“Çdo gjë në jetë ndodh për një arsye dhe çdo gjë është e orkestruar në mënyrë të përsosur nga Inteligjenca e pafundme. Andaj ne vetëm duhet të vallëzojmë me notat e muzikës që kjo Inteligjencë ka kompozuar për ne dhe rrugëtimin tonë, kryeveprën e saj, të quajtur Jetë”. Kështu shprehet Dr.sc. Vlora Obërtinca në librin e saj motivues “Vera e shpirtit”, duke e vendosur theksin tek besimi, harmonia dhe pranimi i rrjedhës së jetës.
Vullneti dhe shpresa përbëjnë energji pozitive që e mbajnë njeriun të fortë edhe në momentet më sfiduese. Janë të rrallë ata njerëz që arrijnë ta rrezatojnë këtë energji tek të tjerët, duke i motivuar pa ndërprerë, madje edhe në çastet e fundit të jetës fizike. Ata e ushqejnë shpirtin me qetësi, durim dhe fjalë të mira, duke i ndihmuar njerëzit të përballen me dhimbjen dhe ta përjetojnë me dinjitet edhe tranzicionin e fundit drejt amshimit.
Kjo formë e veprimit quhet dashuri e pakushtëzuar. Shpirti i njeriut ushqehet me dhënien dhe marrjen e dashurisë. Sipas autores, dashuria përfaqëson frekuencën më të lartë të të menduarit, energjinë më të pastër që ekziston dhe që ka fuqinë të shërojë plagët emocionale, të balancojë mendjen dhe të qetësojë trupin.
Kur shpirti, mendja dhe trupi veprojnë në harmoni dhe në të njëjtën frekuencë, njeriu përjeton një gjendje të thellë ekuilibri të brendshëm. Në këtë gjendje, çdo dëshirë perceptohet si e arritshme dhe çdo ndjenjë merr një dimension më të qartë, më të bukur dhe më të plotë.
Mesazhi i autores është i drejtpërdrejtë: dhuroni dashuri kudo që shkoni. Dashuria nuk është thjesht ndjenjë, por forcë transformuese. Ajo është arma sekrete e shërimit dhe e arritjes së sukseseve të qëndrueshme në jetë.
Burimi/Facebook/Albanian News


Leave a Reply