Për shkak të emigrimit ekstrem, si një plagë e rëndë e kombit tonë, shumë prej pasardhësve tanë që jetojnë në mërgim po përballen gradualisht me asimilimin.
Me kalimin e kohës, një pjesë e fëmijëve nuk lindin më në vendin e origjinës, dhe mjerishtë për turp, mund të vijë dita kur ata nuk do t’a njohin sa duhet prejardhjen dhe historinë e të parëve të tyre.
Shpeshherë, gjatë bisedave, fëmijët e mërgimtarëve kur takohemi pyesin:
Çfarë është kombi? Çfarë është feja?.. Dhe çfarë rëndësie kanë këto për ne?..
Kështu, me fjalë të thjeshta, më është dashur t’u tregoj një shembull që m’u kujtua nga një plak i urtë nga fshati im – i cili dikur më tregonte në kohën kur isha nxënës i tetvjeçares.
Bisedën e të ndjerit e fillova pak më shkurt, sepse të rinjtë e humbin shpejt durimin, ata e duan sqarimin shkurtë qartë. Kështu që unë e kisha ruajtur në kujtime nga jeta ime me disa fjalë të tij të bukura, të thëna me shumë emocion.
Sipas plakut të vjetër e me përvojë nga shumë sfida e luftëra të përjetuara në jetën e vet thoshte:
“Kombi dhe feja janë si nëna dhe babai”.
Janë dy gjëra të ndryshme, që nuk kundërshtohen, por që plotësojnë njëra-tjetrën.
Si mund të themi se nuk na duhet babai dhe të mbahemi vetëm me nënën?..
Apo të themi se mjafton babai e nuk na duhet nëna?..A ka kuptim kjo?..
Kështu vazhdonte me fjalët e veta plaku malësor nga fshati im – njeri pa shkollë formale, por jo analfabet I cili ishte natyrshtë shumë inteligjent, ngase në atëkohë pas luftës së dytë botërore rregullishtë lexonte libra, gazeta, dhe nuk e humbiste aspak kohën e lirë për së koti dhe interesohej për shumë dukuri shoqërore të cilat mund ti hyjnë në punë rrethit të vet ku jetonte.
Ai thoshte se kombi dhe feja janë dy shtylla kryesore që duhet të jenë të dallueshme për ne si popull, ato janë gjithënjë të pranishme në mendjen dhe shpirtin e një populli, pa e përjashtuar e pa e kundërshtuar kurrë njëra-tjetrën si dukuri shoqërore. Dhe thoshte:
Nuk mund të thuash: “Nuk je shqiptar i mirë, nëse beson në Zot.”
Po ashtu thoshte, nuk mund të thuash: “Nuk je fetar i mirë, nëse ndjehesh dhe identifikohesh si shqiptar”. pa dallim nga bindjet tona – besimi apo mosbesimi i individit.
Feja – është zgjedhje dhe pjesë e brendshme e njeriut.
Kombi – është përkatësi e natyrshme që nga lindja si pjesë e identitetit të jashtëm të një shoqërie. Dhe ato nuk janë kurrë në kundërshti me njëra-tjetrën.
Feja – si besim, duhet parë në rrafshin vertikal: Askush mbi Zotin.
Ndërsa kombi – në rrafshin horizontal: “Asgjë para atdheut dhe identitetit tonë kombëtar.”
Dhe sllogani ynë kryesor për njeriun duhet të jetë:
“Askush mbi Zotin, asgjë para atdheut dhe identitetit tonë kombëtar!”, “Sepse zemra dhe kultura jonë jetojnë përtej çdo distance.”
Në thelb, mesazhi i plakut nga Malësia e Sharrit sipas mendimit tim, ishte filozofik dhe identitar, por jo politik. Ai, fliste për ekuilibrin mes fesë dhe kombit – edhepse nuk kishte pluralizëm – jo për pushtet apo ideologji.
Andaj edhe këto fjalë të pëcjellura më kanë lënë gjurmë të pashlyera e të paharruara në jetën time të cilat mund të ju hyjnë në punë ashtu sikurse më ndodhi në një mes të gjeneratave të lindur e rritur jashtë vendlindjes.
Ju përshëndes dhe mirëmbetshi të dashur lexues e miq të nderuar .
Respekte pa fund.
Titulli: Kombi dhe feja
Autori: Prof. Sherif Selami
Vendi: Tetovë, RMV(RNM)
Data: 28.02.2026
Pjesë nga dorëshkrimi “Kujtime nga jeta ime”
Burimi/Facebook/ELITA E POETËVE SHQIPTARË


Leave a Reply