S’kam dashur të jem “plumbi” i fundit në gojën e pushkës, por ja që Zoti m’harroi, ose ndoshta u vonua pak, dhe unë mbeta si ajo kokrra e fundit që s’këputet, por digjet ngadalë, gati për të shpërthyer si “kokoroçka” – jo për të marrë jetë, por për të dhënë kujtesë. Për të shkruar për të tjerët, për të treguar kush ishin e çfarë ishin, e çfarë dhanë këtij vendi.
Dhe sot, më bie barra e hidhur: të lexoj lavde e epitete për kolegët e mi, por vetëm pasi ata kan mbyllur veshët, kan mbyllur sytë e kan harruar t’marrin frymë!
Ata që u shuan të harruar, jo për një “mirëmëngjes Enver”, “mirëmëngjes Faruk”, mirëmengjes Xhevat Qorraj, apo ndonjë “mirëmëngjes artist i madh i Dardanisë”, sepse ato përshëndetje kurrë s’munguan, por s’ishin për ta, ishin për kutitë e votave dhe për pushtetin që mbijetonte mbi shpinën e tyre.
Ikën pa e ditur, nëse mund ta lidhnin një mëngjes me mëngjesin tjetër me atë pension të varfër, nëse mund të blinin një xhup për dimrin e ashpër ose një këmishë të hollë për verën e gjatë. Ikën, e vetëm atëherë, kur u bënë emra në gurë, “të mëdhenjtë” e pushtetit filluan t’i lavdërojnë simbolet e artit. E harruan që këta njerëz, para se të bëheshin legjenda, ishin mish e kockë, kishin uri, kishin dhimbje, kishin mall për një kafshatë më shumë.
Ky nuk është vetëm fati i artistit – ky është fati i kombit. Ne jemi një popull që i ngremë lapidarë të shkuarës, por rrënojmë të tashmen. Një popull që këndon për heronjtë vetëm kur janë nën dhe, por i përçmon gjallë, duke i lënë të mbijetojnë me lotin e bukës së thatë. Një popull që di të thërrasë me zë të madh “lavdi!”, por harron t’i japë bukë atij që mbajti gjallë gjuhën, këngën, teatrin dhe kulturën tonë të përbashkët.
Por, mbetën ca artist të fotografisë, që me syrin e tyre panë edhe dritën e skenës, edhe pluhurin e prapaskenës, edhe sheshin e xhirimeve, edhe rrugën ku aktori e poeti kanë ecur të braktisur si hije mes turmave. Ata ua dinin namin dhe famën e vonuar, por edhe lotët e tyre të heshtur, të shtrydhur për të mbushur boshllëkun e shpirtit tonë kolektiv.
Faleminderit, maestro Avni Selmani, që nuk u binde me heshtjen. Faleminderit që shkruan për ata që na bënë të qeshim e të qajmë, që na dhanë frymë kur errësira ishte e plotë, që me artin e tyre mbajtën gjallë identitetin kulturor të këtij kombi të varfër.
Sepse pa artistët, pa poetët, pa aktorët, këngëtarët, piktorët që shpirtin e tyre e dogjën për ne, kombi ynë do të ishte një trup pa frymë, një flamur pa ngjyra, një gur pa emër.
Dhe ky është mësimi i madh: lavdia e vërtetë nuk duhet të vijë vetëm pas vdekjes. Ajo duhet t’i ushqejë gjallë ata që e meritojnë, ndryshe do të jemi gjithmonë një popull që adhuron hijet, por përçmon njerëzit. Një popull që qan për të shkuarën, por e lë të vdesë të tashmen.
4 tetor 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply