Nji foto e saj e gjetur në arshivë, u bë shkak për këtë shkrim të publikuar.
Luiza ka lindur në lagjen “Kala” në 30 mars të vitit 1914 ku edhe ka kryer shkollën fillore. Prindërit si dashamirës të arsimit e dërguan në shkollën e vajzave në Korçë. Për shkak të problemeve shëndetësore Luiza u detyrua të kthehet në Elbasan dhe daja i saj Vasil Andoni për të mos e lënë pa shkollë e regjistron në Normalen e Elbasanit ku edhe ishte drejtor. Ishte e vetmja femër në Normale për një vit dhe më pas janë shkolluar edhe vajza të tjera elbasanase. Nëna respektohej shumë nga të gjithë aq sa ajo do të hynte e para në shkollë pas rreshtimit të nxënësve dhe do të dilte e para nga klasa e më pas do të dilnin nxënësit e tjerë me përfundimin e mësimit. Pra për një vit Luiza kishte privilegjin të hynte e para në shkollë dhe të dilte e para nga klasa si shenjë respekti e të gjithë djemve që vazhdonin Normalen. Mbaroi shkëlqyeshëm në shkollë dhe duke qenë ndër të parat mësuese femra, Luiza jep mësim në Institutin “Femnuer Nana Mretneshe” në Tiranë. E gjithë kjo ndodhi në vitet para çlirimit kur ajo kujtonte ditët më të bukura të mësimdhënies. Puna e saj si mësuese do të merrte kthesë në të kundërtën direkt pas çlirimit. Duke qenë mbesë e Vasil Andonit me arratisjen e tij, do të ishte i menjëhershëm transferimi i saj nga kolegji mbretëror në… fshatin Rrilë në malet e Elbasanit. Nëna duhet të kalonte përroin e Zaranikës që të shkonte të jepte mësim në shkollën e largët. Ajo vuante nga epilepsia dhe sa herë që kalonte ujin rrezikonte jetën. Madje, vështirësitë ishin të mëdha edhe për kushtet ku do të qëndronte për shkak të varfërisë së skajshme të familjeve fshatare”.
Ky është nji rrëfim i vajzës së saj, Valentina Gjevori. Kështu Valka, si thërrasin miqtë tregon se shumë shpejt ato do të mbeteshin pa të atin i cili për shkak të disa problemeve shëndetësore dërgohet nga regjimi komunist në Jugosllavi për mjekim, por me mbylljen e kufijve për të nuk u mësua asgjë dhe ende ajo nuk e di fundin dhe varrin e të atit. E vetme me dy vajza, Luiza do të vazhdonte mes vështirësive të shkollës së fshatit dhe përndjekjen e familjeve që kishin lidhje me përkrahësit e Ballit. Drejtuesit komunistë e lëvizën nga shtëpia e madhe dhe Luiza bashkë me fëmijët dhe nënën e saj strehohen përkohësisht te familja Bici me të cilët kishin lidhje familjare. Më pas nëna e Luizës bëri të pamundurën që ato të ktheheshin në shtëpinë që kishin dhe mundën të kthehen.
Edhe pse ishte mësuese shembullore, që përkushtohej totalisht ndaj nxënësve, Luiza vjen në qytet vetëm në prag të pensionit.
Pastaj Valentina shprehet: “Vështirësitë për nënën time kanë qenë të mëdha edhe për faktin se ne shiheshim si familje me biografi të keqe. Asnjëherë nuk u vlerësua puna e saj edhe pse ishte një mësuese shembullore.
Vetëm pas ardhjes së demokracisë iu dha urdhri “Naim Frashëri”, që është edhe i vetmi vlerësim që ka marrë në gjithë jetën e saj”.
Dy vajzat e saj vazhduan shkolla të vështira për kohën pasi degë të tjera nuk u lejoheshin. Njëra prej tyre mbaroi teknologjiken në Tiranë dhe punoi në konservim. Vetëm pas shumë përpjekjesh arriti të studiojë Kimi Industriale. Ndërkohë, Valentina mbaroi Fizikë dhe shërbeu gjithë jetën e saj në arsim. Shkencat ekzakte janë karakteristikë e familjes Gjevori dhe duket se kjo prirje është përcjellë edhe te më të rinjtë.
Edhe pse ajo ishte e para femër në Normale dhe gjithë jetën i shërbeu arsimit, emri i saj nuk është përjetësuar në asnjë institucion shkollor, madje njihet shumë pak. E harruar në fshatrat e largët në komunizëm dhe pak e njohur pas viteve ‘90, Luiza do të ishte shembulli i mësueses që sakrifikoi madje edhe fëmijërinë e vajzave të saj me një përkushtim të rrallë për nxënësit. Madje, thuhet se edhe monumenti i vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit me siluetën e një femre mësuese, ka shumë nga Luiza Papajani si simbol i mësuesve elbasanas.
Kjo është nji histori e shkurtër e vajzës së parë në Normale që tregohet nga e bija e saj, Valentina Gjevori. Edhe pse ajo do të kishte privilegjin të vazhdonte e para shkollën e mësuesve, vështirësitë për të nuk do të kishin të sosur derisa doli në pension. Valentina thotë se nëna e saj ishte mbesa e Vasil Andonit, i njohur si aktivist i Ballit Kombëtar dhe kjo do t’i kthehej kundër pas çlirimit duke përfunduar pa shtëpi dhe të shërbente në shkollat më të largëta të Elbasanit.
“Asnjëherë nuk u vlerësua puna e saj edhe pse ishte një mësuese shembullore.
Vetëm pas ardhjes së demokracisë iu dha urdhri “Naim Frashëri”, që është edhe i vetmi vlerësim që ka marrë në gjithë jetën e saj”.
Ajo nuk pati asnji favor edhe pse pati mundësinë të shënonte emrin në regjistrat e shkollës Normale si e para femër e saj.
Edhe qyteti që e lindi dhe rriti, ku Luiza kontribuoi, as emrin e nji rruge të Elbasanit të saj nuk e mori mundimin t’i vendosi.
Burimi: Me shkurtime nga nji rrëfim i vajzës së saj, V. Gjevori në vitin 2013.
Punoi: Fatos Bajraktari
Manhattan, 21 nëntor 2025
Në foto: Luiza, monumenti mësuesve elbasanas e me nji grup mësuesish v.1938.



Burimi/Facebook/Albanian Digital Archives and Collections


Leave a Reply