Kjo letër po lexohet sot nga stërmbesa ime, Rinesa Rexhepi, e cila është këtu në emrin tim për të pranuar pikturën tuaj, meqenëse për arsye shëndetësore, dhe përkundër dëshirës sime të madhe që t’u takoj, nuk kam mundësi të jem i pranishëm këtu, me ju sot.
Ju falënderoj sinqerisht për punimin që keni realizuar me aq përkushtim, durim dhe talent. Piktura juaj, e punuar tërësisht me grurë, është një dhuratë e veçantë për mua dhe ka një vlerë të thellë simbolike, jo vetëm për mënyrën si është realizuar, por edhe për vendin ku po vendoset: në kabinetin tim të punës, ku për më shumë se gjysmë shekulli kam shkruar dhe kam punuar.
Emri i shkollës suaj, “Dëshmorët e Koshares”, mbart një simbolikë të veçantë dhe një peshë të madhe historike. Kosharja është vendi ku u zhvillua një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një betejë që mishëron sakrificën, guximin dhe idealin për liri. Ky emër ju obligon dhe njëkohësisht ju nderon, sepse ju lidh me një trashëgimi që i përket historisë sonë kombëtare dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar ajo.
Ky punim dëshmon përkushtimin tuaj ndaj artit, dijes dhe punës së përbashkët. Një falënderim të veçantë për mësuesen tuaj, znj. Pranvera Qerimi, për iniciativën, udhëheqjen dhe frymën edukative që ka përcjellë tek ju.
Ju uroj suksese në rrugën tuaj të dijes dhe shpresoj që respekti për krijimtarinë të jenë gjithmonë pjesë e jetës suaj. Mos e humbni kurrë kureshtjen për të mësuar dhe për të krijuar!
Përzemërsisht,
Rexhep Qosja
Burimi/Facebook


Leave a Reply