Ishte një nga ato përvoja kur njeriu kupton sa i vogël është. Isha lart në Tarabosh, mbi qytetin që zakonisht e shoh nga poshtë, dhe për herë të parë Shkodra nuk më dukej më “shtëpi”, por një kujtim i largët. Retë e zeza po zbrisnin ngadalë. Era fshikullonte dhe çdo hap mbi borë tingëllonte më i rëndë se i mëparshmi. Në atë heshtje të çuditshme, natyra nuk “fliste” më sepse ajo paralajmëronte.
Qielli ishte aq i ulët sa dukej sikur mund ta prekja me dorë. Mjegulla më përpinte shikimin, dhe për një moment humba jo vetëm orientimin, por edhe ndjesinë e kohës. Nuk e dija më nëse po ecja drejt sigurisë dhe adrenalinës apo drejt një rreziku që po më afrohej pa zhurmë.
Aty ku mali zakonisht të jep liri, atë ditë po më jepte frikë. Ndjeva një shtrëngim në kraharor, jo nga i ftohti, por nga një ndjesi e thellë: nëse natyra vendos të të ndalë, nuk ke asnjë fjalë për të thënë. Nuk ka guxim, nuk ka krenari, nuk ka sfidë. Ka vetëm respekt. Çdo hap ishte si një monolog me veten: “Të vazhdoj? Të kthehem? A jam ende në kohë?”
Dhe aty e kuptova diçka: frika nuk është armik. Frika është sinjal, është instinkt, është mënyra e trupit për të të mbajtur gjallë. Kur zbrita poshtë, nuk ndjeva “fitore” por lehtësim. Ndjeva mirënjohje që mali më lejoi të largohem!
Sot, kur i shoh ato pamje, nuk më duket më thjesht një udhëtim sfidues por një përballje me natyrën, jo për ta mposhtur, por për ta kuptuar sepse mali nuk ka nevojë të na provojë asgjë. Ne jemi ata që duhet të mësojmë kur duhet të ndalemi!


Burimi/Facebook


Leave a Reply