Në një mesazh përkujtimor, Kryetari i Kuvendit vlerëson Fan Nolin si një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar, shkrimtar, burrështetas, teolog dhe atdhetar, që me veprën dhe mendimin e tij i dha gjuhës shqipe dinjitet, kulturës shqiptare frymë europiane dhe politikës kuptim shërbimi ndaj atdheut.
“Sot në 144-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, burrështetasit, teologut dhe atdhetarit Theofan Stilian Noli, nderojmë një prej mendjeve më të ndritura që ka njohur kombi shqiptar.
Fan Noli ishte zë i ndërgjegjes kombëtare, mendimtar i thellë, politikan dhe mjeshtër i rrallë i lëvrimit të letërsisë, i cili i dha gjuhës shqipe dinjitet dhe shpirt europian. Ai na mësoi se dija, kultura, besimi në Zot dhe politika mund të bashkohen për t’i shërbyer interesave të atdheut.
Në çdo fjalë të tij jeton dashuria për Shqipërinë. Në çdo vepër, frymon guximi për të menduar ndryshe, për të ecur përpara e për të mos u pajtuar kurrë me padrejtësinë dhe errësirën.
Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një trashëgimi që na thërret të jemi më të ditur, më të ndershëm dhe më të përgjegjshëm ndaj vendit tonë.
Nderim dhe mirënjohje përjetë Fan Nolit”, shkruan Kryetari Peleshi.
Burimi/Facebook/Kuvendi i Shqiperise


Leave a Reply