Nga 12 deri më 22 nëntor 1908, në Manastir u mblodh Kongresi i Alfabetit, momenti i artë kur shqiptarët vendosën se si do ta shkruanin gjuhën e tyre dhe, më shumë se kaq, se kah do ta drejtonin fatin e kombit. Ishte mbledhja më e gjerë kombëtare e kohës: 160 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, bashkë me përfaqësues të kolonive shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Amerikë.
Për herë të parë, shqiptarët u ulën si një trup i vetëm përpara një pyetjeje që dukej teknike, por ishte thellësisht politike: a do të shkruhej gjuha shqipe me shkronja arabe, me shkronja greke apo me alfabetin latin të Evropës?
Në Manastir u përplasën këto tri botë. Përfaqësuesit e ndikimeve osmane mbronin alfabetin e Stambollit, një variant të shkronjave arabe, që nuk i shërbente aspak fonetikës së shqipes dhe që mbante të lidhur kombin me Lindjen. Disa të tjerë propozonin forma të përziera, me ndikime greke e sllave, që do ta copëtonin edhe më shumë identitetin tonë.
Por delegacioni më i përgatitur, më i qartë dhe më i vendosur ishte ai i Shkodrës. Aty ishin At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi dhe Mati Logoreci, një elitë katolike që e kishte shkruar, kultivuar dhe mbrojtur shqipen për shekuj, dhe që e dinte se gjuha e një kombi mund të mbijetojë vetëm nëse lidhet me qytetërimin europian.
Elita shkodrane vinte nga tradita e Shoqnisë “Bashkimi”, e themeluar nga At Preng Doçi, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda dhe Shtjefën Gjeçovi, qendra më e rëndësishme kulturore katolike që kishte hartuar më herët alfabetin latin të shqipes dhe që për dekada mbajti gjallë gjuhën, arsimin dhe vetëdijen kombëtare.
Në krah të tyre qëndronin edhe figura të tjera të shquara, si Petro Nini Luarasi e Thoma Abrami nga Korça, Shahin bej Kolonja nga Kolonja, Sotir Peci nga Bostoni dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Por drejtimi kulturor, graviteti i vërtetë i Kongresit, vinte prej Shkodrës dhe prej kulturës katolike që ajo përfaqësonte.
Katolikët shqiptarë nuk ishin thjesht pjesëmarrës, ishin boshti i vendimit, bartësit e traditës së shkrimit dhe të arsimit shqip.
Kongresi e zgjodhi At Gjergj Fishtën kryetar të komisionit prej njëmbëdhjetë vetash që do të përcaktonin alfabetin përfundimtar. Ishte zgjedhja më e natyrshme: Fishta ishte autoritet moral, intelektual dhe kombëtar.
Në një moment të ndjeshëm, kur diskutimet po humbnin drejtimin, ai mbajti një fjalim mbresëlënës, aq të fuqishëm saqë preku edhe delegatët myslimanë, madje një hoxhë u ngrit dhe e përqafoi Fishtën para të gjithëve. Ajo skenë nuk ishte thjesht një moment emocional, por dëshmia se shqiptarët mund të bashkoheshin rreth një ideje të drejtë, kur ajo ide mbështetet në dinjitet dhe kulturë kombëtare.
Pas debateve dhe reflektimit të thellë kombëtar, Kongresi arriti në një vendim të vetëm: shqipja do të shkruhet me alfabet latin, me 36 shkronja, dhe vetëm me këtë alfabet. Alfabeti osman u la mënjanë njëzëri. Alfabetet greke e sllave nuk u morën më në konsideratë. U bë një zgjedhje e pastër: t’i kthehej shpinë lindjes perandorake dhe t’i hapej porta Evropës, ku shqiptarët kishin rrënjët e tyre të vërteta kulturore.
Dhe ky nuk ishte thjesht një vendim gjuhësor; ishte një shpallje e hapur e pavarësisë kulturore të kombit, shumë përpara pavarësisë politike të vitit 1912. Qeveria osmane e kuptoi menjëherë rrezikun. Po ashtu edhe Patrikana greke dhe qarqet sllave. Sepse një komb që shkruan gjuhën e vet me alfabet latin është një komb që ka vendosur të jetojë si europian, të arsimohet si europian, të mendojë si europian.
Ky është momenti që Lëvizja për Rikthim duhet ta theksojë me zë të lartë: katolikët shqiptarë ishin forca vendimtare që na dha alfabetin latin. Ishin ata që mbajtën shkollën, gjuhën, librin, fjalorin dhe kulturën gjallë në kohët më të errëta të sundimeve të huaja. Ishte Shkodra që e mbrojti shqipen kur të tjerët kërkonin ta zhduknin. Ishte At Gjergj Fishta që vendosi alfabetin, që bashkoi delegatët, që bindi kongresin dhe që na dha instrumentin themelor të identitetit kombëtar modern.
Prandaj sot, kur flasim për “rikthim”, nuk kemi të bëjmë me kthim pas apo me idealizim të së shkuarës, por me rikthim te themeli i vërtetë kombëtar, te rrënjët që na formuan dhe te orientimi europian që shqiptarët e vulosën me unanimitet në Manastir. Alfabeti latin mbetet dëshmia më e qëndrueshme e këtij orientimi, dhe trashëgimi e patjetërsueshme e kulturës katolike shqiptare.

Burimi/Facebook/Lëvizja për Rikthim


Leave a Reply