Përktheu Yllka Beshirja
Sigurisht që karakteri yt nuk më pëlqente, po ashtu as mënyra jote e të sjellurit, por të doja me një dashuri që ishte më e fortë se dëshira, më e verbër se xhelozia: një dashuri aq e pashërueshme, aq e pasosur, saqë tanimë nuk mund ta konceptoja ekzistencën time pa ty. Ti ishe pjesa e saj po aq sa fryma ime, duart e mia, truri im; të të braktisja ty ishte njëlloj si të braktisja vetveten, ëndrrat e mia që ishin edhe ëndrrat e tua, iluzionet e tua që ishin edhe iluzionet e mia, shpresat e tua që ishin edhe të miat. E ndieja mirë se po të braktisja ty, do të braktisja vetë jetën! Po, dashuria ime për ty ekzistonte, nuk ishte një ide, por një sëmundje, një sëmundje me simptoma që nuk mund t’i radhisja aq lehtë. Nëse u flisja për ty njerëzve që nuk të njihnin, nxitoja të shpjegoja sesa i jashtëzakonshëm dhe i përsosur që ishe, nëse kaloja para një dyqani që shiste kravata dhe këmisha, instinktivisht ndalesha për të parë se cila kravatë apo cila këmishë mund të të pëlqente dhe se me cilën xhaketë të shkonin, nëse haja në restorant, krejt pa kuptuar zgjidhja pjatat që ti preferoje, jo ato që preferoja unë, nëse lexoja gazetën, gjithmonë do të vija re historinë që ty të interesonte më shumë, e prisja dhe ta dërgoja…
Burimi/Facebook/Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar


Leave a Reply