
Shumë shkrimtarë do ta adhuronin të shkruanin një roman me një histori të tillë që na vjen nga kampet e përqëndrimit në Auschwitz, Birkenau apo nga Mathauzen, mbytur nga tymi i zi i oxhaqeve të krematorëve të vdekjes, ai tym, ai « qumësht i zi » për të cilin shkruante pas lufte poeti jetim Paul Celan në makthin e tij të kujtimeve që përfundoi nën urën « Mirabeau » të Parisit.
Alessandra Di Fiori na e dhuroi këtë libër me titullin « Luaj muzikë që të jetosh” – vajzat e orkestrës së Auschwitz ». Po, « Suona e vivrai”, ishte të jetoje në ferr dhe të detyroheshe të luaje muzikë që të mbijetoje, apo ta zgjasje pak më shumë jetën tënde në atmosferën dhe dekorin e tmerrshëm të telave me gjemba dhe lehjeve të qenve nën hijen e oxhaqeve të vdekjes, të luaje dhe shoqëroje ikjen në punën e detyruar të mijra hebrejve, duke dalë nga ajo portë ku lart shkruhej me gërma të mëdha « Arbeit macht frei », « Puna të bën të lirë ». Luanin ato vajza të mjera që dikur kishin luajtur në salla koncertesh e teatrosh dhe që tani nën syrin e egër të kapove dhe të frau Oberaufseherin Mari Madl duhej të luanin po Bethoven, Mozart, një « Chaconne » apo Chopin, muzikat më të bukura të botës, nën diellin e zbehtë dhe acarrin e tmerrshëm e të zymtë.
Ky libër është libri i tretë i Alessandra Di Fiori dhe për ta shkruar atë, siç thotë dhe ajo, i është dashur të kërkojë në arkivat e kampeve të përqëndrimit, të gjejë personazhet reale, të hulumtojë historitë e tyre, duke na sjellë histori origjinale të një jete kushtuar muzikës por me fatin e hidhur të vdekjes apo mbbijetesës. Pas krijimit të një orkestre analoge në kampet e burrave, edhe në kapanonet e grave në Auschwitz u krijua një e tillë në vitin 1943. Imagjinoj shpirtin e drithëruar të shkrimtares kur ka mësuar për fatin e secilës prej instrumentisteve. Ishin pianiste, flautiste, violiniste, luanin në perkusion apo mandolinë ; quheshin Alma, Lotta Kroher, Itta Wiernik, Helga, Flora, Regina, një violiniste që dikur kishte luajtur me një violinë « Guadagnini », vajza e gratë kërcënuara çdo çast nga vdekja dhe që duhet të luajnë. E megjithatë është muzika ajo që i mban në këmbë, që i mban gjallë me shpresën e jetës. Libri të mëson shumë dhe na bën të jetojmë jetën e disa prej tyre… vdekjen e Almës në 5 prill 1944 e cila zëvendesohet nga Sonia, një pianiste e re. Më pas ndodh vdekja e Malas e cila zevëndësohet nga Rochele që luan mandolinë e keshtu më pas zhdukja e muzikanteve hebre.
Mbaron librin dhe para syve të mbetet ai imazh i grupit të instrumentistëve tek luajnë muzikën më të bukur të botës në kampin e vdekjes ku Dante nuk e kish imagjinuar se mund të luhej muzika e gjenive të muzikës. Mbyllim librin dhe pyesim veten sërish se si mund të luhet Mozart ballë krematoriumeve të vdekjes, se si kriminelët më të mëdhenj të botës të kishin atë ndjesi të shijonin Mozart, Bethoven, Brahms… Edhe pse me shumë personazhe libri lexohet me një frymë e personalisht në çdo vdekje të një psersonazhi unë do të doja të qëndroja më gjatë, të ndjeja atë shpirt që përpëlitej dhe ku muzika i jepte ende frymë. Faleminderit Alessandra…
Burimi/Facebook


Leave a Reply