Duke falënderuar LDnëMZ-në për ftesën, më lejoni të kujtoj se 9 shtatori i sotëm shënon ditën e themelimit të këtij subjekti, një datë me rëndësi e të veçantë për shqiptarët në Malin e Zi. Kjo ditë na rikujton sakrificën, vizionin dhe përkushtimin e atyre që e ngritën këtë subjekt politik në një kohë të vështirë, duke e bërë atë një shtyllë të fortë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona kombëtare.
Si themelues dhe sekretar i parë i LDnëMZ-së, shpreh respektin më të thellë për punën që ka bërë ky subjekt dhe për arritjet që janë realizuar përmes tij, qoftë në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi, në kohë lufte, qoftë në angazhimin për realizimin e projektit të Komunës së plotë të Tuzit, por edhe të qeverisjes së parë të asaj komune urbane.
Natyrisht, kanë ekzistuar arsye që në një moment të caktuar të ketë mendime të ndryshme, por kjo asnjëherë deri më sot nuk më ka shtyrë as të mendoj, as të veproj kundër këtij subjekti. Por, në ato rrethana të reja u formua LDSH-ja, të cilën e drejtova 5 vite dhe më pas ua dorëzova të rinjëve për ta drejtuar në kushte jo të lehta. Dua të veçoj se kam një respekt të veçantë për gjeneratën e re, e cila mori përsipër përgjegjësinë e madhe për të vazhduar veprimtarinë dhe për të mbajtur gjallë frymën fillestare të organizimit politik shqiptar.
Në fund, shfrytëzoj rastin t’u uroj këtë 35-vjetor, në veçanti, bartësit të punëve të kryetarit të parë të LDnëMZ, kryetarit të komunës së Ulqinit, deputetit… z. Mehmet Bardhi, themeluesit kryesor të tij, z. Lek Lul (Lek Lugjuraj), por gjithësesi edhe drejtuesit të sotëm të këtij subjekti, z. Saubih Mehmeti, i cili po ashtu përpiqet të veprojë në frymën e themeleve të këtij subjekti.
Besoj fuqimisht se përmes unitetit, bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët politik, shqiptarët në Mal të Zi do të jenë gjithmonë më të fortë dhe më të respektuar.
Gëzuar 09. shtatori 1990!




Burimi/Facebook


Leave a Reply