdo dite të krijimit thoshte: “Po, kjo është e vërtetë, kjo është e mirë” . Ky… ky nuk është mallëngjim, por thjesht, gëzim. Ju nuk po falni asgjë, sepse s’ka mbetur asgjë për të falur. Nuk është se po dashuroni, oh – kemi të bëjmë me një ndjenjë më të epërme se dashuria! Gjëja më e tmerrshme është qartësia e frikshme dhe një i tillë gëzim që të mbush. Nëse do të zgjaste më shumë se pesë sekonda – atëherë shpirti nuk do ta përballonte dot dhe do të duhej të zhdukej. Përgjatë atyre pesë sekondave unë përjetoj një jetë të tërë, dhe për to do të jepja gjithë jetën time, sepse ia vlejnë. Për të duruar dhjetë sekonda, duhet të ndryshosh fizikisht. Mendoj se njeriu duhet të pushojë së linduri më. Për çfarë duhen fëmijët, për çfarë duhet zhvillimi, nëse qëllimi është arritur? Në Ungjill thuhet se pas ringjalljes njerëzit nuk do të lindin më, por do të jenë si engjëjt e Zotit.
F.M. Dostojevski “Demonët”, përkthimi im A.T. (në proces botimi nga sh.b “Pema”, Prishtinë).
Burimi/Facebook


Leave a Reply