Kam nisë me u futë n’levoren e pemëve ku mbështes kurrizin. Ato m’japin forcë, ma ruejnë shpinën prej krimbave e bubrrecave. Prej njerëzve askush s’të mbron: ata t’çajnë me sy edhe pa armë, të përpijnë si uji n’gurrë e s’të llogarisin për qenie frymore. U dukesh si gjeth që fryhet prej erës e bjen përdhe sa herë ua zen diellin.
Jo! Prej gojëve të tyne s’ka shpëtim. Të kafshojnë herë si tulin e kofshës, herë të thithin si palcën e ashtit. Ata i ke ditën nën diell e natën nën hanë, përpara e mbrapa. Duhet me qenë pa gojë, pa sy e pa veshë – veç mos me ua trazue detin. Se as pema, as rraja e saj s’të shpëton prej thikave që i kanë mshefë n’bebza.
Kam nisë me harrue dhimbjet e djeshme. Se po t’i kujtosh, ato do t’rriten, randohen, bahet e pamundun me i çue as te pema, as te prroni. N’shtrat t’presin me ta gërrye shpirtin, e te dera rrinë mos me t’lanë me dalë ndër shokë. E shokët – ata që i deshta e që më besuen – u lodhën ma shumë se unë prej kulpnajave që lidhën shtatit t’lisave. U shtrinë n’dheun që s’flet, për mos me pa ma, mos me folë ma, mos me ndëgjue ma shamje që s’maten me asnji kandar.
Kam nisë me folë me pemët e qytetit. Dje u mbështeta te rrapi i moçëm, përballë xhamisë së Sinan Pashës n’Prizren, e i thashë:
– Aman, ti që sheh gjithçka, kujdesu kush po hyn e kush po del prej xhamisë, se këtu po u zijka fort qervishi i pulës e mos po na bahet vonë për kapuçat e bardhë!
“Cili je ti?” – më pyeti një burrë. Jo pse s’e dinte, po pse unë e kisha sharkinë n’prehën e sytë i kisha ngulë te çezma e xhamisë, ku pinin ujë edhe prej Shqipnije, edhe prej Sirie. Bile gruen siriane e ndihmova me pesë euro – më kujtoi refugjatët tanë kur krajli i Serbisë i nxuer jashtë. Ajo më falenderoi n’gjuhën e vet, e unë ia cingërova telat sharkisë, si me dashtë me mbytë dhimbjen për njerëzit që vuejnë për bukë goje.
“Jam Uc Mehmeti!” – iu përgjigja burrit që më pyeti kush jam.
Ai qeshi e tha: – U tuta mos je hoxhë me pantallona t’shkurta, ardhë prej lindjes me ket sharki?
Me thumb i kishte fjalët. – Mos je shkodran? – i thashë, por ai s’foli. Qeshi e shkoi me pi ujë te shadërvani.
Ndërkohë, Luli argjendari ishte nervoz:
– E pe ç’bani Kurti? E pe? Ky don me e shkatërrue këtë popull e këtë shtet!
– Mos u merr me politikë, – i thashë. – Ari me argjendin s’përzihen, as sermat me bakrin.
Edhe ai shkoi drejt dyqanit të vet.
Kam nisë me folë me dhimbjet e mia. Prej frikës, i shkruej doktoreshës Bardha n’Lezhë:
– Çka janë këto andrra e këto gjandrra? – i thom.
Ajo më kthen:
– Mos u bâfsh për doktor, se ata s’i besojnë as vetvetes!
E qeshi.
Mua më duket se kam nisë me luejtë mendsh, jo prej moshës, por prej marazit të pushtetarëve. E nuk ndahem prej pemëve. Aty mbështes kurrizin, aty këndoj:
“Iku vera, erdhi vjeshta,
u mbush leshi plot me pleshta…”
Prizren, 21.08.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply