Ai vjen nga një familje tepelenase e përndjekur nga diktatura komuniste, dhe historia e saj i ka dhënë atij një sens të fortë të drejtësisë, lirisë dhe dashurisë për atdheun. Me guxim dhe bindje, Alessandro përdor foltoren për të përfaqësuar brezin e tij dhe për të thirrur për një Shqipëri të lirë, të ndershme dhe të mbushur me vlera. Fjalimi i tij është një thirrje për të mos harruar të shkuarën, për të mbajtur gjallë traditat dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për vendin e tij.🇦🇱
—-
Fjalimi i plotë i Alessandro Xhufit, djali që foli në foltoren e Berishës
–
“Jam lindur në Itali dhe jam 19 vjeç, por zemra ime është shqiptare. Studjoj në Holandë, por rrënjët e mia janë këtu, në Shqipëri. Vij nga një familje tepelenase e persekutuar nga diktatura komuniste dhe historia e tyre më ka mësuar se çfarë do të thotë të jesh i lirë, por edhe të luftosh për të drejtën dhe dinjitetin. Për këtë arsye ndihem i detyruar të flas për Shqipërinë, për të kaluarën dhe të ardhmen e saj.
Dua të flas për konservatorizmin, jo si ideologji, por si një mënyrë jetese: për të ruajtur familjen, moralin, traditën dhe dashurinë për atdheun. Konservatorizmi është themeli që mbështet shoqërinë dhe ruan identitetin tonë kombëtar. Të jesh konservator nuk do të thotë të kthehesh mbrapa, por të mbash të shenjta ato vlera që na kanë mbajtur gjallë si popull: besën, ndershmërinë, sakrificën dhe dashurinë për Shqipërinë.
Ne shqiptarët kemi nevojë për një rilindje të vlerave. E kemi harruar se kush ishin burrat e mëdhenj të kombit tonë — njerëz si Mit’hat Frashëri, që ishin intelektualë, patriotë dhe europianë të vërtetë. Ai u shpall armik nga komunizmi, sepse mendonte ndryshe, sepse donte Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Historia nuk mund të fshihet; një komb që harron Mit’hat Frashërin nuk e njeh vetveten.
Mithati thoshte që shqiptarit i duhen nacionalizmi dhe dituria aq sa i duhet buka, por fatkeqësisht sot kemi arritur në një kohë kur në Shqipëri jo vetëm mungojnë dituria dhe nacionalizmi, por edhe buka. Fajtori i kësaj situate është Edi Rama dhe grupi kriminal i ashtuquajtur Partia Socialiste e Shqipërisë.
Duhet të hapen dosjet e komunizmit. Duhet të dimë kush ishin xhelatët dhe kush ishin viktimat. Pa e pastruar ndërgjegjen tonë nga mëkatet e së shkuarës nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të ndershme. Një komb që nuk përballet me të shkuarën e vet është i dënuar ta përsërisë atë. Ne e kemi detyrë morale që të themi hapur që heronjtë shqiptarë kanë qenë Safet Butka, Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi dhe Ali Këlcyra, jo kriminelët komunistë si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi.
Unë dhe brezi im nuk do të pranojmë të udhëhiqemi nga frika apo nga injoranca. Ne jemi brezi që nuk pranon hetuesit e Enverit si Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj si model. Ne duam një politikë të ndershme, një shtet që respekton ligjin dhe një Shqipëri që e do rininë e saj. Mos na thoni se nuk ka shpresë — sepse ne jemi shpresa. Mos na thoni se është vonë — sepse për të dashur Shqipërinë, asnjëherë nuk është vonë.
Shqipëria mund të bëhet. Por jo duke harruar të shkuarën — përkundrazi, duke u përballur me të, me guxim, me të vërtetën dhe me besim tek Zoti dhe tek kombi.
Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”
Burimi/Facebook


Leave a Reply