Objekti që shihet mbrapa meje është ish-ndërtesa e Komitetit Krahinor të Kosovës (Krahina Autonome Socialiste e Kosovës). Për këtë vend, baba im, Emin Syle Shabani, rrëfente një ngjarje që gjithmonë më ka mbetur në mendje.
Në vitin 1977, baba udhëtoi nga Zarbinca për në Prishtinë për të takuar mësuesin Tahir. (Mos e krahasoni udhëtimin e asaj kohe me ditët e sotme — në vitin ’77, ky udhëtim ishte një sfidë e vërtetë). Baba kishte disa halle për të cilat kërkonte ndihmë.
Për ata që nuk e dinë, mësuesi Tahir ishte Tahir Z. Berisha, një ndër mësuesit e parë në fshatin Zarbincë, në kohën kur Zarbinca administrativisht i takonte Kamenicës (Dardanës). Në atë periudhë, mësuesi Tahir ishte Sekretar i Sekretariatit të Arsimit të Krahinës.
Baba tregonte se, kur arriti në Prishtinë, erdhi pikërisht në këtë hyrje që shihet në foto. Në hyrje ishte një polic shqiptar që bënte roje. Polici kishte qëlluar njeri i keq dhe, kur baba i tregoi se dëshironte të takonte mësuesin Tahir, ai e talli. Baba e luti vetëm që t’ia përcillte mësuesit Tahir se “Emin Syle nga Zarbinca po të pret me të taku”.
Fillimisht polici, vetëm për ta hequr qafe, e njoftoi sekretarin e mësuesit Tahir. Pas pak, baba vuri re se polici ndryshoi krejtësisht në fytyrë — u bë si i zbehur. Kishte ardhur urdhri që baba të shoqërohej menjëherë në zyrën e mësuesit Tahir. Arsyeja ishte e thjeshtë: mësuesi Tahir nuk kishte si të mos e priste, sepse e kishte dashur babën si nxënës në mënyrë të veçantë.
Baba u prit në zyrë, ndërsa mësuesi Tahir e dërgoi edhe në byfenë e objektit dhe i pagoi drekën — byfeja që edhe sot gjendet po aty. Në fund, mësuesi Tahir mori një bllok shënimesh dhe ia shkroi emrin e drejtorit të arsimit në Kamenicë, duke i dhënë babës porosinë që t’ia dërgonte, me qëllim që t’i zgjidhej halli për të cilin kishte ardhur.
Sot, në këtë objekt ndodhet Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ku edhe unë e kam zyrën time. Qëllimi i këtij rrëfimi është të tregohet se çfarë njeriu ka qenë mësuesi Tahir.
Sot po të vinte sot ndonjë fshatar nga një fshat i largët i Kosovës për të kërkuar takim me ndonjë ministër, jini të sigurt se më parë do të përballej me përbuzje sesa me mirëkuptim.
Mësuesin Tahir Z. Berisha e kam takuar edhe vetë në pleqëri, në Zarbincë, me rastin e ndarjes së mirënjohjes nga Malësia, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim dhe në shoqëri.
Burimi/Facebook/BASHKIMI i HASHANISË


Leave a Reply