Libri im me poeziDUA T’I PUTHË DASHURITË
Botimi i dytë
Ja dhe fjala e redaktorit Xheladin Mjeku
Xheladin MJEKU
DASHURIA E DASHURIVE, SI LAJTMOTIV
Gjithçka që punohet me dashuri
Në shpirt është paqësore
Në sy është diellore
(Diellore, fq. 53)
Këto vargjeve të shkëputura nga poezia Diellore, vijnë si moto e një brumi shpirtëror në poezinë e Valbona Ahmetit. Një shpalosje e realiteteve poetike, të cilat e ndërtojnë gjithë lëndën e librit Dua t’i puthë dashuritë, që tashmë ka trasuar rrugëtimin e saj të qëndrueshëm, duke kapërcyer shtigje e kontinente, deri në Montrealin e largët kanadez, tutje oqeanit, ku jeton e vepron autorja, për të shpërfaqur dashurinë që e preokupon në çdo segment të jetës, për gjithçka që e ndien, e prek dhe e rrethon, duke kalkuluar kështu një rezultat të pranueshëm për punën dhe përkushtimin e saj në lërimin e poezisë prej vitesh. Një ngjyrim atdheu, i stolisur me fije malli e dashuri njerëzore që mbajnë të pashkëputura lidhjet shpirtërore me atdheun, si një frymëzim i përhershëm motivues, i gërshetuar me përditshmërinë e jetës në mërgim, si dy skaje të urës tejoqeanike që sjellin frutet e një prodhimtarie të vazhdueshme poetike i japin imazhin e plotë kësaj poezie.
Shkas i çasjes kësaj poezie është domosdoshmëria e botimit të dytë të librit, pas një pranie relativisht të gjatë në opinionin artdashës, që dëshmon për vlerat dhe mesazhin që përçon gjithandej te lexuesi i pasionuar.
Hapërim i dëshmuar në arenën poetike
Që nga paraqitja me librin e parë Heshtja që vret, Valbona Ahmeti bën të kuptohet se ia ka zënë fillin vargut, përmes të cilit do të shpalos botën e saj shpirtërore për jetën, të bukurën, për mallin e pashuar për vendlindjen e saj. Poaq e rëndësishme është të theksohet se edhe në librin e dytë Drenicë, zë i lirisë nuk mungojnë këto trajtime poetike, gjithnjë në shtrirje edhe më të gjerë të rrafshit tematik, me theks të veçantë prekjen e dy dashurive që do ta preokupojnë vazhdimisht: Atdheu, si temë bosht dhe, Dashuria, që është strumbullar i dyfishtë i kësaj poezie, ku e takojmë herë si dashuri për njeriun e shpirtit, herë për të afërmit e saj, për heronjtë, për lirinë; herë si dashuri për atdheun, vendlindjen, si opsione të pashterrura frymëzimi, të vlerësuara edhe në një shkrim tjetër të mëparshëm Imazhe poetike për dy dashuritë që ndrynë në shpirt, si pasthënje për librin Drenicë, zë i lirisë, (fq. 87).
Në koherencë me krijimtarinë e saj të vazhdueshme do ta takojmë edhe në librin e tretë Dua t’i puthë dashuritë, me një gamë më të zgjeruar të trajtimit të situatave, tematikave dhe, sidomos të prekjeve refleksive të temave me ndjeshmëri shpirtërore për njeriun e saj të dashur, që nuk ndalon ta takoj gjithandej në jetë, në vendlindje, në çmallje dhe evokime kujtimesh e dashurish të pafund.
të ndiej si tingull në çdo rrahje zemre
ke ngjyrë dhe aromë lule pranvere
të kam muzë në çdo varg poezie
në folenë e shpirtit më je dashuri perëndie
(Dashuri perëndie, fq. 9)
për të vazhduar me po të njëjtën dashuri edhe më tutje, sepse vetëm dashuria për ty/ më fle në shpirtin tim/ atdheu im! (po aty, fq. 9).
Poezia për dashurinë si fenomen, por edhe si ndjenjë dhe mall ka zënë hapësirë të konsiderueshme në këtë libër, që me përgjegjësi do ta veçoja si një ngritje vlerash dhe realizimesh, që vjen si kupolë e qëndrueshme e opusit krijues të deritashëm të Valbona Ahmetit. Kjo poezi, e shtrirë në disa nga ciklet që e strukturojnë librin prek edhe tema nga e kaluara jetësore, herë si kujtime, herë si mall e dashuri që nuk mbaron kurrë, vjen e përsëritur pothuajse në shumicën e cikleve të librit, gjithnjë në bashkëudhtim edhe me poezi motivesh të tjera. Poaq të vlefshme janë edhe poezitë që trajtojnë tema për familjen, gruan, mirëqenjen njerëzore, ku respekti dhe krenaria ndodh që në ndonjë rast rrugëtojnë në paralele të kohës, pavarësisht që këto fenomene janë të njohura, por shikuar nga prizmi i shtjellimit, dalin të jenë veprime paksa më arkaike, ndonëse e dinte se pa frymën grua nuk ekzistonte/ fatin e saj në grusht e mbante/ burrëria e tij si shkumë në breg të detit/ ajo duronte me shpresë/ se do të përfundonte në ferr/shpirti i tij skëterrë (Shpirti i tij skëterrë, fq. 36). E tillë është edhe poezia Lozë barishtore, e ndonjë tjetër që trajtojnë këto vese, ku autorja përmes vargut të saj synon t’ua kthen buzëqeshjen, dashurinë për jetë dhe ecjen krah me botën. Të këtilla raste duhet trajtuar ndryshe, që t’i kthehen gëzimit të jetës, preokupim i vazhdueshëm ky, edhe i Valbonës, që nuk pushon së kërkuari zgjidhje e përkrahje të qëndrueshme nga shoqëria dhe individë me influencë pozitive. E kundërta e dashurisë do të ndodh te poezia Vjeshtë e përlotur, ku vetë zymtësia e stinës ngjason me ngjarjet që i takojmë në çdo vend, aty ku qyteti u braktis/ trotuaret pa zhurma këpucësh/ parqet pa të qeshura fëmijësh, (madje edhe braktisja e zogjëve vjen si pjesë e kësaj zymtësie), për të hetuar më tutje një grup plisbardhësh në kafene që bdarin ditën me lojë shahu. Monotonia e ditës përshkruhet edhe me dhimbjen e një nënëloke, që fshin lotin/ me qoshin e shamisë/ dhe ofshanë:/ -sot e përcolla të vetmin djalë! (po aty, fq. 45). Por jo vetëm kaq mund të ndodh në një ditë të këtillë, meqë në çast atje nën çati u sulën dy të ri/ strehuar nën kupolën e dashurisë/ puthjen e ditës nuk e lanë fjetë/ vjeshtës së përlotur i dhanë jetë (po aty, fq. 46). Nga kjo laryshi ngjarjesh të një dite vjeshte, autorja sheh edhe anën tjetër të medaljes, prandaj: largoj kokën e mbështetur në dritare, për t’i krijuar hapësirë të rrjedhin ngjarjet tutje, meqë kishin filluar mesazhe germëzuar mbi qelq avullohen/ në galaktikën e shpirtit rrinë pezull yjësit/ dëshira për pak dashuri zgjohet si muzë/ të ngrohet loti i ngrirë (Vjeshtë e përlotur, fq. 46). Kthimi i shpresave pë një ndryshim tjetër nuk ia humbasin vullnetin asnjëherë, sepse aty ku reflektojnë elemente të jetës, dashurisë dhe shpresave, padyshim që një ditë gjërat do të kthehen në të mirë. Këtë mendim edhe më bindshëm e tumirë poezia Lamtumirë e djeshmja, siç do ta shpreh mendimin e saj autorja: të ardhmen e dashuruar përqafoje fortë/ lamtumirë e djeshmja si hënëplotë/ qëllimit hapja krahët në çdo çast/ çdo nismë e tillë është një tjetër fat (po aty, fq.47).
Nuk ka dyshim që gjithmonë ngazëllehemi kur mësojmë për ngjarje të mira, kur takojmë vepra, poashtu të mira dhe, gjithësesi edhe atëherë kur takohemi me njerëz të virtytshëm e shpirtbardhë, sepse askush tjetër sikur ata kanë gatishmërinë që: çdo të keqe e sfidojnë/ çdo urrejtje në hone e çojnë/ falin gabime e mbjellin mirësi/ shpirti i tyre dritëson dashuri (Njerëzit e mirë, fq. 71).
Dua t’i puthë dashuritë, e zbërthen plotësisht mesazhin që përçon fjala dhe mendimi poetik i Valbona Ahmetit, pavarësisht që aty gjejmë edhe poezi me motive të ndryshme, përveç atyre për dashurinë, në kuptimin metaforik.
dua t’i puthë dashuritë
mrekullisht të më rrjedhin si limfat në brendi
nën qerpik të hënës të jem sy i zgjuar
roman të mbetet çdo ndjenjë e përjetuar
(Dua t’i puthë dashuritë, fq. 81)
me dëshirat e pafund që në vazhdimësi dua të kënaqem duke i shënuar në ditarin e zemrës/ të gjitha mrekullitë (po aty, fq. 81). Një pasqyrim i denjë i ëndrrave të jetës, ku e bukura, sublimja dhe mrekullitë e jetës mbizotërojnë në çdo rast, për të ndërtuar imazhin e çiltër përtej dhimbjeve, shqetësimeve, sprovave të ndryshme që do ta përshkojnë rrugëtimin jetësor, ajo sikur e sheh në çdo çast triumfin e të vlefshmës, dëshirave dhe adhurimit të mrekullive që ndodhin.
Muzat tematike që nuk shterrojnë
Valbona Ahmeti në poezinë e saj të shumtën e herave nuk përdor pikësimin, sepse ajo nuk ka aq kohë të ndaloj në çdo zikzake fjalësh, derisa ka para vetes edhe shumë për të thënë e për të krijuar. Ky vlerësim pasqyron vrullin e muzës që nuk shterron, as në aspektin tematik, as në progresin e shkrimtarisë ngulmëtare në përmbushjen e planeve krijuese, që si duket nuk janë të pakta. Një evoluim i shpejtë i krijimtarisë letrare i përshkuar me ndërtime mjeshtrore të vargut dhe pasuri gjuhësore, i japin gjatësi kohore kësaj prodhimtarie poetike. Përveç asaj që u tha për poezinë, ka edhe shumë për tu zbërthyer, marrë parasysh defilimet e ndryshme tematike, motivore dhe emocionale, që e provokojnë unin e saj krijues. Ajo edhe kur ndodhet Fillikat nuk zmbrapset nga qëndrimet ngulmëtare për të tejkaluar çdo pengesë: diku në këndin e qytetit të vjetër/ në Vieux-Port në një lokal mezi zura vend/ me brengat fola si një endacak/ të gjitha i piva me kafe fillikat (Fillikat, fq. 40), duke i kaluar të gjitha pengesat drejt synimeve të reja: vrapojmë pas kohës me ritëm krejt të shfrenuar/ dremitet zymtësia e ditës sypërlotur/ një gotë verë e pimë buzëmbrëmjes/ e dehemi nga llumi i jetës (Llumi i jetës, fq. 41).
Është paksa më e veçantë poezia që krijohet në mërgim. Atë e përshkojnë motive, që herë-herë kanë ndërlidhje kohore dhe territoriale largësish të ndryshme, duke prekur dy skajet e qëndrimit fizik dhe mendimet e krijuesit. Kjo shtrirje gjeografike në dy versionet e ndryshon edhe kuptimin dhe, në masë të konsiderueshme, edhe motivet që imponohen si mall, dashuri, kujtime e heroizma, që si tërësi përbëjnë një kollazh të jetës në mërgim. E një situate të këtillë është edhe poezia Në ditën e bardhë, ku nëna nga vendlindja do të komunikoj me bijën e saj duke krijuar kështu një ndërlidhje hapsinore dhe kohore, pa e lënë anash edhe frymën atdhetare, si amanet historik. Çdo ditë merrnin lutjen dhe bekinin tim/ për të kujtuar edhe urimet e tyre që ia dëshironin në vazhdimësi: ata krahëshqiponjash më përqafonin me radhë/ – urojmë loke, të takohemi në ditën e bardhë! Ky trekëndësh i veprimeve e ndërton mesazhin e përbashkët mes nënës dhe autores:
tani moj bijë nuk kërkoj ndonjë gjë të madhe
të paktën për vdekjen time
ushtarët e mi të shkrepin fishekzjarre
-po e shtrenjta ime rri pa merak
kërkesa jote është me hak!
(Në ditën e bardhë, (fq, 56)
Shikuar në kontestin e ndërtimit, kjo materje poetike konsiston në trajtimin e shumëllojshmërive tematike, ku dashuria për njeriun, malli për atdheun, historia e lavdishme dhe heroizmi në breza; pastaj socializimi me realitetet e jetuara dhe të përjetuara, ambientimi me përvojat jetësore, etj. e portretizojnë rrugëtimin poetik, që shpërfaqet edhe në shumë poezi të tjera, disa prej të cilave do t’i veçoja këtu, si: Prishtina, Tinguj metafore, Qyteti i nusëruar, Porta e dritës, Pagëzimi i dritëlindjes, Vakumi i zemrës, Ditë pranvere, Dashuria nënë, Pulëbardha, Sonte të cakërrohen gotat, Leos, Jeta është e bukur, (La vie est belle), Miliona yje dehnin qiellin, Shtegut të shpirtit, etj. Megjithatë, pavarësisht sprovave me të cilat përballet jeta, dashuria është eliksir/ me tinguj zemre butësisht flet/ dëlirëson shpirtin plot madhështi/ e vetmja të bën të ndihesh mbret (Dashuria është eliksir, fq. 107).
Përtej frymëzimit
Valbona Ahmeti për më shumë se një çerek shekulli do ta udhëzoj vargun e saj në relacionet atdhe-mërgatë, duke reflektuar dashurinë e pasosur për vendlindjen, për të dashurit e saj të kudondodhur, që vazhdimisht do t’i puthë me dashuritë e përmallimit, që në përmasën e realizimit poetiko-letrar sjellin një realitet të jetuar në shumë aspekte, për të lënë hapur mundësitë që kjo poezi të krijoi opinionin e qëndrueshëm edhe në të ardhmen.
Në kontest të kësaj që u theksua për poezinë e saj, përqueshmëria e mesazhit qëndron mbi bazamentin e dashurisë sublime për jetën dhe atdheun, si dy komponente të pandara, që përvetësojnë adhuruesin elitar të poezisë, duke ndërtuar kështu imazhin e çiltër të realitetit jetik edhe përtej frymëzimit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply