Mirë se vini në një tjetër episod të serialit tonë të preferuar “Drejtësia Shqiptare” Bazuar në mashtrime të vërteta”. Në këtë sezon të ri, kemi disa risi dramatike. Eksperti, heroi absolut i kohëve moderne, thotë çfarë do, kur do dhe si do. E sheh dosjen nga ballkoni, harton një akt në Word dhe e paraqet si “shkencë e pakundërshtueshme”. E vërteta nuk ka më rëndësi. Provat? Luks i tepërt. Njerëzit? Kolateral.
Gjykata, ajo qenia e dikurshme që interpretonte ligjin, është kthyer në një lloj noterizues të gënjeshtrës së ekspertit. Ajo nuk e ndalon dot ekspertin kur deformon faktet, por mund të ndalojë me shumë efikasitet avokatin që reagon. Guxon të flasësh? E ke ngritur zërin. Guxon të argumentosh? E ke prishur qetësinë.
Avokati, i vetmi që përpiqet të shpëtojë çfarë ka mbetur nga e drejta, ndëshkohet si sabotator. Jo se ka thënë një të pavërtetë, por sepse ka thënë një të vërtetë që nuk duhej thënë me zë. Sistemi e ndëshkon jo për shkelje, por për zgjim.
Në këtë episod konkret, eksperti nuk gënjeu me turp, por gënjeu me krenari. Madje gënjeshtra u shërbye si provë shkencore. Dhe kur unë, modestisht, përmenda se mbretëresha është lakuriq, më kërcënuan me gjobë dhe më këshilluan të ulem, të shënjoj, dhe të pres vendimin. Pse? Sepse drejtësia kërkon qetësi. Sepse nuk pranohet zhurmë përballë një ekspertize të porositur.
Por unë, fatkeqësisht për sistemin, nuk kisha ardhur për spektakël. Kisha ardhur për drejtësi. Ndaj bëra atë që çdo profesionist me ndërgjegje do bënte, kërkova përjashtimin e gjyqtarit dhe ekspertit. Jo për hatër, por për nder.
Dhe ja ku jemi sot. Në një vend ku drejtësia është bërë si një teatër absurd, Eksperti luan rolin e Zotit, Gjykata luan rolin e altarit. Avokati luan rolin e mëkatarit që duhet rrëfyer ose nxjerrë jashtë.
Ajo që ndodh nuk është më çudi. Është standard. Një drejtësi me zë të ulët, por me ndërgjegje të fjetur. Nëse do të shkruhet në ndonjë portal apo media ligjore, mund ta shoqërojmë me nën-titullin:
“Kur drejtësia i beson më shumë mashtrimit të ekspertit sesa fjalës së ligjit.”
Në vend që të dilja unë jashtë sallës së gjyqit, siç ndoshta shumëkush do të kishte dëshiruar pas kundërshtimit tim ndaj një ekspertize të rreme, doli gjykata bashkë me ekspertin nga logjika, nga etika dhe nga çdo standard serioz ligjor.
Eksperti gënjeu pa asnjë ndrojtje, gjykata e pranoi mashtrimin pa asnjë pyetje, dhe kur unë guxova të mbroj të vërtetën, jo vetëm që u cilësova “konfliktual”, por u kërcënova me masë disiplinore sepse, në Shqipëri, drejtësia preferon heshtjen përballë mashtrimit, ndërsa ndëshkon zërin që kërkon të vërtetën.
Burimi/Facebook


Leave a Reply