Këmbë kali nuk lëviz. Herë pas here përzgjatet ndonjë hingëllimë si prej fundit të dheut. Gratë shkrijnë borë në kova për ta. Dhe për krejt gjënë e gjallë. Përrenjtë kanë ikur një dimër larg. Shkojnë përfund akullit gjunjas, me frymë të marrun. Përfitojnë nga ndonjë e çarë me shfry një gojë avull, si kuaj të rrënuar.
Ujqit enden llavë. Nëpër net ujqish.
Paradite një ujkonjë e përthime rrëshqiti përskaj Gurit të Pulave dhe hyri në lagjen Partizani. Ecte madhërisht, duke kthyer kryet herë në të majtë e herë në të djathtë, thua kryesonte dërgatën për negociata me qytetin e rrethuar.
– Qyqja, po na hyjnë ujqit në shtrat!
Shitësja e bukës klithi, u zverdh e u lëshua në ndenjëse.
Mirë që mbylle derën moj bijë, i tha më pas vjehrra e fqinjës. Në këtë mot ta bëjnë ujkun jaran. Ke një filxhan kripë hua?
Ujkut ia mbyll derën, po asaj tjetrës çka me i ba? Nuk njeh pengesë, virania. S’i mshel kush derë vdekjes.
Nga kodra matanë mullirit gjarpëron përkrye borës një zë i dridhshëm, epik. Ndonjë mort? Lutuni për të. Gac Gërguri paska ndërruar jetë. I ka dalë shpirti nëpër ag. Pastë dritë!
Ku janë e ku s’janë burrat dredhin rrugë. Duke përgjakur mjekër e faqe, ia nisin gjamës.
– Mjeri unë i mjeri për ty, o vëllau em o vëlla,
O Gac Gërguri!
Me renë plot shkreptima të gjamës në fytyrë e mbi shpatulla, mbërrijnë në oborr të kullës. A thua po na bëjnë sytë? Asnjë shenjë zie!
Gac Gërguri i pret te dera, mustaqet çufrrake dhe faqet të kuqe me pikla si vajzë, sytë i xixëllojnë. Sofra shtruar me meze e raki. Mirë se erdhët e paçi faqen e bardhë, ju mërzita pak, ma bani hallall. Por ndryshe nuk do të më kishit ardhë. Thashë të festojmë deken e dimnit. Ç’vdekje dimri o Gac, dimri është në kulm, pse na solle këtu pash atë Zot. Gac Gërguri cakërron gotën. Ju lumshin kambët e mirë se ju pruni Zoti. Fara jonë asht e fortë. Ky dimën asht dekë e shkue, sa ka zgjatë s’ka me zgjatë!
(nga romani “Piloti i qytetit nën borë”)
Burimi/Facebook


Leave a Reply