Kur një nënë qan për drejtësi, shteti duhet të turpërohet – sepse kur institucionet heshtin, lotët e qytetarëve bëhen gjyqi i vërtetë i shtetit.
Ajo që po ndodh sot në Rrjoll nuk është zhvillim dhe as rend ligjor. Është një përplasje e dhimbshme mes qytetarëve që mbrojnë shtëpitë dhe tokën e tyre, dhe një sistemi që shpesh shfaqet vetëm me forcën e uniformës, jo me drejtësinë e ligjit.
Banorët e Rrjollit nuk u zgjuan një mëngjes për të protestuar. Për javë me radhë ata folën me qetësi, paralajmëruan, trokitën në dyert e institucioneve, kërkuan dialog dhe ndoqën çdo rrugë ligjore me shpresën se shteti do të dëgjonte.
Por kur qytetari nuk dëgjohet, kur toka që është trashëguar brez pas brezi vihet në pikëpyetje, lind revolta që sot po shihet në sy të njerëzve të Rrjollit.
Arrestime. Kërkime. Procedime.Por pyetja mbetet: a po mbrohet ligji, apo po frikësohet qytetari?
Rrjolli nuk është vetëm një fshat në hartë.Rrjolli është simbol i tokës, i djersës dhe i sakrificës së njerëzve të thjeshtë.Kur preket prona e njerëzve të ndershëm, nuk preket vetëm toka. Lëkundet besimi te shteti dhe drejtësia.
Mbështetja që po vjen nga çdo cep i Shqipërisë tregon qartë se kjo nuk është vetëm një çështje lokale. Është një plagë që prek ndërgjegjen e gjithë shoqërisë.
Protesta e fundit dha një mesazh të fortë: njerëzit nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë drejtësi dhe respekt për pronën dhe dinjitetin e jetës së tyre.
Banorëve të Rrjollit, që po kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, u janë bashkuar edhe qytetarë nga Vlora dhe Mallakastra.
FAKTI HISTORIK – TOKA KA ZOT
Banorët e Rrjollit nuk janë zaptues. Ata kanë dokumente të hershme, regjistra familjarë, kujtesë brezash. Kanë jetuar aty kur zona ishte e izoluar, pa rrugë e pa infrastrukturë. Kur askush nuk interesohej. Sot, kur toka ka marrë vlerë ekonomike, shfaqen projekte dhe vendime që i trajtojnë si pengesë në pronën e vet. Kjo nuk quhet zhvillim nëse nuk respektohet pronari i ligjshëm.
DREJTËSIA QË ZVARRITET
Banorët flasin për procese që zgjasin me vite. Kur një qytetar endet 15–20 vite gjykatave pa përgjigje të qartë, humbet besimin. Rasti i vrasjes së gjyqtarit kohët e fundit ishte alarm për gjithë shoqërinë. Drejtësia e vonuar shpesh perceptohet si drejtësi e mohuar.
INVESTIM STRATEGJIK APO KONFLIKT SOCIAL?
Emra të mëdhenj si Bashkim Ulaj përmenden në debate publike për investime bregdetare. Por çdo investim, sado i madh, duhet të ndërtohet mbi transparencë dhe mbi respektimin e pronësisë. Mos e quani strategji atë që kalon mbi kokën e qytetarit. Mos e quani zhvillim atë që prodhon përplasje.
POLICIA DHE SHTETI
Policia është për qytetarin. Deputetët janë për popullin. Pamjet e përplasjeve dhe lajmi se një person u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk janë thjesht kronikë. Janë tregues të një plage sociale që po thellohet. Shteti duhet të jetë ndërmjetës drejtësie, jo palë tensioni.
NGA HARRESA NË PËRBALLJE
Rrjolli për dekada ishte vend i harruar. Pa rrugë, pa zë, pa investim. Sot, kur ka vlerë ekonomike, ndërhyn administrata me letra, vendime dhe forca rendi. Banorët thonë: “Nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë drejtësi.”
MESAZHI
Mos e provokoni durimin e malësorit.Mos e nënvlerësoni dhimbjen e atij që i cenohet prona.Si dikur Nora e Kelmendit, sot qëndrojnë gratë e Rrjollit – me dinjitet, jo me dhunë.Forca më e madhe e malësorit ka qenë gjithmonë nderi dhe drejtësia, jo përplasja.Kjo çështje nuk është e majtë apo e djathtë. Nuk është katolike apo myslimane. Është çështje shteti. Sepse kur shtypet i ndershmi, lëkundet themeli. E kur lëkundet themeli – rrezikon gjithçka.
Sot Rrjolli kërkon transparencë.Sot Rrjolli kërkon drejtësi.Sot Rrjolli kërkon të mos trajtohet si pengesë në tokën e vet.
O sot kërkojmë llogari si qytetarë të barabartë,O nesër secili do përballet vetëm me padrejtësinë.
Paulin Macaj – Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply