Të dashur miq! Këto ditë lexova “me laps në dorë” librin “Vaji i Gurit” të autores Miranda Haxhiu. Ai më tronditi thellë për intensitetin e ngjarjeve, tragjizmin dhe gjithçka tjetër që mund të prodhojë një sistem diktatorial komunist i një regjimi çnjerëzor, si ai 46-vjeçar në Shqipëri.
Po ju sjell këtu vetëm një sinops të librit, i cili sjell në qendër historinë dramatike të familjes patriotike Alizoti, një sagë që shtrihet në katër breza dhe pasqyron barbarinë e makinerisë komuniste.
Heroin kryesor, inxhinierin e naftës Riza Alizoti, autorja e lë ta rrëfejë historinë vetë “nga bota tjetër”, si një i vdekur pa varr, i varur në një vidh në Kuçovë dhe i zhdukur pa gjurmë. Përmes “zërit” të tij, rindërtohet jeta e një njeriu të arsimuar e idealist, që sakrifikon dashurinë e madhe me anglezen Kathelinën për t’i shërbyer atdheut, duke përfunduar i tradhtuar nga një regjim kriminal.
Në libër shpalosen njëri pas tjetrit aktet e shkatërrimit:
— Pushkatimi i babait të tij, Fejzi Alizotit,
— Dënimi i të vëllait, Hasanit,
— Arrestimi e varja e vetë Rizait,
— Internimi i të shoqes, Vera Alizoti–Ypit,
— Shpërndarja e fëmijëve dhe kampet e internimit,
— Burgosja e Xikut, djalit të Rizait.
Në këtë realitet dhune e poshtërimi, autorja sjell njëkohësisht dashuri të mëdha, sakrifica, moral të pathyeshëm dhe dinjitet njerëzor.
Kjo vepër vendoset denjësisht në traditën e letërsisë antikomuniste shqiptare, përkrah Visar Zhitit, At Zef Pllumit, Pjetër Arbnorit e të tjerëve, por veçohet për mënyrën origjinale të rrëfimit dhe peshën e ndjenjës njerëzore që e gërryen lexuesin deri në pikën e fundit.
Titulli i dykuptimtë, “Vaji i Gurit”, lidhet si me vajgurin e naftës, aty ku nisi drama, ashtu edhe me “vajin” që çan edhe gurin nga dhimbja.
Në fund, para nesh vjen figura e të mbijetuarit, deputetit Tomorr Alizoti, si provë e gjallë e një familjeje të flijuar për atdheun dhe dinjitetin.
Për mua, ky libër është një vepër me domethënie të jashtëzakonshme kombëtare dhe njerëzore, që meriton të lexohet gjerësisht dhe të përkthehet në shumë gjuhë.
Ata që dëshirojnë ta lexojnë artikullin e plotë mund ta gjejnë në
https://malberisha.com/nje-veshtrim-vleresues-rreth…/
https://archive.org/details/alizoti-artikulli-pdf/mode/2up
Tomor Alizoti
Nezi Alizoti Kazani
Miranda Haxhia
Burimi/Facebook


Leave a Reply