I dashtun Simon,Kur më ra në dorë letra që kishe pranuar “për fillimin e bisedimeve dhe procedurave për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, është pak të them se, u befasova! Por edhe kësaj befasie të parë iu shtua një ndjenjë që më tmerroi kur lexova, arsyet e kësaj procedure. Arsyet e theksuara; “efikasiteti, efektiviteti, produktivitet dhe cilësia në punë”, unë si aktor e Profesor i mjeshtërisë së aktrimit pranë FAD – Shkup, nuk mundem assesi t’ia bashkëngjis figurës tënde si aktor!
Përveç punëve profesionale që kam pasur kënaqësinë t’i ndjek në shfaqjet e Teatrit “Migjeni”, unë kam edhe shumë e shumë referenca tjera profesionale, të cilat referenca këto arsye të shënuara në këtë letër i bëjnë NUL, siç thonë juristët!
Duke mos dashur të shkruaj “letër përkrahjeje”, po e rrëfej vetëm një ngjarje që dëshmon referencat e mia profesionale në raport me ty.
Gjatë xhirimeve të sezonit të dytë, të serialit më të madh ballkanik “BESA”, ty të ishte besuar një rol e që sipas planit do duhej të xhiroje pas tre javëve! Por, një ditë, në mesditë sapo unë mbarova skenën time më ftoi në mbledhje urgjente të produksionit, Producentja kryesore TEA KOROLIJA! Kishte ndodhur diçka që rrezikonte produksionin. Aktori Hazir Haziri që kishte rolin e Avokat Braho-s, e kishte të pamundur që të vinte në Budva për xhirime, sepse kishte dalë pozitiv në testin e covid 19! Ndërsa skena e tij ishte e planifikuar të xhirohet në mbrëmje! Situatë alarmante për produksionin, dhe Tea nga unë kërkoi mendim dhe sugjerim për aktor i cili mund të vij sot, dhe pas disa orëve të del në shesh xhirimi, ku do duhej të luaj personazhin që do e njeh sapo të ia dërgojmë skenat në mail. Dhe do duhet të luaj me aktorët Florist Bajgora dhe Ervin Bejleri të cilët tashmë kishin kaluar fazën para përgatitore ku kishin bërë disa ditë prova me Hazir Hazirin. Kolegu Hazir Haziri edhe në sezonin e parë kishte luajtur të njëjtin personazh. Pastaj personazhi kishte skena me Arben Bajraktarin si dhe me legjendën e filmit jugosllav Mima Karaxhic! Unë ngela i stepur para kësaj përgjegjësie. Së pari duhej aktor, kuptohet i talentuar që mund të ballafaqohet me rrethanat e vështira artistike, si dhe (kjo për mua më e rëndësishmja) aktor që ka përgjegjësi, se në këtë rast nuk përfaqëson vetëm veten e tij si profesionist, por edhe vendin prej nga vjen (Teatrin ku punon) si dhe shkollën ku ka studiuar aktrimin.
Pas shoshitjes së disa emrave të kolegëve që i përmbushnin kriteret e kërkuara shkaku i rrethanave, disi brenda meje emri yt, filloi të spikatet, pasi përveç përgatitjes profesionale, pikërisht përgjegjësia profesionale dhe shoqërore ishte ajo që mbisundoi te unë. Dhe i bindur se ti do ia dalësh, të propozova. Producentja Tea Korolija dhe regjisori Nikolla Ljuca as që e vunë në diskutim propozimin tim, pasi kishin besim tek unë. Dhe ashtu ndodhi. Ti erdhe pasdite në Budva u ule me regjisorin dhe skenaristin biseduat për skenat. Dhe u ndatë, gjatë përshëndetjes ata të thanë “Zoti të ndihmoftë”! Të njëjtën e thash edhe unë që isha aty, me ty, duke të përkrahur sepse e dija peshën e gjithë asaj që duhej realizuar. Si dhe kisha edhe ndjenjën e fajit që unë të kisha propozuar për një sprovë të tillë artistike e njerëzore. Ti, miku im i dole. Ia dole, jo vetëm siç themi në Tetovë, të ma zbardhësh fytyrën mua që të propozova, por edhe Teatrit “Migjeni” ku punon si dhe Akademisë së Prishtinës dhe Profesoreshës tënde të nderuar Ilire Vinca! Ajo që ndodhi atë natë si dhe në ditët në vazhdim, ishte përfaqësim i dinjitetshëm i Simon Shkrelit – Aktor në Teatri “Migjeni” në Shkodër. Producentja Tea Korolija pasi përfunduan skenat, na tha të dyve; “Ju faleminderit të dyve. Ty Refet që propozove aktor me përgjegjësi të lartë profesionale, dhe ty Simon që edhe përkundër rrethanave të vështira ku u ndodhe, arrite të përfaqësosh veten si profesionalit i nivelit më të lart si dhe Teatrin ku punon dhe vendin ku jeton”! .
I dashtun Simon, nuk dua të shkruaj “letra përkrahjeje” siç edhe duhet bërë në këtë rast, pasi që do më vinte ndot nga vetja për një gjë të tillë. Sepse nuk mund të shkruhen letra të tilla për aktorin që është një nga shtyllat më të rëndësishme të Teatrit “Migjeni”. Me shumë dëshirë e kënaqësi do shkruaja rekomandim për rritje rroge për ty!
Uroj që kjo procedurë, të rezultojë në njohje, apo rinjohje më të mirë mes teje e stafit të administratës të pushtetit lokal, të cilët në shumicën e rasteve nuk janë të njoftuar me vlerat e mirëfillta artistike, pasi natyra punës së tyre administrative është e tillë. Dhe gjithë kjo do përfundoj në të mirë të Trupës artistike të Teatrit “Migjeni” ku ti je, dhe do mbetesh, një nga shtyllat kryesore të asaj trupe artistike.
Duke uruar që kështu të ndodh,
Të përshëndes,
Refet Abazi
Burimi/Facebook


Leave a Reply