Keto dite jane dite festash, gezimesh, urimesh dhe postimet tona duhet te permbajne nje lirizem per gjithçka te bukur qe kemi. Por a nuk krenohemi edhe per bukurine e femres shqiptare . E kane vue re te huajt dhe jane mahnitur. Pikerisht per kete ben fjale sot postimi im.
Kujt nuk i ra në sy bukuria e femrës shqiptare! Duke e parë ashtu të veshur me kostumet kombëtare, në qytete, në pazare, në shtëpi, e sidomos në malësitë ku ajo dilte më e zbuluar, aty ato vunë re se kishin të bënin me zana malesh, me nimfat e ujërave, duke i bërë lloj lloj krahasimesh. Hijeshia e tyre, eleganca e trupit të tyre, bukuria dhe delikatesa e fytyrës, leshrat e hedhura të kokës, të lidhura aq hijshëm, linin përshtypjen se kishin të bënin me perëndeshat mitologjike. Shpesh, shumë prej tyre dallonin edhe rënien e shpejtë të kësaj bukurie nga martesat e herëshme, lindjet e parakohëshme, punët e rënda fizike që përballonte, gjëndja e vështirë ekonomike që ballafaqoheshin etj.
Ja si Pukëvili përshkruan bukurinë e grave të Myzeqesë dhe Tomorrit:
… “Myzeqeja dhe luginat e Tomorrit zotërojnë thesare bukurie, të denja për kuroret e dashurisë. Sy të mëdhej, kaltërosh, ndezur nga zjarri qiellor, leshra verdhane a gështenjë, gjithë krela si të Hireshave, një hundë delikate, një gojë e ëmbël, eleganca e francezeve tona të këndëshme-ja dhuntitë e grave të toskërisë. Me shtatin e tyre të hajthëm, me delikatesën e këmbëve të tyre, i merr për perendesha të lashta apo për nimfa me të cilat profeti zbukuroi parajsen e premtuar për të përzgjedhurin e vet; gjithçka shënon tek ato modelet më të përkryera të bukurisë”
Por një zhgënjim do të përshkonte autorin për fatin e mëvonshëm të këtyre bukurive:
… “Ashtu si trëndafilat me vetmitë e tyre, madhështia që ato kanë nuk zgjat shumë. Të martuara 12 vjeçe, nëna parakohe, rrudhat e pleqërisë nisin të lënë shënjë në ballin e një gruaje njëzet a pesë vjeçare. Çehrja e fishkur, mishrat e flashkët paralajmërojnë mplakjen para kohe, duke i paraprirë stinës së amësisë së jetës. Pesë periudha pesëvjeçare kanë qenë për te krejt rrjedha e perandorisë saj…As shpreson më t’u hyjë në sy të tjerëve. I nënshtrohet hidhërimit, duke e parë vehten të lënë pas dore”…
Evlia Çelebi në veprën e tij kur përshkruan Elbasanin vë re:
“Djemtë dhe vajzat e hijshme. Janë me emër këtu për nurin e bukurisë; kanë nishane bukurie si ai i Hashemit”
Francezi Byshon shkruante per grate arvanitase më 1843:
“Gratë shqiptare të Atikës… janë të larta dhe të hijëshme, por në dallim nga gratë greke nuk i ndërrojnë zakonet dhe doket e tyre me ato të Perëndimit. Ato merren me punë shtëpijake, mbushin ujë në çezme me kotruve që e mbajnë në kokë, ushqejnë fëmijtë me qumështin e gjirit, ato kryejnë të gjitha punët me përjashtim se nuk shkojnë në treg”.
Bajroni, poeti i njohur anglez, mbas disa udhëtimeve që bëri në Shqipëri, në një letër dërguar nënës tij, shkruante:
”Gratë shqiptare janë dëndur të bukura. Lindin burra nga më fisnikët e botës. Ato ndjehen të lumtura në detyrën amtare të ëmbël” dhe në një vend tjetër shtonte …kanë veshjet më madhështore në botë”.
Bajronin e citon edhe Alphonse De Martin, një nga poetët më të mëdhej romantikë, francezë, në veprën “Histori e Turqisë” ku trajton figurën e Skënderbeut. Mes të tjerave, ai shkruan:
.. “Gjeta në Shqipëri-shton Lord Bajroni- gratë më të bukura që kurrë nuk i kam parë nga shtati dhe pamja. Ishin duke u marrë me ndreqjen e një rruge shkatërruar nga përrrejtë. Ecja e tyre ishte krejtësisht teatrore; me siguri kjo shkaktohet nga manteli që mbajnë të kapur në njërin sup. Flokënaja e tyre e gjatë të kujton spartanet, dhe as që mund të merret me mend guximi që ato tregojnë në luftëra për t’u mbrojtur”.
Kontesha Paule Fercoq de Leslay, kur vizition Shqipërinë më 1938, shkruante:
”Gratë mirditore , m’u duken tepër të bukura, por ato janë pasionante dhe të egra”.
Ja si e përshkruan studiuesja amerikane Rose Wilder Lane, që vizitoi Shalën në vitet 1921, bukurinë e një gruaje dukagjinase, kur e ka takuar mes shkrepave të Alpeve:
“Fytyra e saj pak si e djegur nga dielli, me sy të mëdhej, me formë delikate, qe më e bukura që kam parë deri më sot. Zëri i saj qe i ëmbël dhe duart dhe këmbët e saj sikur t’i kishte një skulptor do të marrosesh. Në çdo restorant të Parisit, gishtat e hollë të saj, thonjtë delikatë dhe me bajame, bilekët e hollë aristokratikë, do të tërhiqnin vërejtjen e gjithë botës”.
Po në këtë libër ajo do të përshkruante një tjetër vashe të bukur në Malet e Shalës:
..Pas një ore takuam një vashë të bukur. Sytë e saj të shkruar dhe flokët ngjyrë gështenjë bënin dritë në ngjyrën e përhimtë të shiut, një brez i gjërë martese i shkuar në argjënd, mbulonte leckat e lëshuara të të veshurave të Shalës dhe trupin e saj lozanjar, kurse mbi shputat e këmbëve të ndjeshme, të mavijosura nga udhët e gjata nepër shtigje i dalloheshin nyjet e bardha të këmbëve…
Dhe do të vazhdonte më tej, duke shprehur përmes bukurisë së tyre edhe dinjitetin e malësores:
…. “Derisa ai bënte kafenë, një grua hyri pa zhurmë nepër derën pranë oxhakut dhe na përshëndeti me një dinjitet të përmbajtur dhe hirplotë. Një nga ato gra të shumta të bukura shqiptare, të cilat duke qenë aq të përmbajtura dhe aq të heshtura, mbesin si një sfond i të gjithë kujtimeve tona të maleve, më misterioze prapa syve të matur të tyre dhe fjalëve bujare, se sa gratë turke pas ferexheve të tyre”
Edith Durham, tek vepra e saj më e rëndësishme “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Ballkanin”, shkruan për bukurinë e grave shqiptare;
“Katedralja e katolikëve, është një ndertesë e madhe me tulla e bërë 50 vjet më parë……Te porta gratë i heqin çarçafët dhe hyjnë në shtëpinë e zotit me fytyra të zbuluara, por fytyrat i kanë të bukura, me hundë të prerë pastër, pak të kthyera, me lëkurë të dëlirë si qelibar, me buzë të kuqe dhe me sy të zinj e qerpikë të gjatë “
Kur ajo po vizitonte Gjakovën, do të takojë një nuse të re të sapo martuar në Prizren, veshjen dhe bukurine e së cilës do ta përshkruajë kështu:
..Një bijë e shtëpisë e martuar në Priren, po bënte viziten e parë të saj në shtëpi që kur ishte martuar dhe ishte me veshjet e plota të nuses prizrenase, krejt magjepse. Flokët i kishte të ndarë prapa kokës dhe të thurur në dy gërsheta njëri lart dhe tjetri poshtë. I poshtmi varej si bisht derri dhe ishte i zbukuruar me disa monedha. I sipërmi përbënte një si top të ngjeshur në maje të kokës dhe qëndronte në një pikë mbi ballë (këtu ndoshta e ka burimin shamia e kokës me majucë që mbajnë gratë katolike shkodrane). Mbi këtë bazë vinte një mori monedhash ari të rremë, tre vargje me monedha dhe një madalje ari në mes. Flokët anash ishin qethur shkurt, me gjatësi të ndryshme dhe qenë lyer me yndyrë; formonin dy tufëza që vareshin në të dy anët e fytyrës. Sipër fare vinin shtatë rreshta me gurë të çmueshëm dhe monedha që vareshin deri te shpatulla….por nusja e Prizrenit ua kalonte të gjithave. Striglat e saj të çuditshme dhe plot shkëlqime detyronin të rrinte si e ngrirë, si ikonë bizantine dhe fytyra e zbehtë e flokët pis të zinj jepnin një efekt zbukurues shkëlqimit të arit dhe ngjyrave”
Një autor tjetër, Bartholdy, në veprën e vet “Udhëtimi im në Greqi” në shënimet e tij, bukuria e gruas shqiptare zë një vend të rëndësishëm. “Në Athinë, shkruan ai, edhe pse nën një qiell mjaft të pastër, femrat kanë qenë më pak të bukura, në krahasim me të tjerat… por nuk mund të thuhet kështu për shqiptaret e bukura, që banojnë në qytetin e Artës, sepse ato janë një racë krejt tjetër”,
Elena Gjika (Dora D’Istria) shkruan për bukurinë e grave çame:
“Mahnitesh me luginat e këndëshme të Çamërisë, me bukurinë e virgjëreshave të saj me sy të zinj, floknaja e mrekullueshme e të cilave, në një ngjyrë të zeshkët gështenjë, u rrëzohet gjer te thembra”
Edward Lear, kur takon një grua himariote, shkruan:
… “Erdhi koha për t’u nisur dhe, kur ngarkoheshin mushkat , vajza himariote qëndroi me ne ; s’kisha parë ndonjëherë fytyrë më të bukur se e saja. Çdo tipar ishte i përkryer dhe nuk kishte të sharë, por shprehja e përgjithëshme e fytyrës kishte një nuancë ashpërsie, me paksa gjurmë vuajtjeje; gërshetat e zinj si korbi i binin mbi supe dhe qafë dhe e gjithë pamja e saj, nga koka deri në këmbët, ishte madhështore dhe e hijëshme deri në përsosmëri….kur rrinte ulur e thurte triko, ishte modeli i përkryer i bukurisë; me trupin drejt si qiri(me gjithë barrën që mbante mbi supe), fytyrën e hijshme, gjysmë fshehur nën shaminë e bardhë si bora, që e kishte hedhur në kokë në mënyrë disi të shkujdesur”
At Giuseppe Valentini, i jep ngjyrë romantike bukurisë së gruas shqiptare:
..Dhe bukuria e tyre prek shpirtin e malësorëve ma krenarë, hollësia e ndjenjave që ato zgjojnë, e tregon kjo këngë krahinore në të cilën formulohet një hymn i vërtetë i bukurisë me këto vargje:
Marshalla bukurisë sate
Hije e randë të paska ra
Balli yt rreze të bate
Don se je rrit në diba
Un me gisht moj të kam damun
Si një yll që del në sabah
Rrij e shoh me sy tue qamun
Tue të thanë moj marshallah
Oj!Marshallah nuri
Megjithatë jo të gjithë e kanë vlerësuar bukurinë e femrës shqiptare. Hilë Mosi duke analizuar një vepër të Franc Nopçës, në një artikull të revistës “Albania”, komenton gjëndjen e rëndë të grave të malësive veriore që ky shkencëtar kishte vërejtur gjatë udhëtimeve të tij, duke treguar se gratë e malësisë nuk janë aq të bukura. Shkaku kryesor ishin martesat e herëshme të tyre si dhe punët e rënda që ato janë të detyruara të bëjnë.
Edhe sot kur vendi është hapur dhe gratë dhe vajzat sot dalin të pambuluara nga shumë të huaj është folur dhe shkruar për bukurinë fizike të vajzave dhe grave shqiptare.Sipas shumë opinioneve të shumë prej tyre, tipareve zeshkane të shqiptareve, është vërtet e vështirë t’iu rezistosh. Pamja e tyre ekzotike godet çdo zemër mashkulli.
Po meshkujt? E ka shkruar kush për to? Po në mënyrë të veçantë dallohen malësorët e Veriut. Këta burra të pashëm në dukje e të egër por me një pushkë në krah dhe mustaqe të dendura tregonjnë krenarinë e tyre të paepshme dhe të paprekshme . Trupa të gjatë, ku shprehen karaktere burrash. Atë e tregon fizionomija e fytyrës me një qëndrim krenar, shpatullat e gjëra dhe lartësia e trupit.
Carleton Coon (1904-1981)së bashku me Stavri Frashëri, qëmtoi karakteristikat e racës shqiptare maleve të Veriut të Shqipërisë përgjatë vitit 1929-1930, ku ka të dokumentuar të dhëna shumë të rëndësishme mbi antropologjinë e gegëve. Së bashku me studimin e tij dhe një album me 42 foto të zgjedhura, Carleton Coon i botoi në librin e tij “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut”. Ky libër u botua në Kembrixh më 1950.
Shenim Te gjithe konstatimet e te huajve per bukurine shqiptare kane referencat e tyre me titujt e librave dhe faqet ku jane marre por per tu mos u zgjatur ketu nuk jane paraqitur.
FOTO 1 Femra shqiptare me personalitete
FOTO 2, 3, 4, 5, 6 Te bukurat shkodrane nga FOTOTEKA MARUBI





Burimi/Facebook


Leave a Reply