Ajo ecte nëpër kalldrëmet e rrugicave të qytetit, e mbuluar me perçe, dhe njerëzit ndalonin me kureshti:
“Është ajo, mësuesja Shefikat… po shkon në shkollë. Është shumë e mirë.”
Në gjysmën e parë të shekullit XX, në një kohë obskurantizmi dhe fanatizmi, ishte e rrallë që një grua myslimane të bëhej mësuese e nderuar. Edukimi atdhetar i marrë në familje e shtyu Shefikat Narazanin të linte Turqinë, atdheun e saj të dytë, dhe të kthehej në Shqipëri, në Elbasanin e dashur, për t’i shërbyer gjuhës shqipe.
Elbasani, kryeqyteti i arsimit shqiptar
Falë hapjes së Normales më 1 dhjetor 1909, Elbasani u shndërrua në kryeqytetin e arsimit shqiptar. Në një kohë kur injoranca sundonte jetën shoqërore, kishte edhe gra që dinin shkrim e këndim me alfabetin e Stambollit dhe që guxonin të ndriçonin mendjet e vajzave shqiptare.
Mes tyre ishte edhe Shefikat Narazani, pjesë e një brezi grash naimjane që luftuan për arsimin e femrës shqiptare.
Dëshmia e Mynevere Zaimit
Mësuesja veterane Mynevere Zaimi, një nga dëshmitaret e gjalla të asaj kohe, e kujton Shefikat Narazanin me nderim të thellë:
“Shefikat Narazani ishte mësuese në shkollën e vajzave ‘Ruzhdije’. Ishte guxim i madh që një grua me perçe të zezë t’u jepte mësim vajzave elbasanase. Ajo na ndriçoi botën.”
Zysh Myneveri kujton se si, ende fëmijë, e shqetësonte mësuesen gjatë mësimit, por ajo nuk u mërzit kurrë.
“Ishte një engjëll i bukur. Nuk jepte mësim kot. Në orët e këngës me të, mësova Hymnin e Flamurit, Lahutën e Malësisë, vargjet e Mjedës dhe Shirokës.”
Një jetë mes sakrificës dhe dinjitetit
Shefikat Narazani lindi në Elbasan më 1898, në një familje qytetare dhe intelektuale. Në moshën 9-vjeçare shkoi në Turqi, ku qëndroi për 10 vjet dhe u shkollua në Stamboll. U kthye në Shqipëri me një mision të qartë: t’u mësonte gjuhën shqipe grave myslimane të Elbasanit, edhe pse vetë mbante perçe.
Ajo punoi në shkollat më të mira të kohës:
– “Ruzhdije”
– “Naim Frashëri”
– Shkolla Ushtrimore
Më vonë edhe në Tiranë, në shkollat “Kosova” dhe “Kongresi i Lushnjës”, ku fitoi respektin e qytetarëve, duke ndihmuar edhe nxënës të varfër dhe duke dhënë mësim në kurset kundër analfabetizmit.
Përballja me diktaturën
Pas vitit 1945, jeta e Shefikat Narazanit u kthye në një ferr të heshtur. Regjimi komunist e internoi atë, bashkëshortin dhe vajzën e saj për rreth 20 vjet. U privua nga pensioni dhe u detyrua të jetonte në kushte të vështira, megjithëse kishte dhënë gjithë jetën për arsimin.
Edhe në këto rrethana, ajo ruajti dinjitetin dhe qetësinë e një mësueseje të vërtetë.
Një figurë që nuk duhet harruar
Shefikat Narazani u nda nga jeta më 26 nëntor 1972. Jeta e saj është historia e një gruaje që sakrifikoi rehatinë, rininë dhe sigurinë për t’i shërbyer gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar.
Ajo mbetet një nga figurat më të ndritura të arsimit shqiptar – një mësuese që la Turqinë, sfidoi fanatizmin dhe pagoi shtrenjtë idealin e saj.
Burimi/Facebook/Lajme Javore


Leave a Reply