Në Korçë u ndez një dritë e rrallë,
me libra shqip e zemër zjarr,
kur fjala shqipe ishte mall,
me poezitë dhe dijen e tij e mbajti gjallë.
Diktatura komuniste u mundua t’ia fikte idealin,
me besimin në Zot dhe me vepra të mira, Hafiz Aliu i bëri ballë djallit.
Për bashkimin e trojeve shpirti i digjej flakë,
për gjuhën shqipe që flinte në plagë.
Mësues i parë i shkollës shqipe,
mendjet e shqiptarëve ia ndrite,
pena jote dridhej për Kosovën e Çamërinë,
qante me lot e dhimbje për lirinë.
Trimat i ngrite në vargje krenarie,
kundër shpatave serbe, kundër robërie.
Shqipërinë e deshe të madhe, të bashkuar,
të fortë, të lulëzuar, si gjënë më të çmuar.
Dhe fjala e tij s’pranoi të shitej kurrë,
para frikës e dhunës s’u përkul, qëndroi trim, i fortë dhe burrë.
Komunizmi e ndoqi, se nuk e duronte dot,
se mendja e tij ishte e lirë, e kthjellët, me besimin në Zot.
E dëboi në Kavajë, djemtë ia prangosi,
por shpirtin e dijetarit s’arriti ta burgosi.
Kavaja e deshi si birin e vet,
e nderoi dijetarin në gjallje e deri sa ndërroi jetë.
Për në banesën e fundit, në këmbë u ngrit e gjithë Kavaja,
me arkivolin në krah, në heshtje ecte nëpër rrugicat e saja.
I gjithë populli e përcolli, me dhimbje e me nder,
në kodrën e qytetit u preh në paqe njeriu me vlerë.
Por emri i tij me dhe s’u mbulua kurrë,
pena e tij e artë mbi çdo kohë është flamur.
Vepra e Hafiz Ali Korçës kurrë nuk vdes,
rron në ndërgjegje si atdhetar, si poet e si mësues.
O Hafiz Ali, o burrë i kombit,
pena jote s’u thye kurrë.
Kosova qan në vargjet e tua,
Çamëria të ka flamur.
O Hafiz Ali, mësues i lirisë,
në Kavajë prehesh sot me nder,
por fjala jote rron përjetë,
si dritë që s’fiket asnjëherë.
Gresilda Rrugeja, 08.08.2020
Shënim biografik
Hafiz Ali Korça lindi në Korçë më 5 prill 1873 dhe vdiq në Kavajë më 31 dhjetor 1956.
Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, është edhe Hafiz Ali Korça. I rritur në një mjedis patriotik, fetar dhe kulturor korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë që e ngritën lart emrin e tij. Për këto arsye, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20-vjeçare, u internua në Sinop, sepse gjatë udhëtimit me trenin Sofje–Stamboll iu kapën libra shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900 u internua në Anadoll për veprimtarinë e tij në Mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë.
E gjejmë pjesëtar në Komisinë Shqype në Shkodër. Më pas, Kabineti i Talat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit”. Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës.
Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e saj. Aty dha pa pagesë edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.
Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, si: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.
Ai shërbeu si mësues në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës; ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës; këshilltar dhe Drejtor i Përgjithshëm në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali (1914); pjesëmarrës në Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër (1916–1918); si dhe Drejtor i Arsimit për Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin (1916).
Thënie të zgjedhura të Hafiz Ali Korçës:
Për Shqipërinë u përpoqa sa flijova jetën time; nuk tregohet se sa hoqa, se shteti m’i njihte krimet.
Nuk duhet ta mbushim gjuhën tonë engjëllore me gjemba e me ferra që nuk i qërojmë dot më vonë.




Burimi/Facebook/Rexhep Rrugeja


Leave a Reply