Ne kemi ngrënë bukë thatë, ndërsa ata hanin darka mbi sofrat tona të boshatisura. Ne kemi humbur njerëz në spitale pa ilaçe, ndërsa ata ndërtonin klinika private për qentë e tyre. Ne kemi heshtur se na mësuan se heshtja është virtyt i të varfërit.
Dhe një ditë, kur nga lodhja na iku edhe loti, vendosëm të buzëqeshim. Jo nga lumturia, por nga prishja e shpresës. Ngaqë s’na mbeti më asgjë për të humbur. Dhe kur buzëqeshëm, na fotografuan.
E mbi atë fotografi shkruan:
‘Lumturia nuk blihet me para!’
Dhe ne qeshëm sërish… jo për foton, jo për fjalën, por për ironinë. Sepse vetëm ai që ka blerë gjithçka, mund të thotë se lumturia nuk blihet me para, pa e ditur se ka njerëz që buzëqeshin edhe kur s’kanë më as bukë, edhe kur s’kanë më as shpresë.
Sepse njeriu i thjeshtë ka mësuar të qajë pa zë, të durojë pa u ankuar dhe të bëjë humor me fatkeqësinë. Është mënyra jonë për të mos u shuar fare.
E ndoshta një ditë, kur të shkruajnë histori, ne s’do të jemi aty. Por le të mbetet kjo: ne ishim ata që qanim në heshtje, qeshnim në vetmi dhe shpresonim pa kushte. Dhe askush nuk mund të na e blejë dot këtë shpresë.
Burimi/Facebook/Thenie Te Mencura


Leave a Reply