Ajo ditë ishte e hënë, deri të dielën në orën dhjetë ishte krejtësisht e kthjellët. Unë dhe fëmijët tanë gjatë orëve të fundit ishim në shtrat pranë saj. E përqafonim, e ledhatonim, i flisnim pa pushim. I mbaj brenda meje fjalët e saj të fundit. Por nuk ia dal t’i them, të më dalin nga goja. Është shumë e rëndë».
«U sëmur shtatë vjet më parë. Atëherë unë drejtoja Venezian. Një nyjë në gji. Dukej gjë e zakonshme. Operacion në Brescia. Më pak se dy vjet më pas një problem në një gjëndër limfatike. Operacion i ri, shumë metastaza, kimioterapi. Një katastrofë.
Gjatë rikthimit të fundit që pati, unë drejtoja Romën. Manuela donte të kthehej në shtëpi, ndaj bëmë një marrëveshje: i thashë se, nëse kurat do të ishin të rënda, do të isha çdo minutë pranë saj. Ajo ishte përparësia ime. Jeta e saj ishte jeta ime. Kështu dhashë dorëheqjen dhe u ktheva në Orzinuovi.
Shumë u habitën, për mua ishte një zgjedhje e natyrshme. Futbolli, ndonjëherë, ka frikë nga normaliteti».
«Jam me origjinë nga Orzinuovi, në provincën e Breshias. Atje është sheshi Vittorio Emanuele, një shesh i bukur me portikë. Manuela e kam njohur pikërisht aty, në bar, një të diel pasdite. Luaja në Serie B me Cremonesen, kthehesha nga ndeshja, kisha dëshirë për një çokollatë të ngrohtë. Ajo ishte me një shoqe të saj. Thjesht u pamë. Na pëlqeu menjëherë njëri-tjetri.
Të nesërmen, me një justifikim, shkova ta merrja nga shkolla.
Unë kisha tetëmbëdhjetë vjeç, ajo nuk i kishte mbushur ende pesëmbëdhjetë.
Që nga ajo ditë nuk jemi ndarë më. U martuam në vitin 1982. Atëherë isha tek Juventusi. Dëshmitarët e mi ishin Antonio Cabrini dhe Domenico Pezzolla, shok imi tek Cremonese. Sot ai është ambulant, shet djathë.
Në tridhjetë vite unë dhe Manu jemi zënë vetëm një herë, për faj të një rakete tenisi.
Manuela më mësoi të përdorja fjalët. Më thoshte: “Cesare, gjëja më e rëndësishme është të dish çfarë do. Ta pyesësh veten dhe të kesh guximin t’i japësh përgjigje”».
«Nga futbolli nuk më pëlqen teprimi, polemikat, gjyqet, arroganca, marrëzia, harresa. Kur luaja unë, argëtoheshim më shumë, shoqëroheshim mes shokësh pas ndeshjeve, pas stërvitjeve. Ndanim vetmitë tona. Sot futbollistët e bëjnë shumë më pak. Ky botë ka dhënë punë për shumë, por shumë të tjerë e marrin tepër seriozisht. Dhe megjithatë, bën një punë që e do, të japin një thes me para, je i privilegjuar. Jeton një jetë që nuk është normale.
Nëse kam një cilësi, ajo është se di të zgjedh “veshjet e mia mendore”. Nuk mund të marr një mënyrë të të qenit që nuk është e imja. Nuk di të bëj sikur».
«Që kur nuk stërvis më, jam kthyer në Orzinuovi. Në shtëpinë e prindërve të mi, që nuk jetojnë më.
Nga babai im, që e humba në moshën 16 vjeçare, mësova respektin për punën, shpresoj ta kem bërë timin. Nga nëna, fizikalitetin e dashurisë, mos turpërohesh ta duash, ta tregosh me zemër, me mendje, me duar».
«Besoj se ka lloje të ndryshme dashurie. Ajo për një grua, ajo për fëmijët, ajo për miqtë. Kam zbuluar se shumë njerëz kanë frikë të duan, kanë frikë të jetojnë dashurinë. Sepse në dashuri duhet të japësh, duhet të jesh altruist. Ndoshta është më e lehtë të mos duash. Shpesh jemi robër të egoizmit tonë».
-Cesare Prandelli-
Burimi: La Repubblica
Burimi/Facebook


Leave a Reply