“Ngrihu mbi zemërimin për të vazhduar rrugën e nisur”
Dr. Agim Nelaj
Shiu binte pa mëshirë, ndërsa rruga shtrihej përpara meje si një brez balte i pafund. Ecja me vështirësi, i lagur deri në palcë, me hapat që sikur ishin ngulur në tokë. Për të mbërritur në stacionin e autobusit më duheshin të paktën edhe dy orë të tjera.
Në atë mjegull të rëndë, dëgjova zhurmën e një motori që vinte nga pas. U ktheva kokën. Përtej avullit dallova “BC”-në e Kryetarit. Një gëzim i shpejtë, spontan, i pashpjegueshëm m’u ndez brenda: ndoshta do të ndalej. Makina erdhi drejt meje, uli shpejtësinë, pothuajse u afrua… dhe për një çast mendova se do të më merrte.
🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅
Por jo.
Kryetari shtoi gazin dhe u zhduk në kthesë, duke më lënë pas një spërkatje të ftohtë balte.
Mbeta i ngrirë, i hutuar. Pse nuk ndaloi? Ai ishte vetëm me shoferin. Asgjë nuk e pengonte.
Dhe papritur, lodhja fizike u zhduk. Zëvendësua nga një dhimbje që të ngrihej në kraharor si një gur i rëndë. Një revoltë që më mbytej brenda.
Mendja m’u kthye te debatet pa fund me të. Përpjekjet e mia për t’i shpjeguar, me fakte dhe argumente, problemet e blegtorisë. Ai më dëgjonte me një durim të rremë, me atë buzëqeshjen që thoshte: “Thuaj, thuaj… pastaj do bëhet si them unë.”
Unë kërkoja zgjidhje. Ai kërkonte të kishte të drejtë.
Dhe megjithatë, e dija: nuk ishte njeri i keq. Thjesht ishte vendosur në një detyrë që nuk e njihte, që nuk e mbante dot. Autoriteti i tij ishte i rëndë për të, ndaj mbështetej jo te arsyeja, por te frika dhe servilizmi.
Ndërsa kooperativa agonizonte, mbushur me ankth e pasiguri, ai përpiqej të ruante fasadën e një pushteti bosh.
Shiu më binte në sy, por më shumë më digjte braktisja e tij.
🟢🟢🟢🟢🟢🟢🟢🟢
Trokitja që ndryshoi gjithçka
Mbrëmja më gjeti në shtëpi, i rraskapitur, i fundosur nën një lodhje që nuk ishte vetëm fizike. Sytë e familjes më shikonin me shqetësim.
Dhe pa u ulur mirë, dera u drodh nga një trokitje e rëndë, e ngutur.
Hapa derën.
Në prag qëndronte një burrë i gjatë, rreth të gjashtëdhjetave, i lagur deri në kërcunj, me një qeleshe të re dhe me sy të përulur.
— Dua doktorin e gjësë… — tha me zë që i dridhej. — Më thanë se ka ardhur… I thoni të ma bëjë hallall!
— Unë jam — i thashë.
— Doktor, po më ngordh lopa! Ka tre-katër orë që shterzon e s’pjell dot. Fëmijët mezi presin. Kam borxh ende, s’ia kam larë lekët… Po ju lutem, ejani!
— Nga jeni? — e pyeta.
— Hysen Stafa, nga Preca e Poshtme… Shtëpia ime është te lagjia e Stafajve… por Zaranika ka dalë, s’kalohet lehtë…
Mbrapa shpinës ndjeva sytë e familjes. Në heshtje ma thoshin: Shko.
Por brenda meje shpërtheu një mendim i hidhur:
A do të bëhesha edhe unë sot si kryetari?
Si ai që më pa dhe nuk ndaloi?
A do të më shihte ky njeri me të njëjtën dhimbje, të njëjtin zhgënjim?
Lopa ishte jetë. Dhe brenda saj priste një jetë tjetër.
Vendimi ishte i qartë.
— Shkojmë! — i thashë.
Sytë e Hysenit u mbushën me falënderim.
— Me ke falur gjithë botën, o doktor! Kam sjellë kalin. Rruga është e keqe, era s’të lë të mbash as çadër. Vishu mirë, merr mushamën. Sa të mbërrijmë, ndez zjarr të madh të thahesh. Jemi një-dy orë larg…
🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅🔅
Lindja që fshiu zemërimin
Rruga ishte e rëndë, por ajo që më priste ishte edhe më e vështirë.
Lopa nuk mund të pjellte vetë. Duhej ndërhyrje.
Në atë kasolle të ftohtë, me erë bari të lagur, ishte një betejë kundër natyrës dhe kohës. Krahët më dhembnin, por duart nuk më dridheshin.
Pas përpjekjesh të vështira, lindi një viç i vogël – i lagur, i brishtë, por i gjallë.
— Jepmë një copë çarçaf për ta fshirë — i thashë.
Hyseni u mendua një sekondë. Pastaj, me shkathtësinë e një të riu:
hoqi xhaketën, bluzën e leshtë, pastaj edhe këmishën e trupit dhe me të fshiu viçin, duke e ngrohur me duar e me frymë.
Viçi ishte femër.
E quajtën Shpëtimja.
Dhe për herë të parë atë ditë, një ngrohtësi e butë më hyri në shpirt.
Jo nga zjarri që sapo ndezëm.
Por nga zemra e atij njeriu, nga mirësia e tij.
Nga kuptimi i një të vërtete të thjeshtë:
Nuk e ruan njeriun prej baltës së rrugës, por prej baltës së zemrës së vet.
Burimi/Facebook/KONISPOL CAMERI


Leave a Reply