Së shpejti do ta keni në dorë për lexim.
Nuk e di pse nuk u zhvillua kurrë një betejë kundër Malit të Zi, por e di që, meqenëse udhëheqësit e Lidhjes nuk mundën kurrë ta përfundonin atë, disa udhëheqës thanë: “ose luftojmë, ose kthehemi në shtëpitë tona dhe punojmë tokat tona”.
Ndërsa zjarri fillestar po shuhej, ja ku vjen Pasha i Shkodrës me ushtrinë e tij pas Lidhjes për të ndihmuar malazezët. Çfarë tradhtie! Çfarë mizorie e trishtueshme nga ana e qeverisë së Kostandinopojës! Për sa kohë që Fuqitë e Mëdha heshtën, qoftë hapur apo fshehurazi, ai i nxiti shqiptarët në luftë.
Kur ata thanë: “Ne kërkojmë përmbushjen e Traktatit të Berlinit”, ai i sulmoi ata me gjithë fuqinë e tij. Kështu, Mali i Zi arriti të pushtonte Tivarin dhe Ulqinin, ta copëtonte Shqipërinë, dhe turqit nuk fituan asgjë tjetër përveç turpit dhe sikletit të sakrifikimit të nënshtetasve të tyre.
Por kjo nuk mjaftoi. Çështja, tradhtia, shkoi më tej. Pasi udhëheqësit e Lidhjes u tërhoqën, pashai donte t’i pasuronte ata me dashurinë që i kishte treguar. Një ditë, të ftuar nga Pashai i Shkodrës për të shkuar me kalë në portin e Shëngjinit për kënaqësi, ata gjetën një avullore turke që i priste për t’i çuar në mërgim të përjetshëm.1)
Të gjitha këto trazira shumë reale më sjellin ndërmend ato fjalë që gjenden në Arpën italo-shqiptare: “Është e qartë se shqiptarët e varfër janë në telashe, por kanë frikë se mos përkeqësohen. Do të donin të shmangnin Skilën, por kanë frikë se mos përballen me Karibdën, janë në tigan dhe nuk duan të bien në prush”.
Ja, shkurtimisht, pozicioni i tyre aktual dhe pikëpamja e tyre e saktë mbi këtë pikë. Dhe meqenëse, thonë ata, nuk ka asgjë më të mirë që na ofrohet ne sesa të asimilohemi dhe të shkatërrohemi nga pansllavizmi që po depërton, ne preferojmë t’i nënshtrohemi, për aq kohë sa Zoti dëshiron, sundimit turk me të gjitha të këqijat e tij, sipas parimeve të maturisë së shëndoshë, të cilat diktojnë se duhet të zgjidhet më e vogla nga dy të këqijat. Kjo është ajo që thonë ata, dhe duket se kanë të drejtë. Situata aktuale në atdheun e Skandërbeut është vërtet kritike dhe e pafat. Zoti e ruajt Shqipërinë! Doja ta sillja këtë pasazh që tia bëj të njohur mendimin e kohës.
Burimi/Facebook


Leave a Reply