Ky vit i ngjau një vrapimi të gjatë ku nuk ndalesh për të parë sa kilometra ke bërë, sepse e gjithë energjia shkon për të mos humbur ritmin. Punë pa pushim, adrenalinë që të mban në këmbë, lodhje që të mëson kufijtë e tu, por edhe ato fitore të vogla që të mbushin zemrën në heshtje.
Në prag të 2026-s, pa wish list, por me më shumë pjekuri, kuptova se prioritetet e mia janë të thjeshta dhe thelbësore: shëndeti i njerëzve të dashur, paqja dhe mirëqenia. Gjithçka tjetër vjen pas.
Do të doja që 2026 të ishte një vit më njerëzor. Një vit ku energjitë negative humbasin terren, ku njerëzit ulin tonet, jo vetëm zërin. Të mos jemi kundër njëri-tjetrit, por pranë. Të mos luftojmë për të pasur të drejtë, por për të bërë mirë.
Viti kur njerëzit ulin shpatat e armiqësisë dhe bëhen kordon me duar të shtrënguara për punë të mira. Të gjykojmë më pak dhe të kuptojmë më shumë. Të veshim këpucën e tjetrit, edhe kur shtrëngon, sepse vetëm kështu kupton vërtet.
Do të doja që bisedat të mos ndaleshin te “si jeni nga shtëpia?” apo “si do të jetë moti?”, por të shkonin më thellë: si i ke hallet? çfarë mund të bëj unë për ty? Sepse ndonjëherë një fjalë e mirë më shumë, një përqafim i ngrohtë, vlen shumë më tepër se një refren me fjalë boshe, i humbur në kotësinë pa bosht.
Do të doja që 2026 të na çlironte nga pangopësia materiale dhe të na rikujtonte se gëzimi i vërtetë nuk jeton te luksi, por te privilegji i të qenit bashkë.
Një buzëqeshje e dalë nga shpirti ka më shumë vlerë se shumëçka tjetër.
Dhe mbi të gjitha: më shumë kohë.
Sepse koha është ora e jetës. Gjëja më e çmuar që na është dhuruar. Ta shpenzojmë me familjen, me fëmijët tanë, me prindërit që po plaken, sepse vitet nuk i kthejmë dot pas. Të ndalim egoizmin e vogël të përditshëm, të kthejmë mesazhet, të hapim telefonin, të mos themi “do të marr më vonë”.
Sepse “më vonë”… shumë herë është shumë vonë.
Dhe nëse duhet ta përmbledh në një fjali atë që dua nga 2026, është kjo:
të jetojmë më ngadalë, por më thellë.
Të mos e masim vlerën e ditëve me sa gjëra bëmë, por me sa zemra prekëm. Të mos e shtyjmë jetën për nesër, por ta përqafojmë sot. Sepse ajo që mbetet, në fund, nuk janë fjalët që thamë me nxitim, por momentet kur ishim vërtet aty për njëri-tjetrin.
Gëzuar 2026 🤍
Uroj të na gjejë bashkë dhe më mirënjohës për gjithçka që kemi.
Burimi/Facebook


Leave a Reply