Dioqeza e Rrëshenit ka pasur një bashkëpunim misionar me Dioqezën e Brescia-s, prej disa vitesh tashmë. Fryt i këtij bashkëpunimi ka qenë edhe prania e shenjtë e meshtarit “fidei donum”, don Gianfranco Cadenelli-t, i cili prej pak më shumë se një viti është kthyer në shtëpinë e Atit. Bashkë me të kanë shërbyer në Dioqezën e Rrëshenit edhe meshtarë të tjerë të Dioqezës së Brescia-s si don Marco Domenighini dhe don Roberto Ferranti.
Bashkëpunimi misionar vazhdon dhe është zgjeruar edhe me bashkëpunimin e Dioqezës së Bergamo-s, e cila i ka dhënë dioqezës sonë don Matteo Cortinovis-in, që vazhdon shërbesën në famullitë e Ulzës e të Suçit, si edhe në fshatrat: Bushkash, Stojan e Baz.
Këto ditë, ipeshkvi ynë, imzot Gjergj Meta, ka pasur takime me dy ipeshkvijtë e dioqezave të Brescia-s dhe të Bergamo-s, me imzot Pierantonio Tremolada-ën dhe imzot Francesco Beschi-n. Takimet kanë shërbyer për ta forcuar bashkëpunimin misionar midis tri dioqezave tona në dimensione të ndryshme si Ungjillëzimi dhe Caritas-i. Po ashtu, ipeshkvi ynë është takuar edhe me përgjegjësit e misioneve të dioqezave të Brescia-s dhe Bergamo-s, përkatësisht me don Roberto Ferranti-n dhe don Massimo Rizzi-n.
Në muajt në vazhdim, dy grupe meshtarësh, të udhëhequr nga ipeshkvijtë e tyre, do të vizitojnë Shqipërinë. Në shkurt, do të vijë imzot Beschi, ipeshkvi i Bergamo-s, me një grup meshtarësh dhe në maj, do të vijë imzot Tremolada, bashkë me një grup prej 50 meshtarësh të rinj të Dioqezës së Brescia-s.
Varri i don Gianfranco-s në Suç dhe Katedralja e Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës” do të jenë ndër destinacionet e vizitës së tyre në Shqipëri, që të përforcohet edhe më shumë ky bashkëpunim misionar që kemi. Jemi të lumtur t’i presim në kishën tonë dioqezane dhe në vendet e tjera ku ata do të bëjnë pelegrinazhin e tyre.
Për Kishën, misioni është arsyeja e saj e ekzistencës dhe ne jemi entuziastë për këto bashkëpunime, të cilat tregojnë fytyrën e Kishës universale dhe të asaj misionare.


Burimi/Facebook/Dioqeza Rrëshen


Leave a Reply