Një tjetër foto dasme, një tjetër histori tragjike, një tjetër ekzekutim makabër, që lidhet me datën 22 nëntor 1946, ditën e ekzekutimit të “sabotatorëve të Maliqit”.Në foto janë Kujtim Beqiri me bashkëshorten Fatime në ditën e dasmës, disa vjet para ngjarjes tragjike.
Kujtimi studioi Inxhinieri civile në Universitetin e Vienës, ku arriti të diplomohet shkëlqyeshëm dhe për këtë u nderua me medalje ari, ndërsa fotoja e tij u vendos në stendën e studentëve të shkëlqyer. Atij iu bë ofertë punësimi si pedagog i atij universiteti, por ëndërra e tij ishte të ndihmonte në rimëkëmbjen e atdheut të prapambetur, që e donte shumë.
Ai ishte bir i një familjeje atdhetare nga Velça e Vlorës. Babai i tij, Ali Beqiri, ka qenë bashkëpunëtor i Ismail Qemalit në përpjekjet për pavarësi kombëtare dhe anëtar i komisionit drejtues të operacioneve ushtarakë të Luftës së Vlorës më 1920. Në ndikimin e ndjenjave atdhetare, pas diplomimit, Kujtimi punoi mjaft kohë në Kosovë, ku investoi njohuritë e tij të gjera në fushën e gjeodezisë moderne. Në kujdesin e tij u ndërtuan atje dy ura, si simbol i bashkimit të dëshiruar të Kosovës me Shqipërinë amë. Vitet e rindërtimit pas luftës e gjetën në në rol kyç në aksionin për tharrjen e kënetës së Maliqit. Tashmë dihen akuzat që iu bënë drejtuesve teknikë të asaj sipërmarrjeje të rëndësishme. Kujtimi, ashtu si kolegu i tij Abdyl Sharra u dënuan me varje në litar. Por njerëzit që ishin mbledhur për të asistuar ekzekutimin makabër, u përballën me një skenë të jashtëzakonshme. Kujtimi vazhdonte të merrte frymë.
Në historinë botërore të ekzekutimeve, në një rast të tillë të dënuarit i falej jeta, por ky rregull i përbotshëm i të gjitha kohërave, nuk vlente për xhelatët komunistë. Ata e zbritën trupin që po pêrpëlitej dhe e përsëritën ekzekutimin. Kështu u shua në moshën 30 vjeçare një prej mendjeve të arta të inxhinierisë shqiptare që do t’i bënte nder cilësdo shoqërie.
Mbi të njëjtin projekt dhe piketa, të vendosura nga inxhinierët “sabotatorë”, vazhdoi puna dhe këneta u tha duke u konsideruar një “vepër e partisë”, ndërsa inxhinierët që e projektuan për shumë dekada u konsideruan “armiq” dhe “sabotatorë”.
Në vitin 2012 Kujtim Beqirit iu dha titulli i lartë “Nderi i kombit”.
Faleminderit për foton, Normana Beqiri.
Nderim gjyshit tuaj përjetësisht!
Burimi/Facebook/Muzeu Kokalari


Leave a Reply