Një insekt i vockël sa një pikë, ra në pellgun e kthjellët të burimit dhe i gjithë uji u drodh. U rrëqeth nga ngacmimi i një insekti. Sa i ndjeshëm, si të përkëdhelej nga një dorë e stërvitur të dashuruari. Rrëqethja krijonte rrathë simetrik me qendër insektin-pikë. Dukej, sikur vetë ai, i lindte keta rrathë. Pastaj i rriste, i rriste, me një simetri të habitshme, derisa i shuante një e nga një anëve të pellgut. Përfund, uji që delte nga nëndheu, prodhonte një kthjellësi qiellore që i theksonte habitshëm të gjithë rrathët që lindnin, rriteshin
dhe vdisnin brenda një kohe, e cila ishte e barabartë për të gjithë. Ndërsa vetë insekti vazhdonte të rrinte në mes të pellgut. Lëvizte kembët dhe prodhonte rrath pambarim.
Po mahnitesha duke soditur mrekullinë gjeometrike që më shfaqej përpara syve. Lëvizjet e insektit po bëheshin më itensive; rrathët më të shpeshtë. Vazhdonte të luftonte për t’i shpëtuar fundosjes, pa kuptuar asgjë për spektaklin e bukur që po jepte përpara meje. Ai aktor, e unë spektator. I përhumbur pas lojës vura re se lëvizjet e insektit po bëheshin rrotulluese si vetë rrathët që lindte. Tani vetëm sa ishte shtuar një pikë rrethore në qendër, sepse rrathët e tjerë vazhdonin të ruanin simetrinë, lëvizjen e njëtrajtëshme dhe shuarjen anës ujit. Ndërkaq lëvizjet po bëheshin më të ngathëta. Këmbët lëviznin më ngadalë dhe rrathët po bëheshin më të rrallë. Megjithatë, ishin njësoj te bukur, si më parë. E ruanin akoma largësinë dhe kohën e barabartë që i ndante nga njëri-tjetri.
Natyrisht, çdo shfaqje ka kurbën e saj; uljegritjet dhe kulmet. Ja, tani, kurba ishte në kulm. Ndoshta po përgatitej akti final. Ai që i vë vulën përmbajtjes së një shfaqjeje dhe vlerave të saj. Është akti që përcjellë mesazhin tek spektatori.
Insekti po bëhej më i rëndë. Ngadalë u mbulua me ujë dhe kembët ju prenë. Ra në fund të pellgut dhe që andej dërgoi frymëmarrjen dhe rrethin e fundit që u shua pa mbrritur anët e tij. U shua njësoj me insektin. Ishte akti i flijimit. Sipari u mbyll.
Ai insekt natyrorë u flijua të zbavitesha unë. E unë?!… Thjeshtë një spectator indiferent që duartrokita vdekjen e tij. Sa keq!…
Burimi/Facebook


Leave a Reply