Nga Irdi A. Zjarri
Që kur u emërua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Znj. Sala sillet sikur po administron një sistem shëndetësor luksoz, me buxhet të pakufizuar dhe pacientë që zgjedhin barnat sipas preferencës, jo sipas xhepit, duke harruar se Shqipëria nuk është Romë, ashtu si QSUT nuk është “Gemelli”, dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë as pagat, as sigurimet, as luksin për të financuar eksperimente klienteliste përmes “rimbursimit”.
Rritja absurde e çmimeve të barnave, ku në disa raste shkojnë deri në 4000%, (siç është rasti i Cefazolinës, një medikament me përdorim të gjerë për trajtimin e infeksioneve bakteriale serioze të lëkurës, rrugëve të frymëmarrjes, kanalit urinar, etj) nuk mund të shitet si “reformë”, por si shkëputje brutale nga realiteti social dhe ekonomik i vendit. Kjo “reformë” është akt që nuk i shërben asnjë pacienti, por e përdor pacientin si justifikim për të mbushur xhepat e dikujt tjetër.
Në një vend si Shqipëria ku pensionisti zgjedh midis ilaçeve dhe bukës për të mbijetuar, Ministria e Shëndetësisë vendos të shtrenjtojë barnat pa transparencë dhe pa konsultim. Por zgjedh ta bëjë në heshtje, gjatë fundjavës dhe me shifra që nuk ka treg, apo standard europian që ta shpjegojë.
Ndërkohë, pamundësia ekonomike nuk na bën të blejmë barna “premium”, por na detyron të heqim dorë nga trajtimet, ashtu sikurse ky rimbursim i fryrë ndihmon kompanitë farmaceutike që përfitojnë diferencën, jo qytetarin e varfër që mezor mbyll muajin.
Kjo situatë na dëshmon se nuk ka më politika shëndetësore, por seleksionim preferencial dhe kur ndodh pa shpjegim publik, dyshimi që ngre secili nga ne nuk është dashakeqësi, është detyrim qytetar.
Prandaj Ministrja Sala duhet të kuptojë një gjë parësore, që sistemi shëndetësor shqiptar nuk është vitrinë për të shitur ilace me çmime luksi. Është mbijetesë. Dhe çdo vendim që e trajton si laborator për interesa të ngushta është politikisht cinik dhe moralisht i papranueshëm.
Nëse qëllimi i rimbursimit është shëndeti publik, atëherë transparenca është kusht, nuk është opsion. Sikundër nëse ka të bëjë me “rregullimin e tregut”, atëherë pacienti nuk mund të jetë kolateral i shtetit. Ashtu sikurse nuk mund të shiten nesër interesat ekonomike si gabim administrativ, sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
E them sërisht që dikush duhet t’ja thotë ministres Sala se Shqipëria nuk është Romë dhe QSUT nuk është “Gemelli”… Ndërsa qytetarët shqiptarë nuk janë bankomat për politika të errëta.
Sa më shpejt ta kuptojë këtë, aq më pak e kushtueshme do të jetë shëndetësia për të gjithë ne.
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply