Më duket se disa po mendojnë që çdo gja që trashëguam nga e kaluara ta transformojmë, ose ato që kanë mbetur mos ti rikonstruktojmë dhe ma e keqja ti lamë të zhduken dalëngadalë. Mbasi i hoqen arkivat e qytetit ma historik të kombit me një memorje në të gjitha fushat, siç asht Shkodra, tash po u mendoka t i hiqen edhe ato ndertesa që i kanë mbajtur këto arkiva . Unë dua të përsëris dhe të risjell fjalët e novelistit Milan Kundera, shkrimtari çek, një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë europiane, që me thellësinë e krijimtarisë së tij ka sjellur mesazhet të rëndësishme në krijimtarinë e tij, për lirinë, për dashurinë për njeriun, me një humanizëm të jashtëzakonshëm. Midis tjerave ai shkruan:
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë ishte.”
Tash me këtë që po veprohet siç duket po bahet një punë nga dikush që po mundohet të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re dhe ne dhe brezat që do të vijnë të harrojmë se kush kemi qënë, çfarë kemi ba. Po është turp , asht e papranueshme të zhdukim historinë, mos të rikonstruktojmë trashëgiminë, mos të ruajmë historikun e qytetit tonë që ishte ma i lavdishmi në trevat shqiptare.Ta kthesh ndertesen administrative të Shkodrës e ndërtuar para 112 vitesh, në Muzeum (që ne nuk jemi kurrë kundër muzeumeve) asht jo vetëm të humbësh një ndërtesë nga më të bukurat e Shkodrës por do të thotë të zhdukesh një histori njëqind e sa vjeçare të administrimit të Shkodrës ku gjatë viteve këtu janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme të qytetit tonë historik. Ç farë është kjo ndertesë nga ana ndërtimore?
Ndërtesa e Bashkisë së Shkodrës është një objekt me rëndësi administrative –ushtarake një ndërtim voluminoz për kohen ndër më të mëdhatë në shtrirjen horizontale deri në atë kohë në Shkodër, që ka ruajtur monumentalitetin e saj deri në ditët e sotme.Projekti mendohet se ka qenë projekt tip i ngjashëm me ndërtesat administrative ushtarake të ndërtuara në Janinë, Maqedoni, Prishtinë, nga qeveria turke. Zbatimin e punimeve e ka bërë ing. A. Brioti. Fakti që projekti nuk gjendet në arkivat tona nuk lejon sqarimin e plotë të ideimit të tij. Ndërtimi filloi më 1908 (mendohet edhe në 1910), me punime të ndërprera dhe të paplotësuara dhe u vu në shfrytëzim më 1912. Në fillim me që ndodhi Lufta e Parë Ballkanike ishte në shërbim të ushtrisë duke u përdorur si spital ushtarak. Më 1913 u përfundua plotësisht, dhe punimet e fundit u kryen nga K.Idromeno.Nga ana kompozicionale ka një zgjidhje të përkryer për ndërtesë administrative me një koridor në mes dhe shpërndarje të dhomave në dy anët. Është me tre kate dhe një kat nënçati. Dhomat kanë dimensione të njëjta 4.2×5.4 përveç atyre të titullarëve. Pjesa nënçati mund të shfrytëzohet si funksion por edhe si arshivë. Në v. 1980 godinës i është bërë një shtesë nga prapa me strukturë të përzier muraturë tulle, 25 dhe 38 cm dhe beton/arme.Shkallët janë granili, gjithashtu parmakët dhe korimanoja, kurse dritaret janë druri dhe kanë grila. Shkallët e emergjencës janë metalike, të veshur me dërrasë. Ndërtesa ka konstruksion me mure guri të skuadruar mbajtës me trashësi 50 cm, soletë druri e mbështetur në trarë dopjo “T”. Gjatësia e përgjithshme e godinës është 70.10 metra dhe gjerësia 24 metra. Dyshemetë e katit të parë dhe të dytë të koridorit me dimensione 8 x 69.1 m2 kanë qenë dysheme dërrase, mbështetur në profile metalikë dopjo “T 160 ” me gjatësi 8.5 m që mbështeteshin në muret e gurit. Nga amortizimi dyshemeja e koridorit filloi të kishte vibrime. Në vitin 1979 koridorit të dy kateve i është bërë rikonstruksion duke mbajtur profilet metalike dopjo “T 160”, por duke i përforcuar me trarë beton arme të shpeshtë me hapësirë 8.5m. Kështu dyshemeja prej betoni dhe e veshur me pllakë, është kthyer në një dysheme më të qëndrueshme. Rikonstruksioni është bërë nga ing. MelfeteMuja. Zyrat janë me dysheme parket mbi binarë dhe struktura mbajtëse është me trarëmetalikë “T 160”.
Shumë interesant është çatia e godinës. Çatia është e tipit mansardë dhe kapriatat janë të tipit Polanso, kapriata druri me lëndë të inkuadruar, dhe e kapur në nyjet përkatëse me pafta metalike dhe gonxhe dhe bulonë shumë të përpunuar. Kapriatat janë jo të njëforme të rregullt por e shpërndarë në formë hapsinore ku elementët mbajtës janë trarë të rrumbullakët, trarë të inkuadruar si dhe dërrasa të kapura me pafta metalike dhe me bulona me kokë të rrumbullakët. Në shumë raste nuk mungojnë edhe tirantët metalikë.Në çati ka kenë arkiva e jashtëzakonshme e Bashkisë Shkodër që sot mund të them se nuk e dimë ku asht dhe sa ka mbetur nga gjithë ajo histori e Shkodrës në këto arkiva.
Zbukurimorja e godinës është e thjeshtë me korniza horizontale në gjatësi dhe në qoshet kryesore si dhe me korniza në dritare të cilat kanë edhe grila. Në pjesën e sipërme të çatisë dalin dritare që së bashku edhe me daljen e oxhaqeve i japin konturimin vertikal ndërtesës. Simetria e rregullt, ekzaktësia në ndërtimin elementëve i jep madhështi krejt veprës. Fasadës i janë bërë disa herë ndryshime në ngjyrosjen e mureve dhe elementëve të saj. Ndërtesës i është bërë një rikonstruksion më 1916 kur kryetar Bashkie ishte Musa Juka. Si objekt Monument Kulture, i kategorisë së dytë, në v. 2008 i është bërë një restaurim nga Monumentet e Kulturës, me arkitekt Zef Çuni, Siruan Zaja, Arian Ndoi, Gjon Laska, Klaudio Luka
Përsa i përket funksionit administrativ, mbas bashkimit të Shkodrës me shtetin shqiptar, më 1920, ndërtesa u shfrytëzua për zyrat e administratës, komandën e qarkut, policinë, gjykatoret. Gjatë vitet 1944- 1990 u përdor si ndërtesë administrative e pushtetit lokal, ku ishte vendosur Komitetit Ekzekutiv i K.P. e .rrethit Shkodër. Mbas viteve 1990 u përdor për zyrat e Prefekturës dhe Qarkut të Shkodrës dhe më 2011, kthehet në ndërtesë të Bashkisë Shkodër.Këtu janë pritur me qindra delegacione, janë zhvilluar shumë aktivitete, dhënie dekoratash, titujsh per personalitete të vendit dhe të huaj, nga fusha të ndryshme, janë emërtuar rrugë, sheshe, etj.
Nga ana historike ndërtesa mban mbi arkivin e saj me qindra ngjarje historike ku asht diskutuar gjithçka për Shkodren, administrimin e saj, ndertimin urbanistik, ngjarje të mëdha si tërmeti dhe përmbytjet. Këtu para kësaj ndërtese janë mbledhur shumë shkodranë për të protestuar për motive të ndryshme, per thirrjet për kushtrim lufte, dhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre, etj.
Më11.03. 1920 në ballkonin e kësaj godine qeveria shqiptare e përfaqësuar nga ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu dhe ministri i Drejtësisë Hoxha Kadri Prishtina deklaroi bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Ahmet Zogu u caktua prefekt i përkohshëm me dy ndihmës: Sulçe Bushatin dhe Shuk Serreqin. Për këtë ditë, më 19.3.1920, u organizua një miting festiv me pjesëmarrjen përfaqësuesve të qeverisë, parisë dhe klerit të qytetit.
Në qershor të vitit 1924 në prefekturë është bërë një kryengritje midis forcave qeveritare dhe atyre të opozitës së Fan Nolit, ku është vrarë Ferid Frashëri dhe prefekturen e marrin forcat fanoliste. Më vonë përkrahësit e Legalitetit në dhjetor të 1924 rimarrin prefekturen. .
Unë tani shprehem pse doni ta bani Muzeum Ndertesen e Bashkisë Shkodrës që nuk asht bërë fare për atë punë dhe do kërkojë një fond shumë më të madh se tre rikonstruksionet e banesave historike që ju kemi sugjeruar. Rikonstruktoni banesen e Sokolejve , bani ate Muzeumin e Lidhjes se Prizrenit për Shkodren, mbasi Hodo Bej Sokoli ishte si një nga udhëheqësit ushtarakë të Lidhjes dhe Kryetar i Shtabit Ushtarak të Degës së Lidhjes për Shkodrën. Aty mund të inkorporohen edhe dokumenta dhe relike të Daut Boriçit si kryetar i parë i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodren (me që edhe atij i asht djegur banesa), beni muzeum banesen e Dan Hasanit që mund të jete edhe Muzeu i Muzikës Shkodrane ku gjallojnë akoma sot veglat muzikore , partitura dhe foto të rralla të grupeve muzikore shkodrane në vite, rikonstruktoni banesen ku u krijua shoqëria “Bashkimi” , ku do të përjetesoni historinë e alfabetit shqip. Bëni dëgjesë publike për këto propozimet tona , bashkohuni me specialistët për të vendosur për Shkodren dhe nesër populli i Shkodrës do ju a dinë për nder sepse ai asht një popull mirënjohës.
Dhe në se ju vendosni vetë, pa marrë parasysh asnjë mendim specialisti, kam të drejtë ta bëj pyetjen: Ku do ta çoni këtë histori ndërtimore dhe historike të ndërtesës së Bashkisë Shkodrës, ju që shpiket këtë gjë? Kujt do tja delegoni apo ku do ta dërgoni historinë apo atje në Burrel ku na keni syrgjynosur arkivat tona! Atje janë syrgjynosur, burgosur dhe vrarë me qindra personalitete para 1944, por mos ja bëni këtë edhe historisë tonë,tash në shekullin e pluralizmit, mos e vrani Shkodren kaq shumë, se ajo meriton shumë më tepër.
FOTO 1 Ndërtesa e Bashkisë Shkodër
FOTO 2 Planimetria e katit përdhe (burimi Monumentet e Kulturës)
FOTO 3 Planimetria e çatisë. Shk. 1:100(burimi Monumentet e Kulturës)
FOTO 4 Detaje çatie (foto nga autorja)
FOTO 5 Detaje çatie (foto nga autorja)
FOTO 6 Në shkallët e Prefekturës (Bashkisë), ceremonia e bashkimit të Shkodrës me Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës
FOTO 7 Përkrahësit e Legalitetit rimarrin prefekturen e Shkodrës, 24 dhjetor 1924






Burimi/Facebook


Leave a Reply