Ndoshta e teprojmë, madje pak si tepër, kur trajtojmë disa tema të vështira dhe u prishim terezinë dy kategorive miqsh: atyre që na miratojnë mendimin dhe atyre që nuk na miratojnë.Të jemi të sinqertë: Facebook-u nuk është gazetë apo media partiake ku duhet të bëjmë propagandë. Ky fenomen është bërë tashmë tepër i dhunshëm, i pamoralshëm dhe imponues. Sa hipokrizi shfaqet nëpër lloj-lloj statusesh!
Nuk dëshiroj të përmend emra, sepse nuk e kam atë të drejtë. Por kur flasin për liritë njerëzore disa persona që gjithë jetën e tyre kanë vrarë, përsekutuar e masakruar shqiptarët, kjo nuk durohet. Nuk durohet gjithashtu kur i sheh të rrethuar nga një kategori sociale që, në vend të kokës, kanë dallkaukë që kthehen nga fryjnë erërat e interesit.
Ekziston edhe një kategori tjetër: njerëz që në Monizëm bënin “palle ariu”, gjoja të përkushtuar pas direktivave të Partisë së Punës, ndërsa në Demokraci u shndërruan në transvestitë ideologjikë. Dikur shkrimtarë, mjekë, aktorë, profesorë… Sot, po të hysh në profilin e tyre, janë antikomunistë të tërbuar që i bien legenit sipas avazit pseudodemokratik.
Më vjen të qesh kur shoh një person që demaskon nomenklaturën e kuqe, ndërkohë që në atë kohë punonte aktor në radio, në emisionin “Heroizmi i popullit tonë ndër shekuj”. Që fëmijë e mbaj mend atë emision, me sfondin e suferinës që frynte me fishkëllimë. Ai aktor ka interpretuar role komunisti e deri komandant lufte. Sot përpiqet të na mbushë mendjen për të zezat e komunizmit.
Shpesh kam dashur t’i shkruaj një koment: nuk është as ai dhe as të tjerë si ai që mund të na japin leksione morali. Këta dallkaukë pa fytyrë sot i gjen politikanë, ambasadorë, ministra, madje edhe kryetarë partish, që ngrehen si “çlirimtarë” e “shpëtimtarë” të popullit.
Në të vërtetë, kjo kategori e larushitur është ajo që dikur, në atë sistem, ishte në rolin e sallos së derrit dhe jallisë – njerëz që të merrnin në qafë për një fjalë goje. Parazitë që vegjetojnë me limfën e pushtetit, si shushunja e këpusha, mjeshtër në helmimin e atmosferës.
Mos harroni, të nderuar miq: shoqëria shqiptare kurrë nuk është ndarë sipas koncepteve filozofike apo prirjeve kulturore. Dy janë kategoritë kryesore: shqiptarë të mirë dhe shqiptarë të ligj. Por kjo kategori e të ligjve është e mbushur me prototipa monstruozë, pa virtyt, plot me vese, intriga, dallavere e pabesi.
Boshti rreth të cilit rrotullohet qenia e tyre është mosmirënjohja. Janë pa moral e pa principe. Dinë të shfrytëzojnë me skrupulozitet konjukturat sociale për interesa të ngushta.
Fatkeqësisht, injoranca dhe naiviteti social dominojnë tek mjaft shqiptarë, që bëhen viktima të përçarjes, krimit dhe propagandës antikombëtare. Kjo është më e frikshme se vetë frika, sepse kjo kategori është garnitura që rrethon “Njëshin famëkeq” – një lloj “shumice” lehtësisht e manipulueshme në shërbim të një 97 tjetër.
Burimi/Facebook


Leave a Reply