Të shqetësuar për problemet e mëdha që na presin në organizimin e punëve të KUVENDIT KOMBËTAR, të trishtuar për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri, të alarmuar për zhvillimet në rrajon e në botë, menduam të ftojmë veprimtarët e Kuvendit Kombëtar, qytetarët dhe inteligjencën shqiptare,me pergjegjesi kombetare,me kerkesen per te rritur më tej ndjenjën e atdhedashurisë,për të gjetur rrugë e mundësi të reja për t’i shërbyer me devocion kauzës së Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
Jemi të bindur se:
1. Brezi ynë, brezi i atyre që jetuan epokën e komunizmit dhe tranzicionin demokratik nuk duhet të largohen nga “lufta për të ardhmen” pa e thënë fjalën e vet.
“RRNO PËR ME TREGUE” pat shkruar dikur në një vepër të tij epokale, një klerik patriot dhe i dënuar i ndërgjegjes, nga Shkodra e kulturës dhe demokracisë.
Ne mendojmë se brezi ynë e ka për obligim moral, atdhetar e qytetar pasqyrimin e realitetit që përjetuam në komunizëm e demokraci.
Brezi ynë e ka për obligim të gjykojë, vlerësojë e krahasojë zhvillimet në këto dy sisteme ekonomiko-shoqërore dhe të përcjellë mesazhet e nevojshme për brezat që vijnë, për familjet e fëmijët e gjithësecilit.
Për të mbetur përgjithmonë e për t’i shërbyer së ardhmes, këto mesazhe, këto përfundime të eksperiencës sonë shumëvjeçare duhen institucionalizuar, që do të thotë se duhen bërë objekte të analizave e diskutimeve të specialistëve të fushave të ndryshme, e më pas të paraqiten për miratim në KUVENDIN KOMBËTAR SHQIPTAR.
Duhet të organizohemi e duhet të përfshijmë në lëvizjen tonë edhe rininë, pa të cilën ne nuk mund të jemi të suksesshëm.
Jemi të bindur se fëmijët tanë nuk duhet të ikin nga ky vend por duhet të qëndrojnë këtu, për ta bërë të begatë vendin e vet, shtëpitë e trojet e të parëve.
2. Patjetër shqiptarëve u duhet KUVENDI KOMBËTAR.
Në kushtet që kalon Shqipëria sot, me rekorde korrupsioni e kriminaliteti, me një shoqëri të ndarë në qindra e mijëra parti e shoqata, shqiptarëve i duhet një Kuvend Kombëtar, një tryezë e përbashkët, një tribunë e mendimit të lirë, me objekt kryesor interesat tona Kombëtare.
Në këtë Kuvend do të vijnë përfaqësues të zgjedhur me vlera qytetare, intelektuale e atdhetare.
Të drejtën e propozimit e kanë:
-Këshillat Organizative të Kuvendit Kombëtar, të ngritura në rajon e mërgatë.
-Organizatat joqeveritare atdhetare e kulturore shqiptare.
-Familjet e mëdha të shqiptarisë.
-Personalitetet e shoqërisë shqiptare.
3. Tradita e organizimit të Kuvendeve Kombëtare Shqiptare.
Duhet thënë se ideja e organizimit të Kuvendit Kombëtar Shqiptar nuk është një zhvillim i ri.
Ajo mbështetet në historinë e shqiptarëve, në traditën e tyre kombëtare.
Sa herë që kanë qenë në vështirësi, shqiptarët janë mbledhur në Kuvendet e Tyre, kanë biseduar e kanë marrë vendime të rëndësishme e jetike për fatin e vet e të ardhmen e kombit shqiptar.
Pa u futur thellë në histori, kemi Kuvendin apo Beslidhjen e Lezhës, Kuvendin e Mërkisë, Kuvendet e Malësisë së madhe, Kuvendet e Labërisë, Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kuvendet apo tubimet e pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
Jam i mendimit se në fazën që kalojnë shqiptarët, sot, me shumë rreziqe mbi krye, me një klasë politike të korruptuar që ka punuar 35 vjet për xhepat e vet, të pambrojtur nga agresioni tradicional i fqinjëve, në kushtet e një emigracioni të frikshëm, të imponuar nga politikat e gabuara ekonomike si dhe nën presionin e shovinizmit sllavogrek, mbajtja e një Kuvendi Kombëtar është nevojë dhe domozdoshmëri historike.
4. Ideologët dhe Iluminati.
Per fat të keq, pavarësisht gjendjes ku ndodhet kombi shqiptar, indiferenca është bërë tipari dallues i shoqërisë.
Nën presionin e politikës, veprimtaria e shoqërisë civile është asfiksuar.
Njerëzit kanë frikë të dalin hapur në mbrojtje të interesave të tyre dhe rrallë herë organizohen e ngrenë zërin për ato të drejta që u takojnë.
Ka njerez apo intelektualë që nuk organizohen sepse kërkojnë sisteme referimi e janë në kërkim apo në pritje të ideologëve dhe Iluminatit.
Jemi të mendimit se Rilindja Kombëtare Shqiptare i pati ideologët e vet.
Me punën dhe kontributin që ata dhanë, janë edhe sot, modele për lëvizjen kombëtare.
Ata ndriçojnë rrugën e të gjithë veprimtarëve shqiptarë që e duan Kauzën kombëtare dhe vendin e vet.
Inteligjenca jonë në vendbanimet shqiptare në Ilirik si dhe në diasporë, së bashku me veprimtarët e çështjes kombëtare, janë Iluminati i Kauzes sonë, janë ata që do të mbështesin e përkrahin me forcë, mbajtjen e Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
5. Rezolutat dhe Asambleja kombëtare.
Të gjithë ata që kanë dëgjuar për lëvizjen tonë për organizimin e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, kanë qenë kuriozë të dinë se cilat janë objektivat e këtij Kuvendi.
Ideja ka lindur menjëhere me themelimin e Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile-USHC, më 7 maj 2014.
Kjo ide më vonë është elaboruar në takime të ndryshme edhe me organizata të tjera, si dhe personalitete të shoqërisë sonë, duke i publikuar në shumë vendbanime shqiptare në rajon e mergatë, si në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Prizren, Lezhë, Gjirokastër, Kaçanik, Gostivar, Shkodër, Ulqin, Tropojë, Strugë, Gjermani, Zvicër etj.
Veprimtaritë më të mëdha janë zhvilluar në Tiranë dhe në Prishtinë.
Vendimi për organizimin e Kuvendit Kombëtar Shqiptar konkretizohet në Gjirokastër më 19 Qershor 2021 në studion e ALPO-TV, ku një grup përfaqësuesish nga organizata të ndryshme në vendbanimet shqiptare dhe në diasporë, pranuan e miratuan tezat e KUVENDIT KOMBËTAR SHQIPTAR.
Ndërkohë, veprimtaria e organizuar fillon më 14 maj 2022, menjëherë pas zgjedhjes së Këshillit të Përgjithshëm Organizativ të KKSH-KPO.
Me zgjedhjen e KPO si dhe Këshillave Organizative në rajon e mërgaë, filluan përgatitjet për organizimin e Kuvendit Kombëtar.
Në Kuvend janë parashikuar të marrin pjesë 300 delegatë, të cilët do të zgjedhin Asamblenë Kombëtare, Kryesinë-Këshillin e të urtëve, si dhe do ti japin shoqërisë shqiptare, politikës vendore e asaj ndërkombëtare, Rrugën ku duhet të ecë shoqëria shqiptare në të ardhmen, si dhe Rezolutën e Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
Rezoluta si dokument themelor i Kuvendit të shqiptarëve do të ketë në qendër BASHKIMIN KOMBËTAR SHQIPTAR.
Jemi të mendimit se të gjitha qendrat e vendbanimeve shqiptare në rajon e veçanërisht Tirana, duhet të japin shembullin e organizimit e realizimit të Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
Tirana është Piemonti i Shqiptarëve e tek ajo i kanë sytë shqiptarët në tërë botën.
Në Tiranë sot, pavarësisht hemoragjisë së emigracionit, ka ende shumë forca intelektuale, ka ende shumë energji që duhen zgjuar, organizuar e vënë ne lëvizje.
Ne mendojmë që menjëherë pas takimit të parë të Komisionit Qëndror për organizimin e KKSH, në kryeqytetin Tiranë të organizohet një takim konsultativ me intelektualë të mirënjohur, kryesisht nga Tirana dhe rrethet për t’i vënë në dijeni për idetë, tezat, platformën, emërtimet e temave te Rezolutes se Kuvendit Kombëtar si dhe hapat që janë hedhur deri më sot.
6. Intelektualet e vërtetë i thërret koha për t’u vënë në krye të punëve në këto ditë të vështira që kalon Kombi Shqiptar.
Prej 35 vitesh në tranzicionin e gjatë, le ti themi demokratik, inteligjenca shqiptare nuk e ka gëzuar statusin e vlerave që ka patur dhe nuk është vlerësuar për kontributin që ka dhënë për vendin e vet.
Njerëzit e ditur e profesionistë të shquar janë mbajtur larg politikës e vendimmarrjes.
Kësisoj, në administratën e shtetit shqiptar, në institucionet e të gjitha llojeve, në qeveri e parlamentin e Shqipërisë, kanë mbretëruar e mbizotëruar militantizmi dhe njerëzit e klaneve e tarafeve pranë politikës.
Në jo pak raste, në pozicione të rëndësishme, të ekonomisë, kulturës e vendimarrjes janë emëruar njerëz të korruptuar, të inkriminuar apo të lidhur me krimin.
Inteligjenca e vërtetë, e braktisur, e fyer, e keqpaguar, është strukur. Ajo ka mbetur mënjanë zhvillimeve e vendimmarrjes.
Sot në Shqipëri, inteligjencën e nderojnë dhe e dëgjojnë formalisht e në fakt as e pyesin dhe as e konsiderojnë për asgjë.
Në këto kushte, inteligjenca shqiptare duhet të zgjohet e të vetëorganizohet.
Më të mirët e saj duhet t’i bashkohen udhëheqjes së lëvizjes për organizimin e Kuvendit Kombëtar Shqiptar.
7. A janë kushtet për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar Shqiptar?
Zhvillimet politike në botë, kriza ekonomike e morale që ka përfshirë shumë vende në të gjithë kontinentet, pandemia që vrau me miliona njerëz, nuk e favorizojnë lëvizjen për organizimin e Kuvendit Kombëtar.
Nga ana tjetër, ne mendojmë se pikërisht në këto kushte, popujt që janë në udhëkryq e që kanë probleme të pazgjidhura kombëtare, si ne shqiptarët, duhet të ngrihen në këmbë, të organizohen e të shohin drejt së ardhmes.
Takimet e zhvilluara nga përfaqësues të KKSH në shumë qytete në vendbanimet shqiptare në rajon flasin qartë se njerëzit nuk e kanë humbur shpresën.
Ata duan dhe mund të organizohen për nevoja të mëdha kombëtare.
8. Monopoli i politikës e ka zënë për fyti jetën e shoqërisë shqiptare.
Pa u marrë me diktaturën, për të cilën janë bërë e do të bëhen analiza pa fund, në këto 35 vite demokraci, ndryshe nga ç’pritej, politika shqiptare e monopolizoi në të katër anët, jetën e shoqërisë shqiptare.
Me rrotacion, herë e majta e herë e djathta, të gjithë u futën nën diktatin e politikës.
U politizua administrata shtetërore, ushtria, policia, media, drejtësia, shërbimet, tenderat, ankandet, politika e jashtme, çështja kombëtare.
Të gjitha u futën nën brazdën e politikës dhe vazhdojnë të marrin urdhëra prej saj.
Në këto kushte, të pavarurit u bënë gjallesa të rralla në zhdukje e sipër dhe shoqërisë civile i humbi fara e nishani gjithëandej.
Ja, për të gjitha këto arsye e për shumë të tjera që nuk i thamë dot, ne duhet të shkojmë të bashkuar drejt një tribune kombëtare, drejt një Institucioni të pavarur të Shoqërisë Shqiptare.
Ne nuk duhet të ndalemi, duhet të shtojmë rradhët patjetër, të organizohemi e të shkojmë drejt KUVENDIT KOMBËTAR SHQIPTAR.
Mirënjohje për të gjithë.
KOMISIONI QËNDROR I ORGANIZIMIT TË KUVENDIT KOMBËTAR SHQIPTAR.
Tiranë-Prishtinë-Shkup-Janinë-Ulqin-Preshevë.
Më 17 shkurt 2026.
Burimi/Facebook


Leave a Reply